Modeli kinez në Norvegji dhe Brazil

2017-06-20 10:17:45 xinhua Komenti juaj Printoni

Kohët e fundit, një rezervat me teknologji të përparuar, për rritjen e peshqve në ujërat detare në qytetin Qingdao iu dorëzua klientit norvegjik nga kompania kineze për ndërtimin e anijeve "Wuchang"(WSIC). Kjo është "ferma" më e madhe në botë gjysmë-nëndetëse për peshkimin në det. Sipas specialistëve me këtë pajisje moderne, përdoruesit mund të kultivojnë peshq në ujërat detare jo vetëm pranë por dhe larg bregut, duke shtuar në mënyrë të dukshme përfitimet ekonomike.

Rezervati, 69 metra i gjatë, 110 metra i gjerë dhe me një peshë 7700 ton u përurua në qershor dhe k një sipërfaqe të barabartë me 5 fusha futbolli. Ndonëse në këtë sipërfaqe mund të kultivohen 1.5 milionë salmonë, kjo veprimtari kryhet nga vetëm 7 punonjës.

Sipas zv.kryeinxhinierit të WSIC-it, Yan Jun, ndërtimi i kësaj ferme peshkimi do të sjellë ndryshime të mëdha për peshkimin në det.

"Në shumë vende, duke përfshirë Kinën, peshkatarët janë mësuar të rrisin peshq në ujërat pranë bregut sepse mungojnë pajisjet për të përballuar sfidat në det të hapur. Por, tani me teknologjinë e re industriale, terreni mund të rezistojë edhe ndaj një tajfuni mbi 12 ballë, gjë që mund të ndryshojë krejt strukturën e industrisë së rritjes së peshqve në det", tha z. Yan.

Siç mësohet, gjatë studimit dhe krijimit të fermës së peshqve, janë përdorur teknika në fushat biologjike, inxhinierike, elektrike, kompjuterike, të inteligjencës etj., si dhe janë instaluar mbi 20 mijë mjete kërkuese, mbi 100 pajisje kontrolli dhe më shumë se 100 ndriçues me energji biologjike. Me ndihmën e teknologjisë moderne, tërë procesi i rritjes së peshqve është bërë më i thjeshtë dhe i kontrollueshëm me saktësi të lartë.

Përveç shfrytëzimit të përsosur të teknikave aktuale, studjuesit kinezë kanë kryer risi dhe shpikje. Për shembull, "dera rrotulluese" është një sistem i ri që mund të kryejë automatikisht veprimet si pastrim të rrjetit, largim të peshqve jashtë terrenit, kapje dhe mbledhje të peshqve të ngordhur, parandalim të parazitëve etj.

Kompania Salmar, blerëse e platformës vjen nga një ndër vendet më të përparuara në botë përsa i përket rritjes së produkteve detare. Të dhënat tregojnë se vëllimi i saj i prodhimit të salmonit zë afro 20% të tregut vendor, sa 1.2 miliardë dollarë amerikanë. Në vitin 2014, kompania Salmar hapi një tender ndaj prodhuesve botërorë për fermën inteligjente të peshqve dhe kompania kineze WSIC fitoi kontratën me epërsi të dalluar teknike ndaj kompanive të tjera pjesmarrëse në tender.

Në ceremoninë e dorëzimit të platformës të zhvilluar në qytetin bregdetar Qingdao të Kinës Lindore, ambasadori norvegjez Svein Ole Saether i tha Radios së Jashtme të Kinës se pala kineze ka shfaqur aftësi dhe nivel të lartë profesional në teknikë dhe menaxhim.

"Brenda një kohe të shkurtër, kompania kineze mbaroi prodhimin e kësaj pajisjeje detare, gjë që është shumë mbresëlënëse për mua. Norvegjia dhe Kina mund të plotësojnë interesat e ndërsjella në shumë fusha detare. Ky projekt është një shembull bashkëpunimi", tha z. Saether.

