Kinë, bumi i beqarëve

2017-04-17 15:51:55 xinhua Komenti juaj Printoni

Sipas një raporti demografik të publikuar nga Byroja e Kombëtare e Statistikave, në Kinë ka aktualisht afro 170 milionë beqarë dhe meshkujt kinezë do të përballen me një konkurrencë të ashpër për martesë. Analistët vënë në dukje se kjo shkaktohet nga tre shkaqe kryesore dhe mund të shërbejnë si një mundësi biznesi për "shkuesit elektronikë".

Siç thuhet në vjetarin demografik kombëtar, numri i beqarëve kinezë të grupmoshës 20-59 vjeç në vitin 2014 arriti në 170 milionë, ndër të cilët, 104 milionë janë meshkuj dhe 70 milionë femra. Kjo do të thotë se afro 35 milionë meshkuj kinezë mund ta kenë të vështirë gjetjen e gjysmës së tyre më të mirë.

Si shpjegohet ky numër kaq i lartë i beqarëve në Kinë, një vend kur çmohet shumë vlera e familjes? Analistët e kompanisë "Southwest Securities" radhisin tre shkaqe të kësaj dukurie.

Së pari, është mosbalancimi gjinor i lindshmërisë. Kina është një ndër vendet e botës që ka probleme serioze me ekulibrin gjinor të lindjeve. Me një shumicë të popullsisë së vendit fshatare, djali si krah pune ose trashëgimtar i familjes, ende preferohet nga familjet kineze. Sipas kërkimeve të bëra nga sektori i planifikimit familjar, për fëmijin e parë, ekulibri gjinor në Kinë është normal si në vende të tjera, por për fëmijën e dytë, numri i djemve është shumë më i madh se i vajzave, gjë që tregon se motivimi i prindërve për të patur një djalë bëhet më nxitës, kur presin fëmijën e dytë.

Të dhënat theksojnë se ndër beqarët e lindur në vitet 80' të shekullit të kaluar, raporti gjinor është 136 meshkuj për 100 femra. Kurse, ndër ata që kanë lindur në vitet 70', kjo diferencë shkon deri në 206 meshkuj për 100 femra. Tejkalimi i numrit të beqarëve meshkuj krijon vështirësi të mëdha për t'u martuar me bashkëmoshataret e tyre.

Së dyti, është ngritja e nivelit arsimor të femrave.

Femrat dhe meshujt gëzojnë të drejta të njejta për shkollim në Kinë. Krahas zhvillimit ekonomiko-shoqëror, më shumë femra kineze kryejnë studimet në shkollat e larta. Sipas "Vjetarit Statistikor të Kinës 2015", ndër të gjithë studentët pasuniversitarë të këtij viti, 45.4% ishin vajza, shifër kjo 15.2 pikë përqindje më e lartë, sesa në vitin 2000.

Zgjatja e jetës akademike shtyn moshën e martesës së femrave kineze. Përveç kësaj, femrat me nivel të lartë arsimor kanë vështirësi të marrin vendimin për krijimin e familjes sepse ato preferojnë të martohen me meshkuj të të njejtit nivel arsimor. Kurse, meshkujt në përgjithësi nuk kanë kritere kaq të rrepta në këtë drejtim. Informacionet tregojnë se mbi 50% e pasuniversitareve kineze nuk do të martohen para diplomimit.

Së treti, është rritja e pretendimeve të femrave për kushtet ekonomike të meshkujve. Sipas një sondazhi të kryer në vitin 2016 nga platforma elektronike www.zhenai.com që merret me njohjet e të rinjve për martesë, mbi 80% e përdorueseve beqare janë të mendimit se 5000 juanë në muaj(725$) është standardi më i ulët i të ardhurave të bashkëshortëve të ardhshëm. 67% kërkojnë 5000-10000 juanë (725-1450$), kurse mbi 1/4 duan të martohen me një burrë me pagë mujore prej më shumë se 10000 juanësh(mbi 1450$). Nga ana tjetër, meshkujt e intervistuar nuk kanë pritshmëri të lartë për pagën e vajzave.

Numri i stërmadh i beqarëve është një problem serioz shoqëror dhe qeveria po merr masa për të frenuar këtë prirje. Ndër to është moslejimi i njohjes paraprake të gjinisë së foshnjave para lindjes etj.

Nga ana tjetër, kjo dukuri është një shans i madh për bizneset e reja.

"Beqarët e artë" tentojnë të shpenzojnë më shumë për argëtime, artikuj luksozë, turizëm dhe mjete të tjera konsumi. Në Japoni dhe Kore të Jugut, ku u zhvillua më herët "ekonomia e beqarëve", prodhohen dhe gjenden lehtë artikuj të posaçëm për beqarët si enë kuzhine për një person, dhoma të vogla në hotel etj. Megjithatë, një studim britanik zbulon se shpenzimet vjetore të një beqari janë më të larta sesa të një të martuari dhe ai është më i prekshëm nga rreziqet në jetë, sesa një familjar.

Meqë martesa po bëhet më e vështirë për shumë njerëz në kohën moderne, sepse ata lëvizin më shpesh për arsye pune, a ka ndonjë mënyrë për krijimin e familjes për ta? Përgjigja është "shkues elektronik" për njohjet e beqarëve që kanë filluar shfrytëzimin e teknologjisë "Virtual Reality".

Nëse je shumë i zënë dhe nuk ke kohë as energji për të marrë pjesë në aktivitete të ndryshme të njohjes, regjistrimi në një platformë që ka teknologji "VR" mund të jetë një alternative e mirë.

Pasi vendos syze të posaçme, mund të shohësh dhe diskutosh me një person prapa ekranit të një kompjuteri që ndodhet shumë larg, por duket sikur ndodhet përballë teje. Gjithashtu, për të thyer akullin, platformat ofrojnë edhe lojëra të ndryshme për pjesëmarrësit. Nëpërmet kësaj teknike, mund të takosh disa përdorues brenda një dite, pa dalë nga shtëpia.

Në krahasim me metodën tradicionale, kjo është me kosto më të ulët dhe efekt më të mirë. Siç mësohet, nëpërmjet shfrytëzimit të teknologjisë së "Big Data-së", sistemi mund t'u propozojë përdoruesve kandidatet që përputhen më mirë me kërkesat e tyre qoftë nga ana e horoskopit, hobive etj.

Mrekulli
Lajmet Kryesore