Si zgjidhen delegatët e Kongresit Kombëtar të PKK-së?

2017-10-16 15:28:48 xinhua Komenti juaj Printoni

Veprimtaria më e rëndësishme politike e Kinës në gjysmën e dytë të këtij viti pa dyshim që është Kongresi i 19-të Kombëtar i Partisë Komuniste. Në krahasim me kongreset e mëparshme, i sivjetshmi ka ndryshime nga numri, struktura përbërëse dhe kriteret e zgjedhjes së delegatëve.

Kongresi Kombëtar i Partisë Komuniste të Kinës organizohet një herë në pesë vjet. Gjatë punimeve, delegatët do të ndjekin paraqitjen dhe rishikimin e raporteve të punës të Komitetit Qendror të Partisë dhe atë të Komisionit Qendror për Kontrollin e Disiplinës, diskutimin dhe votimin për çështje të rëndësishme partiake dhe zgjedhjen e Komitetit të ri Qendror.

Zakonisht, udhëheqësit që zgjidhen në kongres marrin edhe poste të rëndësishme qeverisëse pas zgjedhjeve në Asamblenë Kombëtare Popullore (parlamentin kinez). Për shembull, në nëntorin e vitit 2012, Xi Jinping u zgjodh sekretari i përgjithshëm në Kongresin e 18-të Kombëtar të Partisë dhe vitin tjetër, pra në 2013-n, u zgjodh kryetar i shtetit nga Asambleja Kombëtare Popullore.

Që nga Kongresi i 10-të i vitit 1973, numri i delegatëve është rritur në mënyrë të qëndrueshme krahas zgjerimit të partisë. Në vitin 1921, kishte vetëm 13 delegatë sepse partia kishte vetëm mbi 50 anëtarë. Por tani, në kongresin kombëtar do të marrin pjesë gati 2300 delegatë që përfaqësojnë mbi 88 milionë anëtarë partiakë.

Gjatë procesit të zgjedhjes që filloi nëntorin e vitit të kaluar deri në qershorin e sivjetshëm, u zgjodhën 2287 delegatë për Kongresin e 19-të Kombëtar, apo 17 delegatë më shumë se në Kongresin e 18-të të vitit 2012. Këtë herë, u janë dhënë më shumë kuota punonjësve të thjeshtë dhe kriteret e zgjedhjes së delegatëve janë më të rrepta, sidomos në lidhje me integritetin moral.

2287 pjesëmarrësit e Kongresit të 19-të Kombëtar zgjidhen nga 40 njësi elektorale. Ndër to, 34 janë njësitë administrative provinciale: provinca, rajone autonome, qytete të varura direkt nga qendra, apo rajone të posaçme si Hong Kong-u, Makao dhe Tajvani. Ndërsa, gjashtë njësitë e tjera elektorale mbulojnë ushtrinë, ndërmarrjet shtetërore, departamentet e qeverisë qendrore etj. Ushtria ka rëndësi më të madhe. Për shembull, në Kongresin e 18-të të vitit 2012, 251 delegatë erdhën nga radhët e ushtrisë, duke zënë 11% të numrit të përgjithshëm të pjesëmarrësve.

Ndryshe nga Asambleja Kombëtare Popullore (parlamenti), kuotat e delegatëve të kongresit partiak përcaktohen sipas rëndësisë politike të rajoneve por jo sipas numrit të popullsisë vendore. Shangai, për shembull, ka pjesën më të madhe të kuotave ndër të gjitha njësitë administrative provinciale. Në Kongresin e 18-të, 73 delegatë erdhën nga Shangai.

Zgjedhja e delegatëve zhvillohet me konkurrim dhe numri i kandidatëve duhet të jetë të paktën 15% më shumë sesa ai i të zgjedhurve. Kandidatët propozohen nga baza e partisë dhe duhet të kalojnë vlerësimin e përgjithshëm të komitetit mbikëqyrës. Nëse ka kundërshtim, organizata e kontrollit të disiplinës do të marrë pjesë në hetime.

Përveç konkurrimit, delegatët e Kongresit të 19-të ndodhen përpara kritereve më të rrepta vitet e fundit.

"Delegatët që do të marrin pjesë në Kongresin e 19-të Kombëtar të Partisë duhet të jenë ajka të anëtarëve partiakë. Qëndrimi e tyre politik duhet të jetë kriteri më i rëndësishëm dhe integriteti moral e besimi te partia duhet të rishikohen me kujdes", thekson një koment i publikuar në të përditshmen e partisë, "People's Daily".

Vitet e fundit, janë zbuluar një sërë skandalesh gjatë zhvillimit të zgjedhjeve parlamentare të niveleve të qytetit dhe të provincës në Kinë. Në vitin 2013, mbi 500 ligjvënës të qytetit Hengyang të Kinës Qendrore u shkarkuan pasi u gjetën të përfshirë në një skemë të "blerjes së votave". Ndërsa, vitin e kaluar, një rast i ngjashëm u raportua në provincën Liaoning, ku u përfshinë 523 përfaqësues të Asamblesë Popullore.

Në një mbledhje të organizuar në janar, të gjithë liderët e provincës Liaoning pranuan se "do të nxirrnin mësime nga mashtrimi elektoral, ndërsa theksuan rëndësinë e integritetit politik."

Lidhur me këtë, analistët vunë në dukje se incidenti i ndodhur në provincën Liaoning ka shërbyer si një alarm për të gjithë kandidatët në mbarë vendin që dëshirojnë të marrin pjesë në Kongresin e 19-të.

Delegatët e Kongresit Kombëtar të Partisë Komuniste të Kinës mund të ndahen në dy grupe: zyrtarë partiakë dhe punonjës të thjeshtë që janë anëtarë partie. Grupi i zyrtarëve partiakë përfshin ata që vijnë nga njësitë e niveleve të ndryshme administrative si provincat, qytetet apo organet qeveritare, ndërmarrjet shtetërore, universitetet dhe institucionet e tjera publike.

"Shumica e delegatëve të Kongresit Kombëtar të PKK-së janë zyrtarë sepse në fund të fundit, synimi i kongresit është forcimi i udhëheqjes", thotë profesor Zhang Xixian nga Shkolla e Partisë e Komitetit Qendror.

Ndërsa, në 25 vitet e fundit, përqindja e zyrtarëve ka pasur ulje të vazhdueshme, nga 78% në vitin 1992 deri në 69.5% në vitin 2012. Në këtë kongres, kjo përqindje pritet të jetë edhe më e ulët.

Ndërsa, ngritja e përqindjes së punëtorëve do të thotë konkurrim më i ashpër midis zyrtarëve partiakë për t'u bërë delegatë të Kongresit, ose për të siguruar mundësinë e të qenit udhëheqës shteti në të ardhmen.

Mrekulli
Lajmet Kryesore