Rouhani, Erdogan dhe Putin diskutojnë për Sirinë

2020-07-02 17:45:39 CRI Komenti juaj Printoni

Udhëheqësit e Rusisë, Turqisë dhe Iranit kanë theksuar nevojën për gjetjen e një zgjidhjeje politike për konfliktin nëntëvjeçar.

Të tre udhëheqësit diskutuan përpjekjet për të stabilizuar Sirinë në një bisedë me video të mërkurën.

Presidenti iranian Hassan Rouhani u bëri thirrje trupave amerikane të tërhiqen nga Siria për të lejuar qeverinë e presidentit Bashar al-Assad të rimarrë plotësisht kontrollin mbi territorin e vendit.

"Theksoj se është e nevojshme që forcat terroriste amerikane të largohen nga i gjithë rajoni sidomos nga Siria sa më shpejt që të jetë e mundur dhe se sovraniteti i qeverisë siriane shtrihet në tërë territorin e saj."

Disa trupa amerikane kanë mbetur në Siri për të mbrojtur një hapësirë të fushave të naftës të kontrolluara nga kurdët dhe pajisjet që mos të bien në duart e grupit të Shtetit Islamik.

Gjatë thirrjes, presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan tha se është e nevojshme një zgjidhje politike për konfliktin.

"Përparësitë tonë kryesore janë mbrojtja e bashkimit politik dhe integriteti territorial i Sirisë, vendosja e qetësisë dhe gjetja e një zgjidhjeje politike. Me vullnetin e Zotit, besoj se me këtë takim do të vazhdojmë këtë shtysë."

Presidenti rus Vladimir Putin tha Sirisë i duhet ndihmë për të rindërtuar ekonominë e saj dhe për të nxitur kthimin e refugjatëve.

Ai kritikoi sanksionet e ShBA-së dhe BE-së kundër qeverisë së Assad-it, të cilat i ndalojnë kujtdo të bëjë biznes me Sirinë ose të marrë pjesë në rindërtimin e saj.

Rusia dhe Irani kanë mbështetur presidentin sirian gjatë gjithë luftës, ndërsa Turqia i ka mbështetur armiqtë e tij.

Sidoqoftë, të tre vendet kanë bashkuar përpjekjet e tyre për të ndihmuar në përfundimin e armiqësive në Siri. (Albana)

Mrekulli
Lajmet Kryesore