Marksizmi në rap

2016-05-23 11:01:28 xinhua Komenti juaj Printoni

Për shumë të rinj kinezë që kanë lindur pas viteve 80' të shekullit të kaluar, ose pas zbatimit të politikës së "Reformës dhe të Hapjes", Marksizmi është një term që vetëm haset në lëndët mësimore. Faktikisht, krahas shpejtimit të transformimit ekonomiko-shoqëror, në këtë vend socialist me popullsinë më të madhe në botë, ruajtja e ideologjisë së partisë në pushtet, mbetet një çështje që kërkon zgjidhje të shpejtë.

Ditët e fundit, një televizion lokal kinez bëri një provë të re, një "Reading Show" për prezantimin e marksizmit, në përmbajtjen e të cilit përfshihen fraza që tërheqin të rinjtë, pasi kemi të bëjmë me një këngë të rrymës muzikore Rap, kushtuar jetës së Marksit.

Kënga që po dëgjoni titullohet "Marksi ka qenë i ri, si ne". Kjo është një këngë tematike e programit të televizionit të Rajonit Autonom të Mongolisë së Brendshme të Kinës, me titull "Marksi meriton besim ". Programi prej 9 episodesh për një publik të ri në moshë do të drejtohet nga njerëz, të lindur në vitet 80' të shekullit të kaluar.

Kurse, para transmetimit të programit, kjo këngë pati jehonë të madhe online dhe ngjalli debate të shumta mes përdoruesve të internetit.

Nëpërmjet tekstit në gjuhën angleze dhe kineze, në këngë krijohet një lidhje mendore mes Karl Marksit dhe 20 vjeçarëve të sotëm kinezë. Në vargjet e këngës thuhet: "Ne(me Marksin) marshojmë përpara jo për fuqi, as për para, por për besim. Ne nuk do të heqim dorë derisa të vdesim".

"Dua vetëm t'u tregoj njerëzve se Marksizmi nuk është jashtë mode dhe teroritë e tij nuk duhet të mbeten në rafte librash", kështu shprehet tekstshkruesja Zhuo Sina, në një intervistë për gazetën "Renminribao".

Karl Marksi është një emër i njohur në Kinë, pasi studentët në universitete studjojnë lëndën "Mendimi Teorik", ku përfshihen shumë teori të Marksit. Por, për shumë të rinj, qëndrimi i tyre ndaj këtij filozofi perëndimor është disi kaotik.

"Mbresën e parë nga Marksi e ruaj nga lënda e politikës. E mësova fillimisht lëndën e marksizmit sa për të kaluar provimin. Por, më vonë, kur lexova me vemendje librin konstatova se nuk ka të sharë. Madje mendoj se Marksi ishte shumë mendjemprehtë ", shkruhet në tekstin e këngës.

Lidhur me këtë, autorja Zhuo Sina shpreh opinionin e saj për Karl Marksin.

"Kam paraqitur në këtë këngë imazhin e vërtetë të Marksit, si një njeri me hir shpirtëror. Është mjaft tërheqëse fryma rebele dhe altruizmi i tij. Por në të kaluarën, këto tipare të tij janë injoruar", tha Sina. 

Sipas saj, disa studentë të rinj nuk kanë interes për teoritë e Marksit. Ajo thotë se nuk është faji i tyre pasi në shkollë lëndët përkatëse jepen në mënyrë të përgjithshme dhe me shumë koncepte abstrakte teorike. "Prandaj synoj që në një mënyrë më të thjeshtë të nxis interesin e tyre për marksizmin dhe teoritë e Marksit, për veprën dhe jetën e tij, si një individ prej mishi dhe gjaku ", shprehet autorja e tekstit të këngës rap, "Marksi ka qenë i ri, si ne".

Tani, le të ndjekim së bashku këngën.

Mrekulli
Lajmet Kryesore