Me hyrjen e produkteve kineze në tregun europian, modeli kinez i biznesit të ri po përhapet dhe në vendet e Amerikës Jugore si Brazili.

Me zhvillimin e teknologjisë së informacionit sidomos në internet, modele të reja biznesi si tregtia elektronike, rezervimi i ushqimit online, pagesat nëpërmjet aplikacion në celular po lulëzojnë në Kinë, duke tërhequr vëmendjen e mbarë botës. Kompanitë kineze po kryejnë inovacion të vazhdueshëm, i cili po merret si shembull nga kompanitë homologe në vende të tjera.

Në qershor, platforma elektronike braziliane e shitjes Movile shpalli se pas përqasjes me modelin kinez, kjo kompani do të krijojë qendra të shpërndarjes në qytetet kryesore të vendit për të shpejtuar dërgesën e pakove. Ndërsa, disa kompani braziliane kanë filluar bashkëpunimin me partnerë kinezë, duke mposhtur konkurrentët vendorë.

Themeluesi i Movile-së, Andreas Blazoudakis ka vizituar shumë herë Kinën për të mësuar sekretin e suksesit të biznesit. Produkti i tyre "iFood" është platforma më e madhe e rezervimit të ushqimit online në Brazil. Para marrjes së përvojave kineze, klientët e iFood-it bënin porosi në internet dhe restorantet u përgjigjeshin për dërgim. Por, vizita në Kinë ndryshoi krejt konceptin origjinal të Andreasit.

"Kam punuar për 30 vjet në sektorin teknologjik. Por për herë të parë risitë nga Kina më ngjallën shumë interes. Mbaj mend befasinë time kur pashë dërguesit e ushqimeve që suleshin te një godinë për të marrë porositë. Në atë moment, ndërsa prisja autobusin në stacion, kuptova se nëse restorantet fokusohen vetëm në trajtimin e porosive online, ndërsa dërguesit shpërndahen për të kryer dërgimin e porosive, kjo do të rritë shumë efektivitetin tonë", tha drejtuesi i Movile-së, Blazoudakis.

Uebsiti Peixe Urbano ka shfrytëzuar më herët modelin kinez. Pasi u ble nga gjiganti kinez i teknologjisë së informacionit Baidu, menaxherët e tij filluan të mësonin nga përvoja e kolegëve kinezë. Kryeekzekutivi i tij Alex Tabor u shpreh se pas prezantimit të modelit dhe teknikave kineze, vëllimi i shitjeve të tyre është dyfishuar, duke zënë 3/4 e tregut brazilian.

Tani, po të futesh në Peixe Urbano, nuk do të gjesh ndryshim të madh nga uebsitet kineze, ku ofrohen produkte të fushës ushqimore, kinematografike, turistike etj. Ndërsa, zgjerimi i veprimtarisë është koncepti i parë që ata mësuan nga Kina.

"Në të kaluarën, fokusoheshim vetëm te restorantet që do të hapeshin dhe kishin nevojë për marketing dhe provomim. Tani, kemi hapur shumë kanale të reja si sektorët argëtues, hotele etj. Kjo është veprimtari e zakonshme e uebsitit kinez të shitjes me kupon", tha z. Tabor.

Ndërkohë, metodat e tjera të promovimit dhe reklamimit të palës kineze janë shfrytëzuar edhe në Peixe Urbano. Janë përgjysmuar shpenzimet e firmave për uebsitin dhe mesazhet e uljes së çmimeve u dërgohen përdoruesve të celularit. Megjithëse është rritur kostoja, fitimet e tyre nuk kanë rënë sepse është rritur prania e tyre në treg. "Kështu që uebsiti ynë, firmat që ofrojnë produkte dhe konsumatorët, të gjithë fitojnë. Ky është modeli kinez", tha z. Tabor.

Mrekulli
Lajmet Kryesore