Dashuria për çajin kinez

2017-08-14 16:24:33 xinhua Komenti juaj Printoni

Çaji kinez është një pije mbarëbotërore dhe madje pritet që deri në vitin 2020 numri i atyre që pijnë çaj rregullisht të kalojë atë të të kafepirësve. Tashmë pirja e çajit është një zakon jo vetëm i aziatikëve, por dhe i pjesës tjetër të botës, madje ajo ka ndikuar dhe në lidhjen e ngushtë të të huajve me çajin kinez.

Jo vetëm të huajt që jetojnë në Kinë lidhen ngushtë me çajin duke iu përshtatur përditshmërisë së vendësve, por dhe jashtë këtij vendi të madh ka shumë të huaj, adhurues të çajit.

Madje shumë prej tyre kanë kryer studime për çajin kinez, filozofinë, historinë, prodhimin dhe kulturën e tij të gjerë.

Njeri prej tyre është dhe kanadezi Warren Peltier që lidhja me çajin që në moshë të hershme duket përcaktuese në jetën e tij të mëvonëshme, gati-gati si një lidhje e paracaktuar nga fati.

Warren Peltier mbërriti në Kinë në vitin 2006 si mësues i gjuhës angleze. I rritur në veri të Ontarios, në Kanada Warreni nisi të mësonte kinezishten që në shkollë të mesme. Ishte periudha kur nuk kishte internet, televizor satelitor dhe e vetmja mundësi për të përmirësuar gjuhën kineze për të ishte ndjekja e filmave me arte marciale.

Ajo që i bënte më shumë përshtypje në këto filma ishte se heronjtë e tyre luftarakë dhe tepër të guximshëm herë pas here kthenin ndonjë filxhan çaji. Për këtë qëllim ai nisi të blinte lloje të ndryshme çajrash duke menduar se të forconim fizikisht, ashtu si në filmat me kung fu ku mjeshtrat pinin çaj. Warrenit i pëlqeu jashtë mase çaji oolong me origjinë nga provinca Fujian e Kinës. Sipas tij ky lloj çaji ishte shumë më i mirë se çajrat që tregtohen me bustina, pasi është vetë i ëmbël dhe nuk i shtohet sheqer si dhe ka një shije të jashtëzakonshme. Ai nuk e ndali kërkimin e tij për çajin kinez as në libraritë e qytetit ku banonte duke kërkuar nëse kishte botime në anglisht për çajin kinez.

Madje ai arriti të siguronte dhe përkthimin në anglisht të "Enciklopedisë së Çajit" të Lu Yu-së. Pas këtyre kërkimeve dhe hulumtimeve Warren vendosi të vizitonte Kinën. Synimi i tij ishte të shkruante në gjuhën angleze një libër për çajin, në mënyrë që lexuesit anglishtfolës të njihnin kulturën e çmuar të çajit kinez.

Ndërsa vendosi të nisej për në Kinë Warren mori dhe një tjetër vendim të rëndësishëm, mësimin e gjuhës kineze për të mësuar nga vendësit rreth kulturës së çajit dhe për të lexuar në këtë gjuhë rreth mrekullisë së çajit. Ishte viti 1990 dhe falë hapjes së Kinës ndaj botës Warren me anë të televizionit satelitor nisi të ndiqte televizionin kinez, duke ndjekur nga emisionet për mjekësinë tradicionale e deri te filmat. Me një vullnet për tu patur zili Warren nisi të mësonte si autodidakt gjuhën kineze dhe për këtë ai thotë se ndiqte rreth 4 orë në ditë televizionin kinez, gjë që e ka ndihmuar në mësimin e kësaj gjuhe.

Pas kësaj përvoje në vitin 2006 Warreni arriti në provincën Fujian, e njohur për kulturën e çajit. Ai nisi punën si mësues i gjuhës angleze në qytetin Longyan dhe mrekullohej kur shihte në çdo cep rruge një dyqan çaji. Çaji i parë që ai shijoi në Kinë ishte ai i përbërë nga lulet, që njihet me emrin Tieguanyin.

Një vit më pas Warreni u zhvendos në kryeqendrën e provincës, në Fuzhou së bashku me të shoqen kineze, me të cilën ishte njohur në Longyan.Edhe pse punonte si mësues i gjuhës angleze, Warren vazhdonte kërkimet dhe studimet e tij për çajin në Fuzhou, ku zbuloi se kryhej eksporti i çajit jasemin. Pas një pune të gjatë dhe voluminoze, duke studjuar rreth 50 monografi të vjetra kushtuar çajit, kanadezi Warren Peltier nisi në vitin 2008 librin e tij për çajin kinez. Gjatë procesit te editimit të librit ai mblodhi disa informacione interesante. Një ndër këto ishte dhe një teknikë e përdorur gjatë sundimit të dinastisë Song (960-1279) e njohur si "parting tea" që konsistonte në krijimin e figurave të luleve apo zogjve në shkumën e çajit.

Warren ka punuar rreth 12 orë në ditë për të shkruar librin e tij me titull "Arti i lashtë i çajit kinez" i botuar në vitin 2011. Me këtë vepër kushtuar çajit kinez ai u bë i njohur në qytetin Fuzhou, kryesisht në ambjentet ku tregtohej apo shërbehej çaji. Në vitin 2012 një kompani e prodhimit të çajit në Fuzhou e zgjodhi Warrenin si ambasador të çajit të zi për ta promovuar në tregun ndërkombëtar, ndërsa Zyra e Bujqësisë e qytetit Fuzhou e ka emëruar kanadezin Warren si këshilltar të saj. Warreni nuk ndalet këtu, pasi libri i tij i ardhshëm do ti kushtohet filozofisë së çajit. (Eda Merepeza)

Mrekulli
Lajmet Kryesore