Kina, lidere botërore e pagesave me celular në botë

2017-09-18 16:45:31 xinhua Komenti juaj Printoni

Revolucioni dixhital në Kinë ka mahnitur botën me zhvillimin e vrullshëm të pagesës me celular, që lehtëson jetën e qytetarëve në vende të ndryshme të botës.

A mund të kalosh një ditë në Pekin pa portofol në xhep ? Në prillin e vitit të kaluar, gazetari i CNN-it Will Ripley e provoi këtë dhe e realizoi me sukses.

"Të them të vërtetën, në fillim isha disi skeptik për kalimin e një dite të tërë në Pekin pa portofol. Por, u habita jashtë mase kur zbulova lehtësitë dhe leverditë e procesit", raportoi Ripley.

Për mëngjes, ai porositi krepe në një kioskë të vogël pranë rrugës. Ndërsa priste të piqeshin, Will hapi aplikacionin Wechat në celular dhe skanoi kodin QR(Quick Response Code) të llogarisë së pronarit. Më pas vetëm me fjalëkalimin, pagesa u krye në disa sekonda. Atë ditë, duke përdorur smartfonin, Ripley mori taksi, bleu kafe dhe pagoi të gjitha vaftet në restorante. Ishte një eksperiencë komode dhe e leverdisshme.

Vitet e fundit, pagesa me celular ka lulëzuar në qytete të ndryshme të Kinës. Pavarësisht në dyqane të vogla, supermarkete apo qendra tregtare, konsumatorët preferojnë më shumë të paguajnë me celular, sesa me para cash apo kartë bankare.

Pagesat me celular bëhen kryesisht nëpërmjet dy aplikacioneve kryesore, Alipay dhe Wechat. Pasi lidhen kartat bankare me llogaritë në këto dy aplikacione, njerëzit mund të kryejnë transfertë ose të paguajnë vetëm duke shtypur disa butona.

Sipas një raporti të publikuar në prill nga OKB-ja, shuma e pagesës me celular në Kinë është shtuar 20 herë në katër vitet e fundit, duke arritur vetëm vitin e fundit deri në 2.9 trilionë dollarë amerikanë.

Alipay, e krijuar në vitin 2004 nga gjiganti i tregtisë online Grupi Alibaba bëri të ditur përmes të dhënave se 71% e pagesave në vitin 2016, në këtë platformë janë kryer me smartfon. Ndërkohë, mbi 1/3 e të huajve që jetojnë në Kinë kanë përdorur Alipay.

"Portofoli im nuk ka më vlerë. Mund të bëj pazar ose të porosis çfarëdo lloj ushqimi vetëm me celularin tim", i tha agjencisë Xinhua studenti kamboxhian, Lin Jinlong.

Pagesa me celular sjell edhe leverdi të tjera në jetën e përditshme të kinezëve. Përdoruesit e aplikacioneve, mund të paguajnë faturat e ujit, të energjisë elektrike, gjobat e trafikut, taksitë, autobusët, përdorimin e biçikletave publike, apo regjistrimin në spital.

Krahas shtimit të shkëmbimeve njerëzore midis Kinës dhe botës, kompanitë kineze që merren me pagesat elektronike po zgjerojnë biznesin e tyre jashtë vendit.

Gjatë Festivalit Songkran, që kremtohet çdo vit në prill, Tajlanda pret shumë turistë kinezë. Tani, në qytetet e mëdha të këtij vendi si Bangkok, Chiang Mai etj., Wechat Pay dhe Alipay përdoren nga gjithnjë e më shumë dyqane, restorante, madje dhe sallone masazhi.

"Tani, nuk ka nevojë për portofol, as për të pritur reston. Mund të më bëjnë dhe ulje çmimi. Më pëlqen kjo mënyrë pagese me kaq shumë epërsi", tha për Xinhua-në një kliente kineze në një qendër tregtare në Bangkok.

Shërbimet kineze të pagesës me celular hodhën hapin e parë në tregun global në vitin 2008, pas mbështetjes nga pagesat ndërkombëtare. Që nga ajo kohë, kompanitë përkatëse filluan eksplorimin e tyre në vende të tjera, për të lehtësuar turistët kinezë në to.

