"Sharing Economy" ndryshon jetën e kinezëve

2017-06-12 09:27:37 xinhua Komenti juaj Printoni

Çfarë do të bësh ti nëse gjatë një shëtitje, të bie bateria e celurarit dhe nis një shi i rrëmbyer ? A do të ndërpresësh shëtitjen për të hyrë në një strehë? Përgjigja e kinezëve nga disa metropole të vendit ishte marrja e karikuesve të celularit ose e çadrave me qira nëpërmjet aplikacionit të celularit.

"Sharing Economy" ose ekonomia e ndarjes nuk është e panjohur për publikun kinez. Përfaqësuesi më i thjeshtë I këtij koncepti janë biçikletat, që gjenden tashmë lehtë në metropolet e Kinës. Me skanimin e kodit, mund të përdorësh biçikletën, nëpërmjet përllogaritjes, sipas kohës së përdorimit dhe pasi e parkon, biçikleta është e lirë për t'u ndarë me të tjerët. Risia e kësaj forme të re ekonomike është ndarje e pronësisë me të drejtë përdorimi. Fare thjesht mund të përdorësh diçka, pa e zotëruar ose pa e blerë.

Tani, koncepti i ndarjes së biçikletave po shfrytëzohet edhe në gjëra të tjera të jetës së përditshme.

Sipas njoftimeve mediake, një aplikacion celular për ndarjen e karikuesve fitoi 175 milionë dollarë amerikanë fonde ndihme nga 35 institucione financiare vetëm brenda 40 ditësh. Ndërsa, përveç karikuesve, një projekt i ndarjes së çadrave fitoi mbi 1.45 milionë dollarë amerikanë investim. Ekonomia e ndarjes është bërë një ndër sektorët e rinj të investimeve.

Sa i madh është tregu i "ekonomisë së ndarjes" në Kinë?

Sipas një raporti të publikuar kohët e fundit nga Qendra Studimore e Ekonomisë Elektronike, përmasa e këtij tregu arriti 3.9 trilionë juanë(569 miliardë dollarë amerikanë) në vitin 2016, me një rritje vjetore prej 76.4%. Parashikohet që me 40% rritje në vit, vëllimi i tregtimit të "ekonomisë së ndarjes" të zërë mbi 10% të GDP-së së përgjithshme të Kinës në vitin 2020.

Një investitor për aplikacionet e ndarjes së pajisjeve të vogla elektro-shtëpiake i tha agjencisë kineze të lajmeve Xinhua se thelbi i diferencës së "ekonomisë së ndarjes" me format e tjera ekonomike qëndron te zgjerimi i sferës së dhënies me qira të së drejtës së përdorimit. Kjo formë bë të kaluarën njihej përsa i përket ndarjes së banesës, makinës, por qiraja ishte e lartë. Ndërsa tani, nëpërmjet teknologjisë së informacionit, pothuajse çdo gjë, e vogël apoe madhe mund të ndahet me qira, nëse pronarët e kanë të lirë.

"Zotërimi i një sendi, përveç parave, harxhon kohë dhe energji për mirëmbajtje, riparime etj. Për këtë arësye përdorimi i përkohshëm me kosto të ulët është më me leverdi ekonomike. Njerëzit sidomos të rinjtë do të kenë më shumë interes për të marrë pjesë në këtë formë të re ekonomike", kështu e shpjegon sekretin e biznesit një investitor anonim.

Mirëpritja e konsumatorëve ndaj këtyre formave të qiradhënies vërteton opinionet e investitorëve. Tani, ekonomia e ndarjes po zgjerohet në fusha më të gjera me tendenca të reja, duke ndryshuar jetën e qytetarëve.

Së pari, ndarja po kryhet në gjëra të vogla.

Ja një shembull domethënës. Në krahinat jugore të Kinës bie shpesh shi. Ndaj banorët e kësaj zone marrin çadër me vete pothuajse gjatë gjithë kohës. Ndërsa tani në ristorante apo qendra tregtare ofrohen çadra për ndarje. Pasi skanojnë kodin, klientët mund të përdorin çadrat kur hasin reshje të papritura shiu. Por një process i ngjashëm ndodh dhe me sende të tjera të përdorshme në jetën e përditëshme, si karikuesi i celularit etj.

Së dyti, shpenzimet po pakësohen.

Kostoja e përdorimit të produkteve për ndarje po ulet. Për përdorimin e biçikletave, disa kompani kërkojnë parapagim si garanci në llogarinë e aplikacionit. Por për gjëra të tjera, kjo kosto është shumë më e ulët, madje dhe depozita për garanci mund të shkojë në zero. Për shembull, me një aplikacion për ndarjen e basketbollit, përdoruesit mund të luajnë një basketboll për dy juanë( 0.29$) në orë por mund të hiqet fare garancia prej 30 juanësh (4.4$).

Së treti, gjërat që ofrohen me ndarje po prekin fusha private.

Përveç sendeve të përditshme, njerëzit po ndajnë edhe gjëra "të padukshme" si njohuri, përvoja etj. Me fjalë të tjera ekonomia e ndarjes po zgjerohet nga sendet material deri te shërbimet. Një shembull për këtë janë disa uebsite dhe aplikacione që nxjerrin në treg shërbimin e ndarjes së njohurive ose përgjigjes së pyetjeve me pagesë. Pas pagesës së një shume të vogël, përdoruesit kanë mundësi të përvetësojnë eksperiencat e larmishme të të tjerëve në një fushë që nuk dinë.

Sipas gjigantit amerikan të informacionit Bloomberg, Kina po udhëheq të ardhmen botërore të ekonomisë së ndarjes. Në një analizë të Bloombergut ka tre arsye kryesore që lidhen me këtë dukuri.

Së pari është struktura demografike. Brezi i ri kinez ka përjetuar lulëzimin e ekonomisë elektronike dhe ata priren të provojnë gjëra të tjera. Kurse, kinezët e moshuar duke patur një natyrë kursimtare e pranojnë ekonominë e ndarjes, për të parandaluar shpenzimet e panevojshme.

Së dyti, ndryshimi i shpejtë i modës së konsumit. Kinezët e shtresës së mesme pëlqejnë produktet cilësore dhe të shtrenjta. Meqë produktet e përditshme konsumohen shpejt, ata tentojnë të blejnë artikuj cilësorë me kursimet e përfituara nga ndarja e gjërave të tjera.

Së treti është përhapje e gjerë e pagesave online me aplikacionin celular. Shumë konsumatorë kinezë praktikojnë pagesat online me celular nëpërmjet skanimit të kodit.

Ekonomia kineze e ndarjes ka filluar të zbatohet jashtë vendit. Sipas të dhënave, biçikletat publike për ndarje të kompanisë kineze "Ofo" tani mund të gjenden në 4 vende të botës. Sipas themeluesit dhe kryeekzekutivit Dai Wei, në Singapor, Londër, Nju Jork, Boston dhe kampuset e Universitetit të Harvardit, përdoruesit e Ofo-s mund të gjejnë lehtë biçikleta për përdorim.

Analistët vënë në dukje se tani në botë ka miliona biçikleta të lira, që nuk lidhen me internet. Forma ekonomike e ndarjes së biçikletave ka mjaft mundësi zhvillimi në tregun botëror.

Mrekulli
Lajmet Kryesore