Studentët kinezë, konsumatorë duarshpuarë?

2017-04-03 10:28:05 xinhua Komenti juaj Printoni

Më 11 nëntor të vitit të kaluar ose në "festën e beqarëve" që "kremtohet" me "shopping në internet", studentët e Universitetit të He'nanit treguan një etje aq të madhe për blerje sa u "trondit" opinioni publik: brenda një dite 70 mijë studentë benë mbi 3.5 milionë juanë(mbi 508 mln$) porosi në internet. Për të sjellë në kohë gati 80 mijë pako, të gjitha hyrjet e universitetit u bllokuan për një javë nga motoçikletat e firmave të dërgimit të porosive.

Në një intervistë për gazetarët e mediave vendore, një studente pohoi se kishte blerë 37 artikuj në platformën elektronike "Taobao" dhe ajo nuk ishte ndër "kampionet" e konviktit të saj.

Raportimet e medieve për këtë çështje patën jehonë të madhe në opinionin publik dhe me të drejtë lindi pyetja shoqëri : a është e vërtetë që të rinjtë kinezë në shkolla të larta tani janë kaq duarshpuar?

Një raport i publikuar kohët e fundit nga kompania e marketingut MyCOS jep një shpjegim për gjendjen financiare të studentëve kinezë.

Sipas raportit, shpenzimet mesatare të 1289 studentëve të intervistuar janë 1212 juanë(175 $) në muaj. Argëtimi dhe aktivitetet shoqërore zënë pjesën kryesore të shpenzimeve të djemve, kurse për vajzat, ushqimi dhe artikujt kozmetikë. Por, mbi 30% prej tyre ankohen se buxheti familjar nuk mund të përmbushë kërkesat e veta.

Fang Xiaotian është një studente e vitit të parë për doktoraturë, në Fakultetin e gazetarisë në Universitetin e Pekinit. Çdo muaj, përveç shpenzimeve bazë për ushqim e studim, ajo shpenzon një buxhet të konsiderueshëm për veshje dhe artikuj kozmetikë, vizita turistike apo stërvitje fizike. Fang u shpreh se koncepti i konsumit te studentët po ndryshon bashkë me modernizimin e shoqërisë.

"Më nevojitet më shumë energji për rritjen e aftësisë, zgjerimin e horizontit dhe kënaqësinë shpirtërore. Mendoj se shpenzimi i parave për këto qëllime nuk është i pavlerë", tha 25 vjeçarja Fang.

Lidhur me këtë, anëtari i Qendrës Studimore për të Rinjtë dhe të Fëmijët(China Youth & Children Research Center), Hong Mingbo tha se zhvillimi ekonomik vitet e fundit ka ndikuar në përmirësimin e gjendjes financiare të familjeve kineze, duke u dhënë studentëve mundësi më të madhe për të plotësuar kërkesat e tyre. Ndërkohë stili i shpenzimeve të të rinjve është i ndryshëm.

"Problemi kryesor nuk qëndron te kufizimi i shpenzimeve të atyre që janë në gjendje të shpenzojnë, por te orientimi i studentëve me kushte të vështira ekonomike, për të krijuar konceptin e drejtë të konsumit. Po bëjmë përpjekje për të ndihmuar ata që kanë vështirësi që të mund të përballojnë presione të tilla dhe të mos ndikohen negativisht nga kjo gjatë jetës akademike", tha Dr. Hong.

Nga ana tjetër rezulton se studentët në shkollat e larta kanë filluar të menaxhojnë mirë buxhetet e tyre të vogla.

Sipas raportit të publikuar nga MyCOS, 57% e studentëve të intervistuar po mësojnë të provojnë mënyra të ndryshme për të shtuar të ardhurat e kufizuara. Mbi 42% e tyre kanë hapur llogari në internet për blerjen e produkteve financiare, 24% kanë depozita bankare dhe 5% merren me aksionet ose kredi në shuma të vogla në platformat elektronike.

Një fjalë e urtë kineze thotë se "Shpenzimi i mirë është baraz me fitimin." Përveç produkteve financiare në internet, aksioneve, fondeve, analiza e llogaritjeve është një mënyrë e mirë për të menaxhuar buxhetin e secilit. Shumë studentë kinezë i kryejnë rregullisht llogaritë e shpenzimeve dhe analizën e tyre mujore.

Duke komentuar menaxhimin e buxhetit të studentëve, profesori Luo nga Universiteti i Financave i Guangdong-ut shprehet se ata nuk duhet të preokupohen vetëm për sasinë e fitimit, por t'i kushtojnë vëmendje përvetësimit të mjeteve profesionale.

"Disa studentë fokusohen thjesht te shitjblerja e aksioneve në bursë. Ata shpërfillin zotërimin e teknikave ose teorive moderne të investimeve,që për mua janë të rëndësishme për përpilimin e planit investues. Praktikat financiare në jetën akademike kanë më shumë vlera orientuese, por nuk duhet spekulluar me njohuritë e pakta financiare", tha Luo.

Lidhur me faktin nëse studentët kinezë janë duarshpuar, sipas raportit rezultatet nuk duken dekurajuese. Ndër 3 faktorët kryesorë që ndikojnë vendimmarrjen e të rinjve studentë gjatë blerjeve, çmimi zë vendin e parë, i ndjekur nga cilësia dhe pëlqimi. Fundi i fundit, studentët që duhet të jetojnë me financim familjar, mund të kryejnë shpenzime të arsyeshme. Kjo ndoshta shpjegon pjesërisht bumin e blerjeve të 11 nëntorit nga studentët e Universiteit të He'nanit, sepse me rastin e "festës së beqarëve", pjesa dërrmuese e dyqaneve në internet ofrojnë uljet më të mëdha të çmimeve.

Mrekulli
Lajmet Kryesore