"Pretendimet e një vajze kineze"

2017-07-24 10:13:52 xinhua Komenti juaj Printoni

Çdo shoqëri ka të veçantat e saj, por dhe të përbashkëtat me shoqëri të tjera, pavarësisht cilit vend i përkasin ato. Nëse do të krahasojmë prirjet e reja në marrëdhëniet në çift mes kinezëve dhe shqiptarëve, me siguri do të gjejmë të përbashkëta, por dhe dallime.

Jeta në Kinë të njeh me këto prirje, të cilat i has kudo në jetën e përditëshme. Ndonëse është vendi me popullsinë më të madhe në botë edhe në Kinë ka prirje përgjithësuese shoqërore. Mjafton të ndalemi te sjelljet e çifteve të reja, të dashuruar, fejuar apo të martuar.

Djemtë kinezë mbajnë çantat e të dashurave

Ajo që të bie menjëherë në sy në Kinë, është se djemtë shpesh mbajnë çantat e vajzave. Ndonëse një djalë mban çantën e vet, në disa raste dhe të rëndë, ai mban në sup edhe çantën e të fejuarës, të dashurës, apo gruas së tij. Konsiderohet si një gjest xhentilese nga ana e mashkullit. Madje në shumicën e rasteve çanta që vajza nuk e mban dot është fare e vogëë, ngjyrë rozë, me gurë zbukurues apo fjongo, por djali nuk do tja dijë fare nga vështrimet e të tjerëve. Mjafton që e dashura e tij të ndjehet mire.

Deri tani nuk e kemi hasur këtë zakon te të rinjtë shqiptarë. Sigurisht ata mund të mbajnë një çantë të rëndë, që e dashura e tij e ka me vete, thjesht për ta ndihmuar atë. Por përjashtohet rasti që djali të mbajë një çantë femrash, ndërsa vajza të luajë me celularin.

Sa më shumë mesazhe, aq më shumë dashuri

Të rinjtë kinezë të dashuruar ashtu si në të gjithë botën komunikojnë mes tyre nëpërmjet celularit, duke shkëmbyer mesazhe me tekst, me zë apo me video. Vajzat kineze kanë një normë për këtë. Ato pretendojnë që djemtë tu telefonojnë apo dërgojnë mesazhe të paktën 3 herë në ditë, përndryshe ato zemërohen. Sipas tyre sa më shpesh të komunikojë çifti gjatë ditës, aq më shumë dashuri ndajnë mes tyre.

Besoj se një pretendim të tillë e kanë dhe vajzat shqiptare.

 

Rri më shumë me mua dhe më pak me shokët!

Djemtë pëlqejnë takimet me shokët për të pare një ndeshje sporti, për të luajtur ndonjë lloj sporti, për të pirë së bashku. Por kur ata janë "të lidhur" këto takime sikur rallohen dhe shkak për këtë është jeta në çift. Por sipas sondazheve vajzat kineze nuk e pëlqejnë shumë këtë prirje të djemve, ndaj shpesh u thonë se nuk u pëlqejnë shokët e tyre. Motivi i vërtetë i kësaj është se ato dëshirojnë që të dashurit e tyre të shpenzojnë më shumë kohë pranë tyre. Duhet thënë se edhe vajzat shqiptare e përballin këtë problem shpesh me të dashurit e tyre. Madje kjo mund të jetë një ankesë mbarëbotërore e vajzave, pa dallim vendi.

Mos u vish kështu!

Vajzat e reja kineze e ndjekin shumë modën. Atyre u pëlqen të kenë stilin e tyre të veshjes, krehjes, make upit dhe të dallohen për këtë. Në përgjithësi djemtë kinezë nuk janë shumë të dhënë pas dukjes së jashtme. Pikërisht kjo kontradiktë krijon problem në marrëdhëniet në çift. Vajzat ka raste kur i urdhërojnë djemtë se si të vishen, duke u imponuar atë që u pëlqen atyre. Madje sipas djemve ato as nuk i pyesin, nëse u pëlqen ai stil veshjeje apo krehjeje që ato u sugjerojnë. Thjesht vajzat e shndërrojnë djalin e zemrës në modelin e tyre dhe vendosin për të.

Edhe kjo prirje duket si globale, pra edhe në Shqipëri ka shumë çifte që përballen me situata të tilla. Me fat janë djemtë që e adhurojnë stilin e propozuar nga të dashurat e tyre dhe sa keq për djemtë që bëjnë kompromis vetëm për të kënaqur të dashurat.

Dalim për shopping ?

Vajzat janë më të lidhura me blerjet se sa djemtë. Kudo në botë nëpër qendra tregtare vihet re mbizotërimi i femrave. Kjo ndodh dhe në Kinë.

Por vajzat nuk mërziten kurrë duke blerë. Madje ato preferojnë që partneri i tyre ti shoqërojë gjatë blerjes, ose të paktën të qëndrojë në barin e qendrës tregtare, duke e pritur. Djemtë nuk e pëlqejnë shumë këtë variant. Në një qendër tregtare të Kinës para pak vitesh kishin krijuar dhe një salon të posaçëm për meshkujt që prisnin të dashurat apo bashkëshortet, ndërsa këto të fundit blinin.

E njejta panorama ndodh dhe në Shqipëri.Përveç kësaj një tjetër e përbashkët e vajzave kineze me ato shqiptare, por dhe vajzave kudo në botë është qe djali të paguajë shpenzimet e saj. Do ta bënte vërtet të lumtur. (Eda Merepeza)

Mrekulli
Lajmet Kryesore