Kishat shtëpiake dhe institucionalizimi

2016-08-23 09:49:03 xinhua Komenti juaj Printoni

Me përhapjen e shpejtë të protestantizmit në Kinë në 30 vjetët e fundit, miliona të krishterë frekuentojnë kisha shtëpiake, që nuk njihen zyrtarisht. Studjuesi Liu Peng propozon regjistrimin e tyre, që do të mundësojë dhe legalizimin.

Në një mbledhje të organizuar në prill mbi çështjet fetare, me pjesëmarrjen e gjerë të Byrosë Politike të KQ të PKK-së, sekretari i Partisë Xi Jinping theksoi rëndësinë e çështjeve fetare dhe u bëri thirrjeve autoriteteve të niveleve të ndryshme të përmirësojnë punën sipas ligjit.

Një muaj para fjalimit të Xi-së, studjuesi Liu Peng, ish-zyrtar i Bashkimit të Frontit të Partisë Komuniste të Kinës dhe drejtor i Institutit të Shkencave Shoqërore Pushi në Pekin propozoi zgjidhjen e një prej çeshtjeve më të vështira fetare në Kinë, statusin e kishave shtëpiake.

Ky problem nisi që në vitin 1954, kur protestantët kinezë pro-qeveri themeluan organizatën e tyre, TSPM. Shumë të krishterë të tjerë refuzuan përfshirjen në të për të mbrojtur "pavarësinë e besimit" dhe ushtruan fshehurazi veprimtaritë fetare, gjë që çoi në krijimin e të ashtuquajturave "kisha shtëpiake". Në 30 vjetët e fundit, pavarësisht përhapjes së shpejtë të këtyre subjekteve fetare, ato nuk njihen zyrtarisht, as vihen nën kontrollin e qeverisë.

Si një njohës i mirë i çështjeve fetare në Kinë, ish-zyrtari Liu beson se ka ardhur koha për ndryshim. Ai propozon që të gjitha kishat shtëpiake të regjistrohen dhe t'u jepet statusi ligjor.

Tani për tani në Kinë, "Kishat shtëpiake" mund të institucionalizohen në dy mënyra. Së pari, duke u regjistruar si pjesë e organizatës së njohur nga qeveria TSPM dhe së dyti duke u regjistruar si subjekt i pavarur fetar, pranë Ministrisë së Çeshtjeve Sociale. Por, përsa i përket mënyrës së parë, nisur nga faktorët historikë dhe teologjikë, administratorët e kishave shtëpiake nuk dëshirojnë lidhje qeveritare. Kurse, për mënyrën e dytë, asnjë kishë shtëpiake nuk plotëson kriteret e regjistrimit si subjekt i pavarur fetar.

Studjuesi Liu sqaron se akordimi i statusit fetar subjeketeve të ndryshme, i zbatuar nga Kina prej disa dekadash ishte një imitim i modelit sovjetik, i vjetëruar për shoqërinë e sotme. Për këtë qëllim studjuesi Liu propozon zgjidhjen e re, të regjistrimit të kishave shtëpiake pranë autoriteteve vendore të çështjeve civile.

Liu thekson se këto subjekte nuk duhet të detyrohen të regjistrohen pranë organizatës fetare TSPM që njihet nga qeveria dhe as të autorizohen nga Zyra e Çështjeve Fetare. Sipas tij, aplikimi i kishave shtëpiake për status ligjor duhet të përfshijë vetëm të dhënat bazë, si emrin e subjektit, drejtuesit, vendin e veprimtarisë dhe numrin e anëtarëve.

Liu thotë se sistemi i propozuar prej tij synon "nxjerrjen nga errësira të kishave shtëpiake", duke mundësuar komunikimin e drejtpërdrejtë të tyre me qeverinë. Ai shton se në këtë mënyre, kishat shtëpiake mund të përfshihen në sistemin qeveritar të administrimit dhe do të përmirësohet legalizimi i subjekteve fetare.

Në fakt, shqetësimi i qeverisë për legalizimin e subjekteve fetare ka për bazë raste kur disa keqbërës shfrytëzojnë grupe të tilla besimtarësh për propagandë ekstremiste.

Sipas specialistit Liu regjistrimi i kishave shtëpiake dhe legalizimi i tyre forcon stabilitetin dhe sigurinë kombëtare. "Pas legalizimit nga ana e qeverisë subjektet e ndryshme fetare mund të ushtrojnë veprimtarinë e tyre dhe të shndërrohen në një forcë të stabilitetit të shoqërisë", shprehet Liu.

Në disa rajone të Kinës janë zhvilluar projekte pilot, të ngjashme me propozimin e specialistit Liu. Administrata Shtetërore për Çështjet Fetare(SARA) publikoi në shkurt raportin e punës të vitit 2016, ku përfshihen projekte pilot për regjistrimin në mbarë vendit të "subjekteve fetare të palegalizuara ". Një nga anëtarët e organizatës së krishterë të njohur nga qeveria, TSPM i tha gazetarëve të "Global Times" se SARA po punon për rishikimin e rregulloreve, që mund të miratohen deri në fund të vitit. Por ende nuk dihet nëse kjo Administratë ka marrë në konsideratë propozimin e studjuesit Liu.

Dr. Brent Fulton, një studjues i çështjeve fetare shprehet se shumica e kishave shtëpiake kineze nuk kundërshtojnë legalizimin, por me to duhet bërë një punë e specializuar. Sipas tij, qeveritë lokale në krahina të ndryshme të Kinës duhet të përpiqen të kuptojnë gjendjen reale të këtyre subjekteve fetare. Ai shton se ka raste që zyrtarët zhvilluan bisedime të hapura me përgjegjësve të kishave shtëpiake. Kurse në disa krahinat autoritetet vendore ende i shohin me mosbesim pjesëtarët e kishave shtëpiake, ndaj ka mungesë bashkëpunimi për regjistrimin e tyre sipas ligjit.

Mrekulli
Lajmet Kryesore