Kina dhe bota : Ujë i ngrohtë apo i ftohtë ?

2017-03-13 16:27:57 xinhua Komenti juaj Printoni

Në ditët e para të qëndrimit tim në Kinë vërejta sa shumë e pijnë kinezët ujin e ngrohtë, ndryshe nga ne, shqiptarët por dhe perëndimorët në përgjithësi. Unë nuk i kam parë ndonjëherë kolegët e mi kinezë të pijnë ujë nga frigoriferi. Ndërkohë në shërbimet publike, spitale, stacione treni, aeroporte, e deri në floktore apo mjedise të tjera ku je i detyruar të presësh për marrjen e një shërbimi ka kontenierë me ujë të ngrohtë falas. Madje edhe kur ulesh në një bar apo restorant para se të porositësh të shërbehet ujë i vakët.

Fillimisht më dukej e çuditëshme dhe gati a pamundur të pija ujë të ngrohtë gjatë ditës, por tashmë nuk e kam problem dhe e konsumoj me kënaqësi.

Pirja e ujit të ngrohtë traditë vetëm kineze?

Për të huajt pirja e një gote uji të ngrohtë në verën e nxehtë përbën një sfidë. Por kjo është një traditë kineze. Një dallim mes zakoneve të kinezëve dhe pjesës tjetër të botës. Nga ana tjetër edhe kinezëve u bën përshtypje se si perëndimorët pijnë ujë apo lëngje me akull, apo direkt nga frigoriferi.

Tregohen shumë histori nga të huajt që jetojnë në Kinë lidhur me këtë zakon kinez, por edhe kinezët tregojnë përvojat e tyre në vendet e tjera, lidhur me zakone që ju duken të çuditëshme.

Shumë komentatorë janë përpjekur të gjejnë arësyet e këtij dallimi, por nuk ka një shpjegim të saktë për këtë. Madje në hipotezat e ndryshme përfshihen industrializimi, zakonet ushqimore, arësye historike, cilësia e ujit e deri te mjekësia tradicionale.

Prindërit kinezë këshillojnë shpesh fëmijët të mos pijnë ujë të ftohtë. Ata e shpjegojnë këtë me arësyen se uji mund të ketë bakterie ndaj duhet zier. Francezët jo rrallë pijnë ujë të ngrohtë madje preferojnë ujë të zier se sa ujë nga shishet. Edhe në SHBA prirja është thuajse e njejtë. "Shumica e njerëzve mendojnë se uji i shisheve është më i shëndetshëm se sa i rubinetit, por nuk është e vërtetë" thotë një studjues i Universitetit të Kalifornisë. Në një sondazh të një televizioni amerikan uji i çezmës u konsiderua si më u shëndetshëm.

Por në Kinë ndodh e kundërta. Uji i çezmës konsiderohet i pakonsumueshëm për tu pirë, ndaj shumica e kinezëve e ziejnë atë dhe pjesa tjetër blen ujë me shishe.

Tradita kineze e pirjes së ujit të ngrohtë

Sipas një të dhëne historike, një shpjegim i pirjes së ujit të ngrohtë nga kinezët i referohet kontenierëve të lashtë të ujit gjatë dinastisë Xia. Që nga ajo kohë praktikohej zierja e ujit për pirje. Ndërsa te grekët dhe egjiptianët e lashtë kontenierët përdoreshin vetëm për të ruajtur ujin.

Nëse pyet një mjek tradicional kinez se përse të huajt pijnë ujë të ftohtë dhe me akull, përgjigja e tij është se ata zakonisht hanë mish viçi, qengji,peshk, proshutë, djathë dhe gjalpë. Të gjitha këto ushqime kanë përmbajtje të lartë kalorish, që sipas mjekësisë tradicionale kinezekrijon fryrje dhe nxehtësi brenda trupit të njeriut. Pikërisht për të shuar këtë "zjarr" brenda organizmit të tyre, të huajt pijnë ujë të ftohtë, madje dhe me akull.

Sipas Mjekësisë Klasike të Perandorit të Verdhë, energjia "'Yang' (ku përfshihen gjërat e nxehta) përbëjnë rrënjët e trupit të njeriut. Prandaj, sipas kësaj teorie temperature e ujit të ngrohtë ngroh organizmin dhe kultivon energjinë yang në trupin e njeriut. Ndërkohë uji i ftohtë është e kundërta, pasi ai ul temperaturën e organeve të brendëshme, duke shtuar energjinë e ftohtë në trup e cila shkakton sëmundje.

Dallimi mes kinezëve dhe perëndimorëve në pirjen e ujit të ngrohtë apo të ftohtë vërehet edhe në dietën e nënave të reja. Nëse i referohemi spitaleve gjinekologjike në vendet perëndimore ato kryesisht u shërbejnë grave që sapo kanë lindur lëngje frutash të ftohta madje dhe akullore.

Por në Kinë grate lehona lejohen të hanë vetëm supë të ngrohtë, qull të ngohtë dhe aspak lëngje të ftohta e aq më pak akullore.

Gratë perëndimore që kryejnë lindje normale të fëmijëve dalin nga spitali pas 24 orësh, ndërsa ato që lindin me operacion cezarian qëndrojnë disa ditë më shumë. Kur kthehen në shtëpi atyre u vijnë të afërm dhe miq dhe nuk kanë një kujdes të veçantë.

Në Kinë është thuajse e kundërta. Lehonat nuk kryejnë lëvizje të shumta, madje nuk prekin asgjë të ftohtë , qëlndrojnë brenda në shtëpi, pasi kështu këshillohet në mjekësinë tradicionale. Edhe për këto zakone ka një shpjegim.

Mjekësia tradicionale kineze shpjegon dallimin

Mjekësia tradicionale kineze bazohet në balancimin e gjërave, por kryesisht tek e ftohta dhe e ngrohta. Sipas një teorie tradicionale, europianët kanë kushte të brendëshme trupore " të ngrohta dhe të lagështa". Pikërisht kjo lloj nxehtësie e brendëshme i bën europianët të priren pasj ujit dhe lëngjeve të tjera të ftohta, për tu freskuar. Të gjitha këto hipoteza të mbledhura së bashku bëjnë dallimin e dietës ushqimore mes kinezëve dhe perëndimorëve.

Përfitimet nga pirja e ujit të ngrohtë

-Humbje peshe

-Pastron trupin nga toksinat

-Ndihmon në cilësinë e zërit

-Ndihmon qarkullimin brenda organizmit

-Ndihmon tretjen

(Eda Merepeza)

Mrekulli