Kina ndalon importimin e mbetjeve për mbrojtjen e mjedisit

2017-09-11 16:05:16 xinhua Komenti juaj Printoni

Për gati 30 vjet, Kina është importuesja më e madhe e mbetjeve në botë. Për të plotësuar kërkesat e manifakturës industriale, fabrikat e riciklimit në Kinë trajtojnë çdo ditë 8 milionë tonë mbeturina të importuara për t'u ripërdorur si lëndë të para si plastikë, gomë, çelik apo letër.

Zhvillimi i vrullshëm i këtij sektori ka shkaktuar ndotje të mjedisit, por për interesat e palëve, në të kaluarën ky problem nuk është trajtuar me gjithë seriozitetin sepse reciklimi i mbeturinave ndihmon në uljen e kosto-s, ndërsa zgjidh dhe problemin e plehrave të vendeve perëndimore.

Kështu që, kohët e fundit, pasi Kina njoftoi Organizatën Botërore të Tregtisë për ndalimin e 24 llojeve të mbetjeve të ngurta para fundit të këtij viti, për të mbrojtur shëndetin dhe sigurinë e banorëve, industria globale e reciklimit u përball me një gjendje të re.

Riciklimi i materialeve plastike të vendeve perëndimore varet nga Kina. Vetëm vitin e kaluar, ShBA-ja eksportoi 5.6 miliardë dollarë amerikanë mbetje metalike dhe 1.9 miliardë dollarë amerikanë letra të përdorura në Kinë. Në ShBA, 155 mijë vende pune janë të lidhura me këtë biznes.

Sipas një raporti të Shoqatës Ndërkombëtare të Mbetjeve të Ngurta, 87% e mbetjeve plastike europiane dhe 56% e atyre botërore eksportohen drejt Kinës. Madje vendet në zhvillim si Vietnami, Indonezia dhe Malajzia i shesin Kinës materiale të përdorura plastike.

Sipas ekspertit Liu Jianguo nga Universiteti Tsinghua, 24 lloje mbetjesh të ndaluara përfshirë ato plastike pas përdorimit në jetë të përditshme, vanadium toksik, letra të përdorura, materiale tekstile që ndotin mjedisin etj. "Pjesa dërrmuese e tyre kanë qenë në listën e kufizimit, por tani importimi i tyre do të ndalohet plotësisht", shtoi ai.

Jo vetëm kaq, në një dokument të publikuar nga Këshilli i Shtetit i Kinës thuhet se përveç mbetjeve të ngurta që dëmtojnë mjedisin, para fundit të vitit 2019, Kina do të ndalojë dhe importimin e mbetjeve, që mund të zëvendësohen me burimet e veta.

Për industrinë botërore të riciklimit, ky është një lajm i madh.

Robin Wiener, president i Institutit të Industrisë së Riciklimit të Mbetjeve u shpreh në një deklaratë se urdhëri i ndalimit i Kinës është "katastrofik" për industrinë amerikane të riciklimit, që merret me kthimin e materialeve të përdorura në lëndë të para.

"Tregtia me Kinën për lëndë të para nga sendet e përdorura si metal, letër dhe plastikë ka rëndësi të madhe për suksesin e industrisë amerikane të riciklimit. Nëse Kina zbaton këtë udhër, dhjetëra mijëra punëtorë amerikanë do të humbasin vendet e punës dhe do të mbyllen shumë veprimtari në ShBA", shkruhet në deklaratë.

Ndërkohë, Arnaud Brunet, drejtor i përgjithshëm i Byrosë Ndërkombëtare të Riciklimit, një OJQ me seli në Belgjikë, përmes një letre drejtuar Organizatës Botërore të Tregtisë i bën thirrje Kinës të rishqyrtojë këtë vendim.

"Në 25 vjetët e kaluar, industria globale e riciklimit ka mbështetur Kinën në zhvillimin ekonomik dhe ka plotësuar kërkesat e saj për lëndë të para. Ky biznes ka të bëjë me produkte që vlejnë dhjetëra miliardë dollarë amerikanë", nënvizon ai në letër.

Megjithatë, ekspertët kinezë janë të mendimit se urdhëri i ndalimit i është i pashmangshëm, pasi Kina e ka vendosur si prioritet mbrojtjen e mjedisit.

"Vendet Perëndimore tani duhet të mendohen për të gjetur mënyra të reja për mbetjet e veta si përshembull nëpërmjet përdorimit të landfillëve ose me djegie ", i tha z. Liu Global Times-it.

Kurse, disa ekspertë të tjerë e cilësojnë urdhërin e ndalimit si një shans të ri investimesh. Z. Steve Wang, kryetar i një kompanie riciklimi në Hong Kong shpalli në një konferencë se po planifikon të hapë një fabrikë të re në ShBA.

Pse e mori Kina këtë vendim me impakt tronditës?

Kina filloi të importonte mbetje të ngurta në vitet 80' të shekullit të kaluar, kur ekonomia e saj në zhvillim e sipër kishte nevojë për materiale të para, të lira.

"Mbetjet e ngurta janë burim prodhimi, por edhe burim i ndotjes. Në të kaluarën, përfitimet ekonomike ishin në plan të parë dhe injoroheshin disi dëmet ndaj mjedisit", shpjegoi z. Wang Wang, sekretar i përgjithshëm i Shoqatës së Ricklimit të Mbetjeve Plastike të Kinës.

Por, krahas thellimit të reformës në krahun e ofertës, mbrojtja e mjedisit u konsiderua si një prioritet.

Në fakt, Kina ka provuar një aktivitet të ngjanshëm në vitin 2013, që mund të konsiderohet si një provë për ndalimin e plotë të tanishëm. Gjatë lëvizjes "Gardhi i Gjelbër" që zgjati 10 muaj, Kina ndaloi importimin e 58.8 mijë tonë mbetjeve të huaja në territorin e saj.

Por, pas ndalimit të mbetjeve, lind edhe pyetja: si mund të plotësohen kërkesat e manifakturës kineze kur këto materiale mbështesin 1/4 e lëndëve të para të disa sektorëve industrialë në Kinë?

Një biznesman anonim tha për Global Times se disa material të përdorura plastike të importuara janë më të lira dhe me cilësi më të lartë se ato të ricikluara në Kinë, pasi këtu shumica e bizneseve të riciklimit janë të vogla dhe me teknikë të nivelit të ulët.

Kështu që, për pasojë vendimi i fundit jo vetëm tronditi eksportuesit e huaj, por do të nxesë edhe bizneset kineze të riciklimit të rritin nivelin teknologjik dhe standardet e tyre.

Mrekulli
Lajmet Kryesore