Iran, investimet kineze në termocentrale

2017-09-30 10:50:15 xinhua Komenti juaj Printoni

Vitet e fundit, Irani si një pikë e rëndësishme e nismës së Kinës "Një brez, një rrugë" ka tërhequr shumë investime kineze në fushat e naftës, gazit natyror, transportit dhe ndërtimit të hekurudhave. Kompani kineze janë përfshirë gjithashtu në prodhimin e energjisë elektrike dhe në djegien e mbetjeve. Investitorët kinezë ndërtuan termocentralet e para në Lindjen e Mesme që funksionojnë duke djegur mbetjet urbane, gjë që ka zgjidhur problemin e plehrave dhe u ofron qytetarëve burime energjetike.

Kompania e teknologjisë së lartë e të re të mbrojtjes së mjedisit, "Eco-Waste" nga provinca Zhejiang të Kinës Lindore hodhi hapin e parë në këtë drejtim. Në vitin 2011, kompania mbërriti në Iran për të zgjeruar tregun e prodhimit të energjisë elektrike me djegien e mbetjeve. Në vitin 2013, Eco-Waste nënshkroi kontratat për ndërtimin, shërbimet teknike dhe ofrimin e pajisjeve për tre termocentrale në Teheran, Nowshahr dhe Sari.

Në kryeqytetin e Iranit, Teheran prodhohen çdo ditë afro 7000 tonë mbetje. Në të kaluarën, ato kryesisht trajtoheshin nëpërmjet landfill-ve, pra me groposje.

Një prej gropave ku hidheshin 2000 tonë plehra çdo ditë ndodhej në jug të Teheranit, pranë autostradës që lidh kryeqytetin me aeroportin Imam Khomeini. Era e keqe shpesh hynte në makinat që udhëtonin midis aeroportit dhe qendrës së qytetit.

Tani, vetëm dy kilometra larg ndodhet impianti e kompanisë Eco-Waste. Këtij projekti të rëndësishëm bashkëpunimi, qeveria iraniane i ka kushtuar vëmendje të madhe dhe në ceremoninë e përurimit në vitin 2015, mori pjesë dhe zv./presidenti iranian Masoumeh Ebtekar i cili ndezi vetë furrë djegies.

Në këtë termocentral të parë në Lindjen e Mesme që funksionon me djegien e mbetjeve, çdo ditë mund të trajtohen 100 tonë plehra. Zv./kryemenaxheri i "Eco-Waste" Liu Yushan u shpreh se me teknologjinë e re, mbetjet e ngurta asgjësohen dhe temperatura ultra e lartë (super të lartë) parandalon shkarkimin e elementeve si oksidi i nitrogjenit, që shkakton smog.

"Mbetjet pasi futen në furrë digjen me ultra-temperaturë dhe shndërrohen në gaze. Në fakt, në temperaturën 1150 gradë celsius frenohet dalja e elementeve si oksidi i nitrogjenit. Pastaj, gazet e djegshme që mbeten do të konsumohen në 99.9% pas djegies së dytë. Projekti ynë me investime të arsyeshme dhe kosto të ulët funksionimi ka fituar vlerësim të lartë nga qeveria dhe ka kaluar provat shkencore të institucioneve iraniane. Prandaj, suksesi i tij na ndihmon të zëmë një treg më të madh ndërkombëtar," thotë zoti Liu.

Sipas tij, termocentrali për djegien e mbetjeve në Teheran që trajton pjesërisht plehrat e qytetit, duke prodhuar energji elektrike pa ndotje të mjedisit është një bashkëpunim shembullor midis ndërmarrjeve kineze dhe autoriteteve iraniane. Shumë punonjës të qeverive vendore të Iranit kanë e kanë vizituar këtë termocentral, me shpresën e zgjidhjes së problemit të plehrave.

Nowshahr është një qytet turistik në veri të Iranit buzë detit Kaspik. Bashkia vendore i kushton rëndësi të jashtëzakonshme mbrojtjes së mjedisit ekologjik dhe të pasazhit natyror.

Kryebashkiaku i Nowshahrit Ali Shadman:"Ne preokupohemi për mbrojtjen e mjedisit sepse zhvillimi mund të quhet i duhur vetëm kur shoqërohet me një mjedis të mirë. Jemi të mendimit se duhet të ndalojmë çdo groposje ose fenomen që rrezikon mjedisin. Një ndër masat tona është ndërtimi i një impianti për djegien e mbetjeve".

Impianti i Nowshahrit filloi ndërtimin në maj të këtij viti. Inxhinierët dhe teknikët e "Eco-Waste" po punojnë tani për montimin e pajisjeve. Por për shkak të klimës me shumë reshje, këtu uji nëntokësor rrjedh vetëm në dy a tre metra thellësi. Prandaj, parandalimi i ndotjes së ujit është një detyrë tjetër e rëndësishme.

Kryeinxhinieri i projektit Luan Guomin:"Lëngu i mbetjeve është një problem serioz sepse po të derdhet, do të shkaktojë ndotje të burimeve ujore nëntokësore. Ne, pasi të përurojmë impiantin, kemi marrë edhe masa për të mbledhur dhe trajtuar këtë. Tani, gjithë uji që derdhet nga fabrika jonë për trajtimin e mbetjeve është në përputhje me standardet e kontrollit të mjedisit".

Kryebashkiaku i Nowshahr-it Ali Shadman ka ndjekur me vëmendje zbatimin e këtij projekti. Ai e viziton kantierin çdo dy javë. Z. Shadman është i kënaqur për efikasitetin dhe teknikat e kompanisë kineze dhe dëshiron të shtojë dhe më tej bashkëpunimin.

"Irani dhe Kina kanë histori të gjatë bashkëpunimi, aq të gjatë sa që daton që nga Rruga e Mëndafshit. Termocentrali i prodhimit të energjisë elektrike nëpërmjet djegies së mbetjeve në Nowshahr është një projekt i mirë. Shpresoj se kompanitë kineze do të investojnë edhe në fusha të tjera", tha ai.

Megjithëse impiante të tilla janë të dobishme për zhvillimin shoqëror dhe mbrojtjen e mjedisit, autoriteteve iraniane shpesh u mungojnë fondet e duhura për shkak të sanksioneve afatgjata ndërkombëtare. Një fakt i tillë ka penguar rëndë ecurinë e zbatimit të projekteve.

Përfaqësuesi i Eco-Waste për Lindjen e Mesme, Liang Jinsuo, thotë se kompania e tij po gjen metoda të reja financimi. Sipas tij, për një projekt tjetër në qytetin Rasht buzë detit Kaspik, Eco-Waste po bashkëpunon me investitorë të tjerë kinezë. "Po ta shndërrojmë në një sukses, problemi i financimit mund të zgjidhet në të ardhmen," tha z. Liang.

Mrekulli
Lajmet Kryesore