Tani, Alipay ka krijuar partneritet me mbi 120 mijë biznese në fushën e restoranteve, supermarketeve, dyqaneve të artikujve të përdorimit të përditshëm, duty-free, në aeroporte, parqe argëtuese në 27 vende e rajone në Azi, Europë, Amerikë dhe deri në Arktik.

"Alipay është një metodë e lehtë dhe e leverdishme për klientët kinezë. Kur na vijnë dhe mësojnë se ne pranojmë Alipay me celular, gëzohen pa masë", thotë Hannah Jackson, menaxhere e biznesit të markës Body Shop në Londër.

Ndërsa, Rita Liu, drejtore e Alipay-t për bizneset në Europë, Lindjen e Mesme dhe Afrikë vuri në dukje se Alipay po shërben gjithashtu si një platformë marketingu për kompanitë e huaja, që synojnë të hapin tregun ndaj konsumatorëve të tyre në Kinë.

" Turistët kinezë në Londër mund të marrin informacione të përgjithshme për zonat tregtare vendore dhe dyqane të rekomanduar, mund të fitojnë edhe ulje çmimi ose kupon", tha znj. Liu.

Alipay përpiqet t'u ofrojnë 520 milionë përdoruesve të tij një kurs të favorshëm valutor.

I ngjashëm me Alipay, Wechat Pay u shërben turistëve kinezë në dhjetëra vende e rajone dhe mund të kryejë pagesa në 10 monedha të huaja.

Sipas znj. Liu, pagesa jashtë vendit ka formuar një sistem të ri financiar, duke mbuluar tërë procesin e vizitës turistike, nga rezervimi i hoteleve, prerja e biletave, fluturimi deri në bërjen e pazarit, ngrënien dhe udhëtimin me mjete transporti.

Ndërkohë, lulëzimi i këtij biznesi po ndihmon edhe zhvillimin e pagesës me celular në vende të tjera.

Para ardhjes në qytetin Hangzhou, vendlindja e Grupit Alibaba, Vijay Shekhar Sharma, themeluesi i kompanisë indiane të tregtisë online PayTM(Payment Through Mobile) nuk e kishte parashikuar që kodi QR i popullarizuar në Kinë, mund të zgjidhte një problem që shqetësonte firmën e tij për një kohë të gjatë.

Në atë periudhë kompania e tij përballej me mungesën e makinave të skanimit të barkodit. Kurse montimi i aparateve të tilla kërkonte shumë investime, nga kjo kompani e sapokrijuar. Gjatë vizitës në Kinë, Sharma zbuloi një metodë më të thjeshtë: shitësit printonin QR kodin e tyre mbi një letër dhe klientët e skanonin me smartfon. Kështu që pas futjes së fjalëkalimit, paratë transferoheshin menjëherë në kartat bankare, të lidhura me llogarinë në aplikacion dhe shitësit nuk kishte nevojë për aparat skanimi të barkodit.

Me vënien në përdorim të kësaj mënyre, PayTM ka ulur koston dhe ka garantuar sigurinë e transfertës sepse QR kodi është më i sigurtë se barkodi, nga ana teknologjike.

Në shkurtin e vitit 2015, PayTM kishte më pak se 30 milionë përdorues. Por në prill të këtij viti ky numër arriti në 220 milionë, duke zënë vendin e parë në Indi dhe të tretin në botë si portofol elektronik, përpara Paypal.

Ndërkohë, Wechat Pay ka gjetur partnerin PayU, një ndër ofruesit kryesorë të shërbimit të pagesës me celular në Indi.

Një bashkëpunim i tillë ndërkombëtar nuk kufizohet në Indi, por ka arritur rezultat në vende të tjera. Kompani si Ascend Money në Tajlandë, Mynt në Filipinet, Emtek në Indonezi, Kakao në Kore të Jugut etj., kanë krijuar partneritet me modelet e tyre kineze. Një epokë e artë e pagesës me celular po përhapet nga Kina në vende e rajone të tjera.

Mrekulli
Lajmet Kryesore