Kina "pushtohet" nga biçikletat

2017-04-08 13:15:53 xinhua Komenti juaj Printoni

Rrugët e Pekinit janë mbushur me biçikleta të verdha dhe portokalli, që me nisjen e pranverës. Të parkuara në trotuare, kryesisht në udhëkryqe, pranë stacioneve të metrove dhe të autobusëve këto biçikleta mund të përdorë kushdo, në sajë të një aplikacioni online. Ato ofrohen nga dy kompani nera është OFO dhe tjetra Orange-hued Mobike.

Kinezët gjithmonë janë shquar për pasionin e tyre ndaj biçikletave, por kjo ka ndryshuar me kalimin e viteve dhe modernizimin e vendit.

Por ky pushtim i metropoleve kineze nga biçikletat këtë vit me sa duket ka rikthyer nostalgjinë e qytetarëve për to.

Pavarësisht rritjes së numrit të makinave, shtimit të mjeteve të transportit si metroja, autobusët urbanë, taksitë dhe shërbime të tjera tradicionale të Kinës, përdorimi i biçikletave për distanca jo shumë të mëdha është një lehtësi për qytetarët.

Një fushatë e qeverisë kineze për lehtësimin e trafikut të rënduar urban ndikoi që shumica e qytetarëve të përdorin biçikletat që lehtësisht i gjejnë kudo nëpër qytet dhe pas përdorimit nëpërmjet apikacionit online, mund ti lenë ku të duan, pasi kanë mbaruar punë.

Metropolet kineze dhe sistemi "bike sharing"

Vetëm gjatë muajit mars në rrugët e Pekinit janë shpërndarë mbi 200 mijë biçikleta që mund të përdoren nga qytetarët në bazë të sistemit "bike sharing".

Ato dallohen vetëm nga ngjyra e verdhë dhe portokalli, e ofruar nga kompanitë por mund të përdoren njësoj. Çmimi i përdorimit të një biçiklete është 1 yuan në orë. Monitorizimi dhe pagesa për përdorimin e biçikletës kryhet nëpërmjet internetit.

Biçikletat janë përhapur gjerësisht dhe në Shangai ku parashikohet, sipas mediave vendëse që deri në qershor të këtij viti, të arrijnë në 500 mijë.

Pritet që në qendrat e zhvilluara ekonomike të Kinës si Chengdu, Hangzhou, Tianjin, Ningbo dhe Chongqin të ketë përhapje qarkullimi me këto lloj biçikletash.

Synimi i autoriteteve vendore është që në fazën e parë të këtij projekti të mbulohet kërkesa e klientëve deri në 20 milion biçikleta.

Kjo kërkesë në rritje ka rritur dhe konkurencën mes kompanive prodhuese por dhe të atyre të sistemit "bike sharing"

Biçikletat e monitorizuara me satelit mund të çbllokohen nëpërmjet telefonit celular, në të cilin është shkarkuar më parë një aplikacion APP.

Personi që i nevojitet biçikleta pasi ka vendosur në telefonin e tij celular aplikacionin mund të hapë biçikletën dhe programi lidhet menjëherë me llogarinë e tij, nëpërmjet skanimit të kodit QR. Pas përdorimit të biçikletës riskanohet kodi QR dhe sistemi i bllokimit të biçikletës aktivizohet, ndërsa pagesa shfaqet në ekranin e telefonit celular të perdoruesit. Pavarësisht se përdorimi i sistemit "bike sharing" është mjaft i thjeshtë, gjithësesi tashmë kanë lindur probleme të dëmtimit apo përvetësimit të biçikletave, pasi ato mund të lihen kudo.

Aktualisht 450 milion kinezë kanë 650 milion biçikleta, të cilave deri në fund të këtij viti pritet ti shtohen dhe 50 milion të tjera.

Nisja e sistemit bike sharing në Kinë

Pekini prezantoi skemën e shpërndarjes së biçikletave në vitin 2012 me stacionimin e 2 mijë biçikletave në distriktin Chaoyang . Bëhej fjalë për 20 mijë biçikleta që mund të merreshin me qira në 500 kioska të shpërndara nëpër rrugët e kryeqytetit kinez, thuhet në statistikat e Komisionit Bashkiak të Zhvillimit dhe Reformës së Pekinit. Kryesisht ato u përqëndruan në zonat e biznesit,pranë metrove ku kishte dhe fluks më të madh kalimtarësh.

Në vitin 2015 autoritetet bashkiake të Pekinit synuan rritjen e numrit të biçikletave në 50 mijë, duke kopjuar modelin e përdorur në qytetin Hangzhou dhe ekspertët thanë se përdorimi I biçikletave me qira u rrit në vitin 2015 në 23%. Kjo skemë ishte e përhapur dhe në qytete të tjera të mëdha të Kinës. Sistemi "bike sharing" funksionon edhe në vende të tjera në mbarë botën por nuk ka një përhapje kaq masive sa në Kinë.(Eda Merepeza)

Mrekulli
Lajmet Kryesore