Oreksi kinez ndryshon botën

2017-07-03 16:57:51 xinhua Komenti juaj Printoni

Çfarë ju shkon ndërmend kur kujtoni Kinën?

Përveç Murit të Madh dhe Kungfu-së, mbase ushqimi mund të jetë një ndër përgjigjet e shumta. Në fakt, oreksi i popullsisë më të madhe në botë është bërë jo vetëm një ndër objektivat e biznesmenëve kinezë por edhe atyre të botës. Siç raportoi Quartz, një ndër uebsitet më të njohura për informacionet ekonomike, "paratë që kinezët shpenzojnë në restorante janë në shuma më të mëdha se GDP-ja e Suedisë".

Vitin e kaluar, kinezët shpenzuan afro 507 miliardë dollarë amerikanë në restorant, sipas të dhënave nga Meituan dhe Dianping, dy platformat më të mëdha kineze për shërbimet e porosisë dhe dërgimin e ushqimit nëpërmjet internetit. Kurse, GDP-ja vjetore e Suedisë ishte më pak se 500 miliardë dollarë amerikanë në të njëjtin vit.

Kur bota po bëhet gjithnjë e më globale, oreksi i konsumatorëve kinezë jo vetëm ka ndikim në tregun e brendshëm, por edhe ofron mundësi të jashtëzakonshme biznesi në nivel global.

Shembulli i fundit është "kriza e gocave të detit të Danimarkës". Në fund të prillit, ambasada daneze publikoi në llogarinë e saj zyrtare në rrjetin social kinez Sina Weibo një postim për "pushtimin e gocave të detit", një ushqim i parapëlqyer në Kinë, përgjatë vijës bregdetare të vendit.

Ky postim shkaktoi reagime entuziaste të përdoruesve kinezë të internetit, të cilët i propozuan popullit danez receta të shumëllojshme gatimi, madje shprehën dëshirë për të shkuar vetë në Danimarkë për ta zgjidhur problemin. Në përgjigje, ambasada daneze në Pekin mirëpriti turistët kinezë dhe premtoi se do të punonte për mundësinë e eksportimit të gocave të detit në Kinë.

Në fakt, kjo nuk është hera e parë që populli kinez ofron projekte në këtë drejtim. Dy vjet më parë në Gjermani, ata trajtuan një "krizë natyrore" në lumenjtë Elbe dhe Weser. Për shkak se gjermanët nuk i kanë shumë qejf gaforret, që rriten në ujëra të embla dhe i përdorin vetëm si ushqim për peshqit, numri i gaforrëve në ujërat e dy lumenjve kaloi kapacitetin e rritjes.

Por, ky problem u zgjidh lehtë nga kinezët, duke krijuar një mundësi të re biznesi. Gaforret pëlqehen nga kinezët dhe me të mësuar këtë, shtetasit kinezë që jetonin në Gjermani shkuan në vendngjarje për t'i blerë nga peshkatarët. Kërkesat u shtuan aq shumë sa që disa kompani vendëse peshkimi u përqëndrua te gaforret si një biznes i rëndësishëm. Madje disa kompani filluan të rrisnin gaforre, që më parë i konsideronin si "katastrofë natyrore".

Në Spanjë, oreksi i mirë i popullit kinez ka ndryshuar strukturën e industrisë bujqësore.

Në vitet 50' të shekullit të kaluar, fermerët e qytezës El Perello e siguronin jetesën me kultivimin e dy perimeve kryesore europiane, domate dhe patate. Mirëpo, jeta e tyre u vështirësua në dekadat e mëvonshme kur ekonomia pësoi krizë për shkak të zhvillimit teknologjik dhe konkurrencës së ashpër në treg.

Në vitin 1989, një banor me prejardhje kineze u sugjeroi fshatarëve të rrisnin zarzavate për restorantet dhe supermarketet kineze në Europë. Në sajë të kësaj nisme, qyteza spanjolle gjeti një rrugë të re zhvillimi. Tani, perimet vendore janë aq të populluara ndër lagjet kineze në Europë dhe shpesh rezervohen me porosi para se të piqen.

Ndërsa gaforret gjermane dhe perimet spanjolle

mbushin barkun e kinezëve, gjithnjë e më shumë vende po e zhvendosin fokusin drejt tregut gjigant të Kinës.

"Kina do të tejkalojë Kanadanë, duke u bërë tregu më i madh i eksportit të produkteve bujqësore amerikane në vitin 2017", thotë Tom Vilsack, ish-sekretar i Departamentit të Bujqësisë të ShBA-së.

Në të kaluarën, soja ishte produkti bujqësor kryesor që ShBA-ja i eksportonte Kinës. Por tani, frutat amerikane po përhapen dhe gjithnjë e më shumë fermerët në shtetet Delaware dhe Georgia po u shesin klientëve kinezë luleshtrydhe dhe pjeshka të freskëta.

Në të njëjtën kohë, frutat kiliane janë gjithnjë e më të pranishme në tregun kinez. 10 vjet më parë, frutat e eksportuara Kinës zinin vetëm 2% të vëllimit të përgjithshëm të eksportit të Kilit. Por, vitin e kaluar, kjo përqindje u ngrit në 25%. Sivjet, 85% e qershive kiliane shiten në Kinë.Përveç atyre kiliane, mbi 30% e qershive vijnë në Kinë nga Zelanda e Re.

Sipas mediave, për të kapur shansin e biznesit gjatë pushimit të festës më të rëndësishme kineze, Festës të Pranverës(Viti i Ri kinez), pronarët e parcelave frutore në Zelandën e Re marrin me qira helikopterë për të krijuar mjaft erë për pjekjen e shpejtë të qershive.

Siç mësohet, mbi tryezën e konsumatorëve kinezë, gjen gjithnjë e më shumë djathra holandezë, verëra europiane, salmon skocez, mish viçi australian dhe amerikan si dhe produkte të tjera të importuara. Bazuar në këtë prirje, vendet e Europës Qendrore e Lindore po eksplorojnë hapësirat në treg. Në supermarketet kineze, tani po shiten më shumë lëngje frutash nga Bullgaria, mollë nga Polonia, apo produktet qumështi nga Lituania. Për një shfrytëzim më të madh të mundësive të biznesit, u zhvillua mbledhja e parë e karantinës Kinë-EQL. Në mbledhje, përfaqësuesit kinezë dhe ata të 13 vendeve të EQL-së diskutuan për bashkëpunimin në karantinë, krijimin e përbashkët të sistemit të parandalimit e kontrollit të epidemive bimore dhe shtazore, ruajtjen e cilësisë së produkteve bujqësore etj.

Me arritjen e konsensusit për lehtësimin e procedurave të karantinës, mund të presim që më shumë artikuj ushqimorë nga Europa Qendrore e Lindore, duke përfshirë edhe Shqipërinë të futen në tregun kinez.

Mrekulli
Lajmet Kryesore