Kina, destinacion i ri për turizmin mjekësor

2017-04-24 16:03:07 xinhua Komenti juaj Printoni

Svetlana Shipetko dhe dy djemtë e saj të vegjël vijnë në ishullin tropikal të Kinës Jugore Hai'nan jo vetëm për t'iu larguar motit tepër të ftohtë në Siberi, por edhe për t'u mjekuar nga dhimbjet e vazhdueshme në kurriz. Në Irkutsk, Svetlana shpesh e ka trajtuar dhimbjen me mjekime, por efekti i tyre nuk vepron për një kohë të gjatë. Ajo mësoi nga miqtë se mjekësia tradicionale kineze mund të zbutë dhimbjet. Pas vizitës së parë në Kinë, Svetlana vjen tashmë çdo vit në Hainan.

Në vend të përdorimit të barnave, mjeku i saj kinez Tang Yi e trajton me fizioterapi. Çdo mëngjes, pas një trajtimi dy orësh në Spitalin e Mjekësisë Tradicionale Kineze të Sanya-së(një qytet bregdetar në provincën Hai'nan) , Svetlana bën banjo dielli në plazh.

"Kjo është e mrekullueshme! Pa ilaçe, pa injeksione dhe ndihem më mirë", i tha agjencisë kineze të lajmeve Xinhua kjo zonjë ruse.

Znj. Shipetko është një ndër mijëra rusë që vijnë çdo vit në Hai'nan. Kjo provincë ishullore ka pritur mbi 800 mijë turistë rusë, gjatë 7 viteve të fundit. 80% e tyre kanë provuar terapitë tradicionale mjekësore kineze, për mjekim ose për mirëmbajtjen e shëndetit.

Trajtimet tradicionale si akupunktura, baguan(hedhje kupash) etj., që duken të çuditëshme për perëndimorët,

bazohen mbi filozofinë kineze për funksionimin e trupit nga një këndvështrim i përgjithshëm. Hu Kaiwen është ekspert për mjekimin e tumorëve. Ai thotë se "Mjekësia perëndimore fokusohet mbi asgjësimin e qelizave tumorale, ose pjesëve të sëmura. Ndërsa mjekësia kineze i kushton vëmendje forcimit të shëndetit në përgjithësi. Të dyja mund të shfrytëzohen në faza të ndryshme" .

Vitet e fundit, megjithëse janë hapur shumë klinika kineze në botën perëndimore, sa vjen e shtohet numri i turistëve të huaj që vijnë në Kinë për mjekim, sepse në vendet e tyre mungojnë barnat e posaçme ose specialistët.

Turizmi mjekësor ndërkombëtar u bë në modë që nga mesi i shekullit të kaluar, kur europianë dhe amerikanë udhëtonin përtej detit për trajtime të sëmundjeve të ndryshme, apo të dhëmbëve. Më të frekuentuarat ishin vendet latino-amerikane si Brazili, por dhe Afrika e Jugut etj. Në kryeqytetin e Kosta Rikës, San Hose ende ka shumë klinika të specializuara që frekuentohen nga amerikanë, ku stafi mjekësor ofron shërbime profesionale të njohura në ShBA, me shpenzime 30-70% më të ulëta.

Krahas shtimit të kujdesit shëndetësor, përhapjes së aviacionit civil dhe internetit, turizmi mjekësor është bërë një industri, që lëvron miliarda dollarë në vit.

Ndërsa, sipas kompanisë amerikane "Pacientët jashtë kufirit"(Patients Beyond Borders), në vitin 2013, mbi 900 mijë shtetas amerikanë vajtën në Meksikë për të kryer operacione me synim rënien nga pesha, në Tajlandë për zëvendësimin e valvulës kardiake, ndërsa në Izrael për problemet riprodhuese. Vetëm në vitin 2016, numri i njerëzve që merrnin shërbime mjekësore në spitale apo klinika jashtë vendit ishte mbi 9.8 milionë në nivel botëror. Në kontinentin aziatik, Tajlanda, Malajzia, Singapori dhe Koreja e Jugut kanë tërhequr më shumë pacientë të huaj nga rajoni dhe bota.

Kryeekzekutivi i "Pacientëve jashtë kufirit", Josef Woodman u shpreh optimist për aftësinë konkurruese të Kinës në këtë drejtim. "Numri i turistëve mjekësorë po shtohet në Kinë. Besojmë se ky sektor do të rritet edhe më shumë për shkak të epërsisë së mjekësisë tradicionale dhe infrastrukturës shëndetësore në përmirësim të shpejtë", tha ai në një intervistë për Xinhua.

Në fakt, provinca Hai'nan nuk është e vetmja që parapëlqehet nga turistët e huaj për mjekim.

Në Rajonin Autonom të Singjian-Ujgurit të Kinës Veriperëndimore, shkojnë shumë qytetarë nga Rusia, Kazakistani dhe vende të tjera të Azisë Qendrore. Wu Yue, drejtor i Spitalit nr.6 pranë Universitetit të Mjekësisë të Xinjian-it u shpreh se për të përballuar kërkesat në rritje të pacientëve të huaj, po planifikohet ndërtimi i një qendre të re ortopedike.

Në nivel kombëtar, po hartohet një plan për ndërtimin e 10 zonave të turizmit mjekësor me përdorimin e mjekësisë tradicionale kineze, para vitit 2020. Ndërkohë, numri i qendrave mjekësore në Kinë, të akredituara nga Komisioni i Përbashkët Ndërkombëtar, organi më i madh në botë për njohjen e aftësisë profesionale mjekësore të njësive shëndetësore i kaloi 77 vitin e kaluar.

Kurse në Hai'nan, investitorët po përmirësojnë kushtet infrastrukturore për të thithur më shumë vizitorë. Një spital i madh që trajton sëmundjen e kancerit u hap vitin e kaluar me një investim prej 426 milionë dollarësh amerikanë. Spitali ka 1200 shtretër, pajisje të përparuara dhe mjedise komode. Duke qenë se provinca Hai'nan ka vetëm 9 milionë banorë, presidenti i bordit të spitalit Jiang Huicheng pohoi se spitali i tij synon tërheqjen e pacientëve nga krahina të tjera të vendit dhe Azia Jugperëndimore.

Mrekulli
Lajmet Kryesore