Bashkëpunimi kino-gjerman në Afrikë

2017-08-08 15:54:23 xinhua Komenti juaj Printoni

Helen Hai u ndje e inkurajuar ndërsa ndiqte fjalimin e kancelares gjermane Angela Merkel në Samitin e G20 në Hamburg, për mundësinë e bashkëpunimit me palën kineze, për tregun e vendit të tretë sidomos në Afrikë.

Hai, kryeekzekutive e nismës "Made in Africa" dhe këshilltare e qeverive të Etiopisë, Ruandës dhe të Senegalit për nxitjen e investimeve dhe të industrializmit, ka zbatuar idenë e bashkëpunimit trepalësh mes Kinës, Europës dhe Afrikës që nga viti 2013.

"Është i pashmangshëm për Kinën, Gjermaninë dhe Afrikën bashkëpunimi për përballimin e sfidave", tha Hai për"Global Times".

Në sytë e saj, ky bashkëpunim mund të ndihmojë Afrikën për daljen nga varfëria në të mirën e stabilitetit, Kinën për realizimin e transformimit ekonomik dhe të shkallëzimit industrial dhe Gjermaninë të zgjidhë krizën e refugjatëve.

Në majin e këtij viti, liderët e tregtisë Kinë-Gjermani përuruan në Pekin Qendrën kino-gjermane për Zhvillimin e Vazhdueshëm. Ajo synon promovimin e bashkëpunimit ekonomik midis dy vendeve në Afrikë, duke shfrytëzuar përvojën e pasur të Kinës në investimet infrastrukturore dhe atë të Gjermanisë në trajnimin profesional, teknologjinë e mjedisit dhe të energjisë.

"Kina dhe Gjermania po bashkëpunojnë në një treg të tretë në Ruanda dhe Angola", deklaroi Merkel në konferencën e shtypit pas samitit të Hamburgut. "Megjithëse bashkëpunimi aktual ndodhet në fazën fillestare, mundësitë janë të mëdha", shtoi kreu i qeverisë gjermane.

Sipas një raporti të McKinsey Africa, prezenca e Kinës në Afrikë është shtuar dekadën e fundit. Sipas Deutsche Welle-s në qershor, 10 mijë firma kineze numëroheshin në kontinentin afrikan, ku japin një kontribut të konsiderueshëm prej 20% të rritjes vjetore të tregtisë kino-afrikane të viteve të fundit.

Ndërmarrjet kineze kanë bërë mbi 750 milionë dollarë amerikanë investime jo-financiare në Afrikë në tremujorin e parë të këtij viti, 64% më shumë në krahasim me vitin e kaluar. Këtë e deklaroi z. Sun Jiwei, zëdhënës i Ministrisë së Tregtisë të kinës.

Matthew Tsamenyi, drejtor ekzekutiv i programit të Afrikës pranë Shkollës Ndërkombëtare të Biznesit Kinë-Europë, beson se megjithëse në dekadet e mëparshme, Europa dhe ShBA-ja kanë qenë partnere më të rëndësishme të Afrikës në tregti, investim dhe ndima, tani Kina është një partnere i ri me të njëjtën peshë.

Ai shtoi se Kina ka ofruar fonde të mëdha në projektet infrastrukturore në Afrikë, që do të hedhin bazën e industrializmit dhe zhvillimit ekonomik të këtij kontinenti.

Sipas raportit të fundit vjetor të Konsortiumit të Infrastrukturës për Afrikën, vëllimi i përgjithshëm i financimit për projektet infrastrukturore afrikane arriti në 83.5 miliardë dollarë amerikanë në vitin 2015, 20.9 miliardë ndër të cilat vinin nga Kina.

"Përfitimi më i madh i Afrikës është që përveç fuqive Perëndimore, vendet afrikane kanë një bashkëpunëtor të fuqishëm dhe një treg alternativ, por të madh, në tregti ", thotë Tsamenyi.

Në Samitin e G20-s të organizuar në vitin 2016 në Hangzhou, vendet anëtare të kësaj organizate shpallën Nismën për Mbështetjen e Industrializmit në Afrikë dhe Vendet më pak të zhvilluara. Si organizatore e samitit, Kina u bëri thirrje ekonomive më të mëdha botërore të përkrahin industrializimin e Afrikës sepse kjo është zgjidhje për të përballuar sfidat e zhvillimit të këtij rajoni.

Ndërsa, Samiti i G20-s në Hamburg vijoi rrugën e nisur në Hngzhou. Axhenda e diskutimeve fokusohej mbi nismën për Afrikën që synon nxitjen e investimeve private, mbështjeten për zhvillimin infrastrukturor dhe rritjen e punësimit në Afrikë.

Është i njohur gjerësisht fakti që bashkëpunimi midis Kinës dhe Gjermanisë përbën një bashkim i fuqishëm përsa i përket përvojës kineze në investimet infrastrukturore dhe teknologjisë gjermane të nivelit të lartë në industri.

Dong Bin, kryetar i komitetit të Samitit të Sipërmarrësve Kino-Europian është i mendimit se Gjermania preferon të bashkëpunojë me Kinën, sepse të dyja vendet mund të plotësojnë reciprokisht kërkesat e njërë-tjetrës.

"Në krahasim me vendet e tjera europiane apo ShBA-në, kushtet e Kinës mund të përmbushin më mirë kërkesat e palës gjermane", tha z. Dong.

Kurse, për Tsamenyi është e rëndësishme që fuqitë e mëdha të mos e shohin njëra-tjetrën si konkurrente në biznesin me vendet në zhvillim, si ato në Afrikë. "Ndërsa, për vendet afrikane, bashkëpunimi kino-gjerman do të sjellë më shumë përfitime sesa po të bëjnë biznes veç e veç me Kinën dhe Gjermaninë", shtoi ai.

Hai filloi investimet e saj në Afrikë në vitin 2011, kur hapi një fabrikë këpucësh në kryeqytetin e Etiopisë Adis Ababa. Ajo punësoi mijëra vetë dhe brenda gjashtë muajsh, vëllimi i eksportit të fabrikës së saj drejt tregut europian dhe veriamerikan u dyfishua. Ajo beson se Afrika ka hyrë në periudhën e artë të zhvillimit dhe do të bëhet vatra e re e manifakturës për tregun global.

Tsamenyi është i mendimit se qasja e Gjermanisë në Afrikë është dukshëm e ndryshme nga ajo e Kinës dhe Gjermania duhet të përshtasë strategjinë e saj afrikane, duke e parë si një kontinent që ka nevojë për investime dhe jo për ndihmë, me synim zhvillimin e sektorit privat.

"Kompanitë gjermane mund të bashkëpunojnë me kompanitë kineze në sektorët strategjikë të ekonomisë afrikane për investime. Kompanitë gjermane mund të përfitojnë nga kjo qasje në drejtim të qasjes në tregun afrikan," tha ai.

"Nga vëzhgimi im, kompanitë kineze nuk kanë frikë të investojnë në asnjë pjesë të Afrikës dhe kompanitë gjermane duhet ta kuptojnë këtë edhe për të përfituar nga mundësitë në kontinent. Në fund të fundit, Afrika ka disa nga ekonomitë me rritje më të shpejtë në botë, ndërsa kompanitë gjermane nuk janë prezente në disa prej këtyre ekonomive. "

Mrekulli
Lajmet Kryesore