"Fuxing", trenat kampion të Kinës

2017-09-25 12:43:14 xinhua Komenti juaj Printoni

Me një zhurmë të lehtë trenat e bardhë me vija të kuqe, modeli më i ri i trenave të shpejtësisë së lartë kanë nisur udhëtimin çdo ditë nga kryeqyteti Pekin në qytetin fqinj verior, Tianjin. Shpejtësia maksimale e këtij treni me emrin "Fuxing", që do të thotë "ripërtëritje" është 400 km në orë, por në këtë linjë ata përdorin shpejtësinë deri në 300 km në orë. Pasagjerët e befasuar nga shpejtësia dhe komoditeti i trenit të ri nuk pushojnë së bëri foto kësaj makinerie të shpejtë, që përuroi udhëtimin e parë më 21 gusht.

Me të drejtë udhëtarët e vlerësojnë cilësinë e transportit hekurudhor që siguron ky lloj treni modern, pasi në të ndodhen 567 vende, 20 më shumë se në trenat e deritanishëm të shpejtësisë së lartë, të llojit CRH. Trenat e rinj "Fuxing" janë prodhim tërësisht kinez, bazuar në një teknologji të avancuar.

Sipas zëdhënësit të Stacionit Hekurudhor Jugor të Pekinit, Liang Zhaoyu, çmimi i biletës së trenave të sapo vënë në funksionim ka mbetur i njejtë me të atyre të mëparshëm. Komoditeti dhe cilësia e këtyre trenave vërehet mbi të gjitha nga kushtet që u krijohen udhëtarëve. Këtu duhet të veçojnë shërbimin falas të internetit, me një shpejtësi të tillë që udhëtarët mund të shkarkojnë edhe video.

Vëllimi i pasagjerëve të linjave hekurudhore të shpejtësisë së lartë është rritur nga 67 mijë në ditë që ishte në vitin 2013 në 82 mijë këtë vit, ndërsa 102 milion pasagjerë kanë udhëtuar nga Stacioni Hekurudhor i Pekinit Jugor në 9 vitet e fundit.

Në 5 vitet e fundit është krijuar rrjeti i ri hekurudhor Pekin-Tianjin-Hebei. Hekurudhat e reja përfshijnë linjën Tianjin-Qinhuangdao, Pekin-Tianjin dhe Tianjin-Baoding. Pjesë e këtij rrjeti hekurudhor janë dhe linjat Pekin-Zhangjiakou, Pekin-Shenyang dhe Shijiazhuang-Jinan h. Ky rrjet përbëhet nga një hekurudhë me shpejtësi të lartë, hekurudha ndërqytetëse, si dhe linjat hekurudhore brenda qytetit.

Linja e parë hekurudhore ndërqytetëse me shpejtësi të lartë

Hekurudha ndërqytetëse Pekin-Tianjin është e para linjë e shpejtësisë së lartë në Kinë, e përuruar në vitin 2008. Në të kanë udhëtuar më shumë se 200 mijë pasagjerë,për të cilët kjo linjë hekurudhore është një domosdoshmëri. Por jo vetëm pasagjerët përfitojnë nga kjo linjë moderne hekurudhore, pasi një ndikim të madh ajo ka patur dhe në rritjen ekonomike të rajonit verior të Kinës.

Stacioni hekurudhor Wuqing ndodhet midis Stacionit hekurudhor të Pekinit Jugor dhe Stacionit të Tianjinit, një një distancë kohore prej 20 minutash nga Pekini. Në vitin 2008 ishin programuar vetëm 8 trena vajtje-ardhje në ditë që mbërrinin në Stacionin Wuqing, ndërsa tani numri i tyre ka arritur në 23. Ndërsa për të njëjtën periudhë mesatarja e numrit të pasagjerëve në këtë linjë hekurudhore është rritur nga 366 që ishte në 2008 në 10 mijë në 2017. Linja hekurudhore ndërqytetëse ka sjell shumë mundësi për banorët dhe bizneset e zonës. Madje shumë pekinas preferojnë të shkojnë për të blerë në qendrë tregtare "Florentia Village" të Wuqingut gjatë fundjavës, ku gjatë gjithë vitit klientët mund të gjejnë artikuj të ndryshëm me çmime të ulta.

Linja hekurudhore Pekin-Hebei

Para 3 vjetësh trenat e shpejtësisë së lartë të tipit G9002 dhe G9001 nisën udhëtimet në linjën Pekin-Langfang, të provincës Hebei. Për banorët e kësaj province që punojnë në Pekin transporti hekurudhor është një mundësi mjaft e mirë. Ata udhëtojnë vetëm 21 minuta nga Langfangu në Pekin çdo ditë vajtje ardhje, për të shkuar në punë e për tu kthyer mëpas në shtëpitë e tyre. Nëse një banor i Langfangut do të përdorte makinën personale për të shkuar në punë në Pekin atij do ti duhej 4 herë më shumë kohe për të mbërritur, krahasuar me udhëtimin me tren.

Linja e shpejtë hekurudhore në qytetin e Lojrave Dimërore

Përgjatë Murit të Madh po kryhen punimet për ndërtimin e një tuneli pjesë e hekurudhës Pekin-Zhangjiakou, me një gjatësi 174 km. Kjo linjë e re do të shërbejë për lehtësimin e transportit gjatë Lojërave Olimpike Dimërore të vitit 2022 që do të zhvillohen pikërisht në qytetin Zhangjiakou. Në maj të këtij viti përfundoi ndërtimi i linjës hekurudhore Pekin-Zhangjiakou.

Shpejtësi rekord

Në shtator 7 trena të shpejtësisë së lartë "Fuxing" të linjës Pekin-Shangai do të rritin shpejtësinë në 350 km për orë, duke e bërë Kinën të parin vend në botë me këtë shpejtësi të trenave për pasagjerë. Trenat e rinj do të shkurtojnë kohën e udhëtimit midis dy metropoleve kineze në 4 orë e gjysmë. Shitja e biletave të udhëtimit me këto trena nisi që në 23 gusht dhe mësohet se kërkesat për to janë shumë të mëdha.(Eda Merepeza)

Mrekulli