Show televiziv "Letrat e fundit"

2017-04-17 15:52:51 xinhua Komenti juaj Printoni

Në ditët e sotme pothuajse askush nuk shkruan më letra. Kujtojmë me nostalgji kohën kur trokiste dera e shtëpisë dhe postieri të sillte një zarf nga larg. Zhvillimi teknologjik dhe komunikimi nëpërmjet tij me telefonat celularë, rrjetet sociale, me zë apo figure, mesazhet e drejtpërdrejta sikur e kanë prishur magjinë e letrës, që vinte nga larg.

Një program televiziv në Kinë i kanalit satelitor të provincës Heilongjiang është ndërtuar në bazë të letrave, leximit të tyre në publik.

Programi titullohet "Letrat e fundit" dhe ka 12 episode në të cilat 11 aktorë të njohur kinezë të skenës dhe ekranit interpretojnë për teleshikuesit rreth 90 letra të njohura. E pra kaq i suksesshëm ka qenë ky program sa është ndjekur nga 200 milion vetë, si dhe nga auditori në studion televizive. Sigurisht që pjesa më e madhe e publikut e ka ndjekur programin në livestream.

Mbi 14 për qind e letrave të lexuara në programin televiziv janë të trishtuara, pasi autorët e tyre i kanë shkruar në prag të vdekjes dhe ua drejtojnë ato familjarëve.

Pjesa më e madhe e letrave janë shkruar nga të rinj revolucionarë komunistë apo ushtarë, pork a dhe letra të njerëzve të shquar që pasi kanë shkruar letrën e fundit kanë kryer vetëvrasje apo kanë qenë duke vuajtur nga sëmundje të rënda.

"Letrat e fundit " transmetohet në platformën më popullore të Kinës Douban.com.

Kjo audience kaq e madhe ka nxitur producentët e programit të kërkojnë më tej subjekte të ngjashme, tashmë të harruara në mënyrën tone të jetesës, por që ngjallin interes të madh në publik.

Stafi realizues dhe boom-i i letrave

Kryeredaktori i programit televiziv Zhang Zixuan thotë se para transmetimit të tij në redaksi kishin mbërritur online rreth 10 mijë letra, kryesisht me subjekte të trishtuara.

Ekipi realizues i programit i përzgjodhi letrat nga burimet online ose kopjet e letrave të shkruara dhe ndër të tjera zbuloi se oficerët apo ushtarët shkruanin letra për familjarët në prag të betejave të luftës. Disa prej këtyre janë letrat e fundit të tyre drejtuar kryesisht familjarëve.

Zhang thekson faktin se tradicionalisht kinezët e kanë shmangur subjektin e vdekjes, çka është e ndikuar nga filozofia konfucianiste. Vlerat e saj e orientojnë individin tek jeta dhe optimizmi për të jetuar.

Shumica e kinezëve nuk e mendojnë vdekjen, vetëm në raste të sëmundjeve të rënda dhe të pashërueshme mund të flasin për të, thekson kryeredaktori i programit televiziv "Letrat e fundit". Ai shton se në kohë lufte është regjistruar numri më i madh i letrave, shumica e të cilave ishin letra lamtumire.

"Luftëtarët urdhëroheshin tu shkruanin letrën e fundit familjeve të tyre. Të mbijetuarit në betejë shkruanin një tjetër letër në pritje të betejës së radhës, por gjithmonë duke besuar se ajo do të ishte letra e fundit", shpjegon Zhang.

Shumë prej letrave të programit janë shkruar gjatë mbrojtjes së qytetit Changsha, kryeqendër e provincës Hunan, në vitet 1939-1944 kur trupat kineze luftonin kundër pushtuesve japonezë. Gjatë kësaj beteje janë shkruar mbi 1500 letra, rrëfen kryeredaktori Zhang.

Për drejtorin e programit Guan Zhengwen, letrat nxjerrin në pah vlerat e popullit kinez. Ai flet për letrën e Yang Kaihui, bashkëshortes së kryetarit Mao Zedong,e cila u ekzekutua në vitin 1930, kur ishte 29 vjeç dhe refuzoi të hiqte dorë nga Mao dhe Partia Komuniste. Guan shton se Yang ishte atëkohë nënë e 3 fëmijëve dhe mund të imagjinohet lehtë letra e shkruar prej saj para ekzekutimit.

 

Një tjetër letër është ajo e 16 vjeçarit Xia, që vdiq i dënuar nga gjykata e dinastisë Ming, pasi zgjodhi të ishte besnik i edukimit dhe kulturës së trashëguar.

"Kur lexon letrën e tij nuk arrin dot ta besosh se si një adoleshent mund të ketë shkruar me qetësi një letër të tillë ndërsa ishte para ekzekutimit," thekson Guan.

Një tjetër letër që ka emocionuar publikun është ajo e tajvanezit Qiu Wenzhou, i cili i shkruan një letër të bijës 6 vjeçare, para se të vdiste nga kanceri.

Liu Yu, drejtor ekzekutiv i programit thotë se një letër shërbente si një ceremoni solemne lamtumire.

Sipas tij letra ishte një mënyrë me anë të së cilës shumë kinezë u tregonin fëmijëve dhe njerëzve të afërt se i donin shumë dhe u linin porositë e fundit para se të vdisnin.

 

Nëse hedhim një vështrim në historinë e Kinës dhe kulturën e saj të 2 mijë viteve të fundit mund të kuptojmë më mirë perspektivën kineze të jetës dhe vdekjes.

Yang Yu, profesore e letërsisë antike e Universitetit Qendror Jugor të Kinës si dhe një komentatore e njohur televiziv dhe e këtij programi shprehet se kinezët në përgjithësi e shohin vdekjen si një fund të pashmangshëm të jetës.

"Të ndikuar thellësisht nga filozofia e Konfucit, kinezët e përdorin besimin për ti rezistuar frikës së vdekjes, por dhe dëshirën për të përcjellë te të afërmit e tyre gjithçka që kanë në jetë", thotë profesoresha Yang.

Duke iu referuar filozofit të lashtë Zhuang Zi, i cili luajti një melodi me daulle duke kënduar kur i vdiq e shoqja, profesoresha Yang thotë se taoistët e konsiderojnë vdekjen si një process natyral, përmes të cilit shohin rikthimin në origjinën e jetës.

Ndërsa artisti nga Shangai Qiu Anxiong, thotë se filozofia taoiste i ka rrënjët në teoritë e filozofëve Lao Zi dhe Zhuang Zi që kanë jetuar para 2 mijë vjetësh. Ata e konsideronin jetën sit ë përjetëshme që ti bënin ndjekësit e tyre të pranonin vdekjen. (Eda Merepeza)

Mrekulli
Lajmet Kryesore