Shndërrimi i një fshati

2017-07-24 10:47:48 xinhua Komenti juaj Printoni

Dafen, një fshat pranë qytetit Shenzhen në juglindje të Kinës, filloi të njihet nga bota e jashtme që nga vitet '90 të shekullit të kaluar për shkak të kopjimit të pikturave të njohura në vaj. Para zbatimit të politikës së "Reformës dhe Hapjes" në fund të viteve '70 të shekullit të kaluar, 300 banorë e këtij fshati jetonin kryesisht me bujqësi. Të ardhurat vjetore për frymë ishin rreth 30 dollarë në vit.

Në vitet '80 pasi pjesa kontinentale e Kinës filloi të hapej ndaj botës, Huang Jiang një piktor hongkongas udhëtoi rastësisht në Dafen. I tërhequr nga qiraja e ulët dhe dashamirësia e fshatarëve, ai mori me qira një banesë dhe nisi këtu biznesin e pikturave.

Nën ndikimin e tij, Dafen-i pas zhvillimit 30 vjeçar, është kthyer tani vatrën e 8000 piktorëve dhe mbi 1200 galerive. Çdo vit, piktorët dhe punëtorët prodhojnë mbi 1 milion kopje të veprave të mjeshtrave europianë si Van Gogh, Salvadod Dali dhe Lonardo da Vinçi me një vlerë prej 4 miliardë juanësh (rreth 600 milionë dollarë).

"Mirëpo, bashkë me famën, erdhi dhe përbuzja sepse në sytë e klientëve dhe artistëve, Dafen-i është një qendër prodhimi ku përqendrohen njerëzit që nuk kanë nivel artistik dhe dinë vetëm të kopjojnë pikturat origjinale," thotë Yu Sheng, zv./presidenti i Shoqatës së Industrisë së Arteve Figurative të Dafen-it.

Ndërkohë, ndryshimet ndodhën edhe në kërkesat e tregut. Në të kaluarën, mbi 80% e produkteve vendore eksportoheshin jashtë vendit drejt Europës dhe ShBA-së. Pas krizës financiare globale që filloi nga viti 2008, eksporti i Dafen-it pati rënie dramatike. Mijëra galeri vendore kanë zhvendosur fokusin e tyre te tregu i brendshëm dhe gjatë zhvillimit shumëvjeçar, banorët e Dafen-it kuptuan më mirë rëndësinë e produkteve origjinale dhe të të drejtës së autorit.

Në të kaluarën, familjet kineze dekoronin muret e shtëpive me letra të prera ose piktura me figurat tradicionale si peshq, foshnja ose lule që simbolizojnë lumturi, fat të mirë dhe pasuri në prag të Vitit të Ri. Por, tani, këto tradita janë venitur sepse qytetarët kanë më shumë dëshirë për piktura në vaj.

Prandaj, kërkesat nga tregu i brendshëm i kaluan ato nga jashtë në vitin 2012. Vitin e kaluar, vlera e prodhimit të këtij fshati nga piktura arriti në rreth 602 milionë dollarë amerikanë dhe afro 70% e mallit iu shit klientëve kinezë.

Siç mësohet, klientëve kinezë u pëlqejnë më shumë motivet abstrakte dhe impresioniste perëndimore të shekullit 19-të dhe të fillimit të shekullit 20-të. Ndërkohë vetëm tani, pikturat e arteve moderne të piktorëve të njohur kinezë po mirëpriten nga gjithnjë e më shumë kinezë.

Z. Zhao Xiaoyong, ka pikturuar mbi 100 mijë kopje të pikturave të Van Gogh-ut. Ai, duke vlerësuar rritjen e kërkesave të brendshme, vuri në dukje gjithashtu se produktet origjinale duhet të jenë e ardhmja e zhvillimit të vazhdueshëm të industrisë kineze së arteve. "Kam pikturuar për mbi 20 vjet, por kopjet e pikturave nuk mund të shiten më me një çmim të lartë. Kurse, blerja e të drejtave të autorit ka kosto shumë të lartë", tha Zhao.

Qëndrimin e tij e mbështet dhe z. Wu Ruiqiu, ish-president i Shoqatës së Industrisë së Arteve Figurative të Dafen-it .

"Në të kaluarën, fokusoheshim te kërkesat e klientëve të huaj. Pikurat ishin ato të artistëve perëndimorë, ndërsa të drejtat e autorit ishin të pavlefshme. Por tani, piktorët janë më të kujdesshëm për veprat kineze dhe përpiqen të shmangin problemet me të drejtat e pronësisë intelektuale", tha ai.

Në vitin 2006, kompania e zotit Wu u detyrua t'i kompensonte një piktori kinez vlerën e mijëra kopjeve të prodhuara pa autorizim që u shitën në Europë. Sipas tij, tani të gjitha punishtet e Dafen-it janë mësuar të verifikojnë të drejtën e autorit para lidhjes së kontratës.

Nga ana tjetër, konkurrenca po ashpërsohet. Në shumë qytete bregdetare të Kinës si Yuwu, Xiamen etj., po krijohen zonat e artit si në Dafen. Ndërsa, në Azinë Juglindore, shumë fshatra kanë filluar biznesin e kopjimit të pikturave. Me çmime më të ulëta, këto fshatra po tërheqin gjithnjë e më shumë klientë perëndimorë.

Pavarësisht një situate të tillë, zv./presidenti i Shoqatës, Yu Sheng u shpreh i bindur për të ardhmen e fshatit.

"Po ambientohemi me ndryshimet në treg. Artistët tanë po përpiqen të prodhojnë më shumë vepra origjinale dhe unike. Ndërkohë, po i kushtojmë më shumë vëmendje përgatitjes së artistëve të shkëlqyer", tha Yu.

Qeveria lokale ka marrë edhe masa për të mbështetur përpjekjet e Dafen-it. Autoritetet po sponsorizojnë disa artistë të marrin pjesë në ekspozita jashtë vendit, konkurse pikture brenda e jashtë vendit si dhe i nxit të zhvillojnë aktivitete shkëmbimesh midis artistëve vendorë dhe piktorëve të njohur.

Në të kaluarën, piktorët nga Dafen-i rrallë fitonin çmime e as anëtarësoheshin në shoqata artistësh. Por tani, ata po fitojnë çmime në shumicën e konkurseve që zhvillohen në provincën Guangdong. Mbi 20 piktorë nga Dafen-i janë përfshirë në Shoqatën e Artistëve Kinezë (CAA).

Kjo shoqatë është e vetmja organizatë e nivelit kombëtar të arteve figurative në Kinë që i nderon piktorët që kanë prirje të dalluar artistike. Pas themelimit në vitin 1949, deri tani ka dekoruar 15 500 artistë.

Z. Wu Ruiqiu ka udhëtuar disa herë me piktorët e fshatit në ekspozitat e organizuara në ShBA dhe Korenë e Jugut, duke vëzhguar edhe përparimet dhe ndryshimet e këtij sektori. Ai u shpreh se në të kaluarën, piktorët e Dafen-it kanë dhënë kontribut për përhapjen e arteve figurative nëpërmjet kopjimit, por në të ardhmen ai shpreson se Dafen-i do të mund të bëhet qendër artistike aziatike dhe botërore nëpërmjet tërheqjes së më shumë talenteve.

Mrekulli
Lajmet Kryesore