Lam Cheng Yuet-ngor, një yll në ngjitje në politikën kineze

2017-04-03 10:35:43 xinhua Komenti juaj Printoni

Pas zgjedhjeve të fundjavës së kaluar, zonja Lam Cheng Yuet-ngor do të jetë kryeekzekutivja e Rajonit të Posaçëm Administrativ të Hong Kongut (HKSAR). Nga 1.163 vota të vlefshme, ajo fitoi 777, njoftoi Komisioni Zgjedhor i Rajonit. Më 1 korrik zonja Lam do të nisë detyrën e saj si kryeekzekutivja e pestë e Hong Kongut dhe e para grua në këtë post të rëndësishëm drejtues të politikës kineze.

Që nga viti 2012, 59 vjeçarja Lam ka qenë kryesekretare e administratës në një mandat 4 vjeçar. Ajo është marrë me shërbime administrative që në vitin 1980, duke shërbyer në departamente të ndryshme të zhvillimit.

Një fitore që pritej

Analistë të shumtë politikë në Kinë thonë se fitorja e zgjedhjeve nga zonja Lam nuk ishte një surprizë, pasi ajo gëzon mbështetjen e hongkongasve. Sipas sondazhit të zgjedhjeve të kryera nga Shoqata Kërkimore e Hong Kongut, më shumë se 73 % e të intervistuarve zgjodhën zonjën Lam për kryeekzekutive të vendit.

Një ditë para zgjedhjeve ajo kishte më shumë pike se dy rivalët e tjerë për kreun e ekzekutivit të Rajonit të Posaçëm Administrativ të Hong Kongut. Për këtë arësye shumë analistë thanë se zgjedhja e saj ishte më shumë se sa e sigurtë.

Media e huaj për zgjedhjen e zonjës Lam

New York Times në komentin e saj me rastin e zgjedhjeve në Hong Kong theksoi se diferenca e votave të kandidates Lam nuk do të ishte e ngushtë me rivalët e saj. Ndërsa BBC nënvizoi se një hap e ndan kandidaten Lam nga 601 votat e nevojshme për fitoren e zgjedhjeve.

Vajzë e një familje të thjeshtë

Origjina e të parëve të zonjës Lam është qyteti Ningbo, i provincës kineze Zhejiang. Ajo e kaloi fëmijërinë në një pallat në Wan Chai, në një apartament të thjeshtë, pa ashensor. Pavarësisht se e rritur në një familje me të ardhura të pakta, Lam shkëlqeu në studime dhe ëndëronte të bëhej mjeke. Gjatë studimeve ajo vendosi të bëhej punonjëse sociale, që tu shërbente sa më shumë njerëzve dhe kreu studimet në Departamentin e Punës Sociale të Universitetit të Hong Kongut, që e përfundoi me rezultate të shkëlqyera për sociologji. Pas studimeve të larta Lam nisi në vitin 1980 punën në shërbimet sociale.

Në qendër të punës së saj në shërbimet sociale ka qenë gjithmonë kujdesi ndaj shtresave në nevojë. Në vitin 2003 zonja Lam krijoi një Fondacion për edukimin e fëmijëve jetimë. Në fushatën për mbledhjen e fondeve ajo arriti të sigurojë 83 milion dollarë hongkongas në tre muaj.

Një bashkëshorte dhe mike e përkushtuar

Zonja Lam vlerësohet nga miqtë e saj për karakterin e forte, dashamirësinë, sensing e humorit. Por ajo është dhe një bashkëshorte dhe nënë e përkushtuar. Në ditën e të dashuruarve ajo postoi në rrjetin social një letër dashurie me të cilën e uronte i shoqi Lam Soi-por, ku shkruante " Zemrat tona janë të lidhura ngushtë. Ti do të kesh gjithmonë mbështetjen time. Shpresoj të fitosh zgjedhjet dhe të punosh me zell për qytetarët e Hong Kongut".

Në deklaratën pas fitores së zgjedhjeve për postin e lartë, zonja Lam falenderoi mbështetjen e familjes dhe veçanërisht të bashkëshortit të saj.

Pikërisht këto cilësi bënë që Lam të fitonte simpatinë popullore, veçanërisht në punën e saj 5 vjeçare si politikane e re në postin e sekretares së zhvillimit të administrates së Rajonit të Posaçëm Administrativ të Hong Kongut.

Luftëtare e vendosur

Me një karrierë politike 37 vjeçare, Lam ka reputacionin e një "luftëtareje të vendosur", e cila është përballur dhe ka fituar ndaj vështirësive.

Një nga përballjet e forta gjatë karrierës së zonjës Lam ishte kur në vitin 2007, si sekretare për zhvillimin ajo mbikqyri shembjen e godinës simbolike Queen's Pier, e ndërtuar në fillim të shekullit të 20-të me stil kolonial. Si një ndërtesë e Hong Kongut të vjetër shembja e saj ngjalli protesta të konservatorëve. Dy ditë pas protestave Lam bisedoi me rreth 100 protestues dhe u shpjegoi vendimin e qeverisë, si dhe opinionin akademik në të mirë të zhvillimit të Hong Kongut. Trajtimi i çeshtjes me komunikim të drejtpërdrejtë dhe rrahje mendimesh shtoi popullaritetin e politikanes Lam. Puna me përkushtim e bëri zonjën Lam një ndër politikanet më popullore të Hong Kongut. Një sondazh i kryer nga Universiteti i Hong Kongut në vitin 2012 e vlerësoi figurën e kësaj politikaneje me pëlqimin e 73.8% të të intervistuarve.

Kur arriti kulmin e popullaritetit Lam u emërua kryesekretare për administratën e drejtuar nga kryeekzekutivi Leung Chun Ying në vitin 2012.

Gjatë Lëvizjes Pushto Qendrën të vitit 2014,një fushatë civile që krijoi kaos në Hong Kong, zonja Lam zhvilloi një bashkëbisedim të hapur televiziv me protestuesit. Ajo shprehu qëndrimin e saj të vendosur për parimin "Një vend, dy sisteme" dhe për Ligjin Themeltar të Hong Kongut. Ajo theksoi se " Hong Kongu është një Rajon I Posaçëm Administrativ I Kinës dhe zgjedhjet demokratike të tij duhet të formulohen në përputhje me Kushtetutën e Republikës Popullore të Kinës dhe Ligjin Themeltar të Hong Kongut". (Eda Merepeza)

Mrekulli