Kina, internacionaliste apo udhëheqëse?

2017-07-18 14:17:50 xinhua Komenti juaj Printoni

Kur ShBA-ja u duk se po hiqte dora nga roli i saj udhëheqës i botës, lindi pyetja: A duhet ta zëvendësojë Kina? Përgjigja e shumë kinezë ishte e vendosur: "Jo".

Në janarin e këtij vitit, presidenti amerikan Donald Trump shpalli tërheqjen zyrtare nga marrëveshja e tregtisë së lirë e Trans Paqësorit (TPP), në të cilën përfshihen 12 vende të lagura me Oqeani Paqësor. Marrëveshja parashikon uljen apo eliminimin e tarifave doganore dhe nxitjen e tregtisë ndërkombëtare.

Në qershor, Trumpi deklaroi se ShBA-ja, vendi i dytë më i madh botëror që lëshon gaze serrë, do të largohej nga Marrëveshja e Parisit për ndryshimin e klimës.

Përkundër këtyre zhvillimeve, homologu i tij kinez, Xi Jinping, në shumë veprimtari ndërkombëtare, si Forumin Ekonomik të Davosit, Samitin e G20-së, Forumin "Një brez, një rrugë" etj., ka mbrojtur globalizimin, duke kundërshtuar proteksionizmin.

Veprimet e tij kanë fituar mbështetje dhe kanë ngritur besimin e tregut global. Kina premtoi njëkohësisht se do të vazhdojë të zbatojë Marrëveshjen e Parisit për të luftuar bashkërisht me bashkësinë ndërkombëtare kundër ndryshimit klimatik.

Lidhur me shtimin e prezencës së Kinës në arenën ndërkombëtare, janë intensifikuar edhe debatet nëse Kina duhet të luajë rolin udhëheqës të botës.

Po të kërkosh "China" në Google, artikujt që paraqiten së pari përfshijnë atë të "The Guardian": "Ambicia ushtarake globale e Pekinit po fryhet me synim kundërshtimin e ShBA-së" dhe artikulli i "Bloomberg"-u: "Kina dhe Gjermania afrohen kur ShBA-ja largohet nga udhëheqja e botës".

Në variantin kinez të gazetës britanike "Financial Times", u botua së fundi një artikull me titull: "Kina duhet të mbushë aktivisht boshllëkun e lënë nga ShBA-ja". Sipas autorit Li Woteng (pseudonim), Kina duhet të marrë pjesë aktivisht në më shumë çështje ndërkombëtare në vendin ku ka qenë më parë Amerika, për të luajtur si duhet rolin e udhëheqësit global.

Por, përdoruesve kinezë të internetit nuk u pëlqen ideja që vendi i tyre të drejtojë botën. Qëndrime të tilla priten me kundërshtime.

"Kina mezi mbron interesat e veta kombëtare. Si ka mundësi të ndajmë më shumë energji duke udhëhequr të tjerët? Deri tani, ende nuk jemi në gjendje të marrim kontrollin e Detit të Kinës Jugore e as të Tajvanit! Prandaj, duhet të përqendrohemi për zhvillimin në radhë të parë", shkruan përdoruesi Chaiye (pseudonim).

Disa njerëz bile argumentojnë se mendimi perëndimor që nxit Kinën të veprojë si udhëheqëse, fsheh arsye të tjera:

"Qëndrimet e tilla janë mjaft dyshuese sepse synojnë ta bëjnë Kinën mendjemadhe. Kurse ne, duhet të jemi mendjekthjellët para qëndrimeve të tilla", shkruan një tjetër përdorues i internetit.

Liu Weidong, anëtar i Institutit të Studimeve Amerikane pranë Akademisë së Shkencave Shoqërore të Kinës i tha "Global Times-it" se në historinë e lashtë, Kina ka qenë vendi më i fuqishëm në botë. Por për momentin, ajo nuk ka aftësi e as prirje të bëhet 'udhëheqëse'.

"Kina nuk është udhëheqëse e botës. Zhvillimi është detyra e parë. Nëse vendet e tjera duan të thonë kështu, le ta thonë. Ne nuk duhet të luajmë mendsh prej këtyre qëndrimeve. Fjalët e tilla do të shkaktojnë vetëm mospëlqimin e ShBA-së dhe krijojnë telashe, të cilat mund të shfrytëzohen si pretekste për të frenuar Kinën," tha z. Liu.

Sivjet, një lajm mbi organizatat kineze joqeveritare që shpërndanë dreka falas në Afrikë u bë fokusi i diskutimeve. Disa njerëz pyetën në internet: "Kemi edhe shumë fëmijë në zonat rurale që po vuajnë nga uria, pse nuk i ndihmoni ata?"

Për këtë, z. Sun Chenghao, studiues i Institutit të Marrëdhënieve Bashkëkohore Ndërkombëtare të Kinës tha se reagimi i tillë është i kuptueshëm sepse Kina është ende një vend në zhvillim dhe ka shumë probleme që duhet të zgjidhen; siç është ndotja e ajrit, varfëria dhe pabarazia midis krahinave të ndryshme.

Megjithatë, sipas tij, Kina ka përfituar nga globalizimi dhe duhet të mbajë përgjegjësinë vet si dhe vendet e tjera të bashkësisë ndërkombëtare.

"Por, "udhëheqësi i botës" është një koncept i madh që mbulon fusha të gjera. Nëse ajo ka të bëjë me hegjemoninë dhe rolin që luan tani ShBA-ja, Kina nuk ka nevojë për të," shtoi ai.

Z. Sun propozon që alternativa më e mirë për Kinën është të aktivizohet në disa fusha si luftë kundër ngrohjes globale, ndihma infrastrukturore ndaj vendeve në zhvillim, projektet e tjera që mund të sjellin leverdi reciproke sepse kjo mund të përmirësojë imazhin, duke realizuar edhe zhvillimin e përbashkët.

Mrekulli
Lajmet Kryesore