Shefi i OBSh-së: Pandemia një 'sprovë e karakterit'

2020-07-02 17:26:24 CRI Komenti juaj Printoni

Organizata Botërore e Shëndetësisë theksoi angazhimin e saj për të garantuar që çdo qytetar i botës të ketë qasje në trajtimet e nevojshme për shpëtimin e jetës kundër COVID-19.

Agjencia tha se po verifikon informacionet se ShBA-ja po blen pothuajse të gjithë stokun botëror të ilaçit të vetëm të licencuar deri tani për të trajtuar COVID-19.

Është raportuar se asnjë vend tjetër nuk do të jetë në gjendje të blejë ilaçin remdesivir për tre muajt e ardhshëm për shkak të marrëveshjes.

Specialisti i programit të urgjencave të OBSh-së, Dr Mike Ryan tha se kushtet e plota të marrëveshjes së ShBA-së me prodhuesin e ilaçit "Gilead Sciences" mbeten për t'u vlerësuar.

"Ka shumë njerëz në të gjithë botën që janë shumë të sëmurë nga kjo sëmundje. Dhe ne duam të sigurohemi që të gjithë kanë qasje në ndërhyrjet e nevojshme të shpëtimit. Por siç thashë, ne nuk do të bëjmë komente të tjera derisa të kemi verifikuar natyrën e saktë të kontratës. Gjithashtu, ne jemi të vetëdijshëm për përditësime të tjera që po vendosen për nën-licencimin dhe prodhimin në vendet e tjera".

ShBA-ja njoftoi në fillim të kësaj jave se ka siguruar gati të gjithë prodhimin e remdesivir nga prodhuesi i ilaçit për tre muajt e ardhshëm.

Drejtori i Përgjithshëm i OBSh-së Dr. Tedros Adhanom Ghebreyesus u bëri thirrje vendeve të veprojnë në interesin e përbashkët të njerëzimit dhe solidaritetit botëror në përgjigjen e tyre ndaj pandemisë.

"Kjo pandemi është një sfidë shkencore, por është edhe një sprovë e karakterit. Ne duhet të veprojmë në interes të solidaritetit global dhe njerëzimit tonë të përbashkët. Ne kemi një përgjegjësi të përbashkët për të siguruar që të gjithë njerëzit të kenë qasje në mjetet për të mbrojtur veten e tyre, veçanërisht ata që janë më të rrezikuar".

Shefi i OBSh-së ritheksoi se mënyra më e mirë për të trajtuar pandeminë është qasja gjithëpërfshirëse.

Ai paralajmëroi vendet kundër një qasje të fragmentuar, duke thënë se do të ishte një proces i gjatë dhe i vështirë. (Albana)

Mrekulli
Lajmet Kryesore