China Railway Express, lidh Kinën dhe Europën

2017-05-15 18:59:00 CRI Komenti juaj Printoni

Trenat e linjës hekurudhore China Railway Express që nisën të funksionojnë para 6 vjetësh, tani janë të njohura në qarqet e logjistikës ndërkombëtare. Muajin e kaluar, Kina, Bjellorusia, Gjermania, Kazakistani, Mongolia, Polonia dhe Rusia nënshkruan "Marrëveshjen mbi thellimin e bashkëpunimit", duke synuar rritjen e transportit hekurudhor ndërlidhës dhe nxitjen e zhvillimit ekonomik, përgjatë kësaj linje që lidh Kinën me Europën. Qysh nga viti 2011, China Railway Express jo vetëm ka shkurtuar kohën e transportimit të mallrave, si dhe ka rritur efikasitetin tregtar Kinë-Europë, por ka nxitur zhvillimin e qyteteve, të përfshira në të. Për këtë flitet më hollësisht në raportin e gazetares së Radios së Jashtme të Kinës (CRI), Li Lin nga qyteti Chengdu të Kinës Jugperëndimore.

Një tren i ngarkuar me laptopë, kompjutera, pajisje elektro-shtëpiake, pjesë këmbimi mekanike dhe prodhime të tjera kineze u nis nga stacioni ndërkombëtar hekurudhor i Chengdu-së. Pas 14 ditësh, ai do të mbërrijë në Lodz të Polonisë. Treni me numër X8086 në një periudhë 6 vjeçare ka kryer 1700 udhëtime midis Kinës dhe vendeve europiane, nëpërmjet linjës "China Railway Express".

"China Railway Express" është rrjeti i linjave hekurudhore ndërkombëtare, që lidh Kinën dhe Europën përgjatë nismës "Një brez, një rrugë" për transportin e mallrave. Në vitin 2013, u hap linja hekurudhore midis qytetit Chengdu dhe Lodzit të Polonisë dhe deri në mesin e prillit të sivjetshëm, trenat e nisura nga Chengdu kanë kryer rreth 559 udhëtime.

Me shpeshtimin e udhëtimeve është shtuar dhe gama e artikujve që transportohen midis Kinës dhe Europës, në linjë hekurudhore. Tani, jo vetëm produktet elektronike, por edhe lulet kineze kërkohen nga konsumatorët europianë. Gao Yunfei është një sipërmarrës kinez që merret me mbjelljen dhe shitjen e luleve dhe fidaneve. Ai tregon se në të kaluarën, produktet e kopshtit të tij eksportoheshin në Hollandë me rrugë detare. Por tani, trenat ekspres kanë kursyer shumë kohë, duke dhënë garanci të lartë për cilësinë e luleve, kur arrijnë te klientët e tij europianë.

"Produktet e firmës sime nisen nga Chengdu me tren dhe udhëtimi për në Europë zgjat vetëm 15 ditë. Më parë ky udhëtim zgjaste 35 ditë, ndaj tani kursejmë shumë kohë", thotë sipërmarësi kinez Gao.

Për të ruajtur freskinë e produkteve bujqësore, trenat e "China Railway Express" kanë edhe vagona to pajisur me sistem ftohës, ku pronarët mund të kontrollojnë në distancë temperaturën dhe dendësinë e oksigjenit nëpërmjet kompjuterit ose aplikacionit në celular.

Në të njëjtën kohë, mallrat europiane mbërrijnë pandërprerë në Chengdu. Sipas Liu Zhongjie, menaxher i kompanisë logjistike CIPO, vitin e kaluar automjetet gjermane mbërritën për herë të parë në doganën e Chengdu-së, duke i dhënë fund transportit të mëparshëm tranzit nëpërmjet qyteteve Tianjin dhe Shangai.

"Çmimi i makinave europiane është ulur, për shkak të uljes së kostos. Tani, automjetet e importuara nga Europa mund të shiten me të njëjtin çmim në çdo qytet të Kinës ", shtoi Liu.

Sipas tij, që nga viti i kaluar, mbi 200 automjete të markave Land Rover, Bentley dhe BMW janë importuar në Chengdu nëpërmjet linjës "China Railway Express". Parashikohet që kjo shifër të arrijë në 2000. Avantazhet e transportit kanë ndikuar pozitivisht në pozitën e këtij qyteti në rrjetin logjistik të automjeteve të vendit.

Në vitin 2016 u zhvillua për herë të parë në Chengdu takimi shtetëror i sektorit logjistik të automjeteve. Linja "China Railway Express" e ka shndërruar qytetin jugperëndimor të Kinës, Chengdu në një ndër nyjat kryesore hekurudhore dhe pikë doganore ndërkombëtare. Për këtë arsye, qendra të tjera ekonomike të vendit krijuan linja hekurudhore për importimin e mallarve me Chengdu-në.

Një ndryshim i tillë ka ndodhur dhe në anën tjetër të linjës hekurudhore, në qytetin polak Lodz. Vetëm vitin e kaluar nëpërmjet kësaj linje hekurudhore u transportuan në Kinë 500 tonë qumësht pluhur polak, ndërsa gjatë tërë vitit u transportuan 600 kontenierë me produkte qumështi me një vlerë prej 10 milionë eurosh. Si një ndër qendrat e vjetra industriale të Polonisë, zhvillimi i Lodz-it ishte përballur me vështirësi të mëdha, por tani falë bashkëpunimit hekurudhor me Kinën, qeveria polake ka vendosur ta shndërrojë Lodzin në një nyjë të rëndësishme tranporti, çka që do të krijojë qindra vende pune për banorë t vendës.

Sipas planit, përveç linjës qendrore drejt Lodzit, Chengdu ka hapur këtë mars linjën veriore me Bjellorusinë. Kurse, linja jugore drejt Stambollit do të nisë funksionim brenda këtij viti. Zv.drejtori i tranportit të mallrave i Drejtorisë së Hekurudhës të Chengdu-së, Ye Song tha se po shtohet vëllimi i transportit.

"Krahas përmirësimit të vazhdueshëm të linjës hekurudhore, trenat ekspres janë shpeshtuar nga një herë një javë, në tre herë në javë e deri në dy herë në ditë. Njëkohësisht është shtuar vëllimi i transportit dhe cilësia e shërbimit", tha Ye.

Përveç qytetit Chengdu, 27 qytete të tjera të Kinës kanë hapur linjat ekspres Kinë-Europë, duke u lidhur me 28 qytete të 11 vendeve europiane. Gjatë vitit 2016, janë kryer 1702 udhëtime në rreth 17 milionë km, distancë kjo e krahasueshme me qarkullim 424 herë rreth Tokës.

Mund të parashikohet që me zbatimin e mëtejshëm të nismës "Një brez, një rrugë", trenat ekspres mund të garantojnë ndërlidhjen Kinë-Europë, por dhe do të nxisin lulëzimin e qyteteve përgjatë linjës hekurudhore.

Mrekulli
Lajmet Kryesore