Kina shpall politika favorizuese për të nxitur lindjen e fëmijëve

2020-06-30 09:40:30 CRI Komenti juaj Printoni

Në kushtet e një popullsie në plakje dhe një fuqie punëtore që po tkurret, rajone të ndryshme në Kinë kanë shpallur disa politika favorizuese për të nxitur lindjen e fëmijëve.

Sipas Zyrës Kombëtare të Statistikave, rreth 14 milion foshnja lindën në Kinë vjet, niveli më i ulët i lindjeve në vend që nga viti 1952.

Kina ka lejuar që çiftet e martuara të kenë dy fëmijë që nga viti 2016, duke i dhënë fund politikës së saj të "një fëmije" që zgjati disa dekada.

Sidoqoftë, shifrat e lindjeve në Kinë kanë vazhduar të bien gjatë viteve të kaluara.

Jiang Jieqin nga qyteti Jiujiang në provincën Jiangxi është nënë e një fëmije. Ajo ka vendosur të mos lindë një fëmijë të dytë për shumë arsye:

"Shumica e njerëzve dëshirojnë të kenë një fëmijë të dytë, por, për shkak të mungesës së mjaftueshme të kohës, energjisë dhe parave, si dhe shqetësimit nëse mund të kujdesemi për fëmijën, shumica prej nesh përfundimisht zgjedhin të mos bëjnë një fëmijë të dytë."

Yang Wenzhuang nga Komisioni Kombëtar i Shëndetësisë dhe Planifikimit Familjar thotë se diskriminimi në punësim ndaj grave gjithashtu sjell nivelin e ulët të lindjeve:

"Punëdhënësit janë të shqetësuar për koston e lartë të të pasurit të një punonjëseje femër që dëshiron një fëmijë të dytë, gjë që çon në diskriminim në punësim. Leja e lindjes dhe e dhënies së gjirit, si edhe përfitimet e tjera përkatëse, nuk zbatohen plotësisht në disa zona. Gratë kanë shumë shqetësime për balancimin e karrierës dhe familjes ".

Autoritetet tani po marrin masa më aktive për të rritur nivelin e lindjeve.

Pekini ka ulur koston për sigurimin e lindjes, ndërsa provinca Shanxi ka inkurajuar punëdhënësit t'i ofrojnë secilit prind 200 juanë, ose rreth 28 dollarë amerikanë, në muaj për kujdesin e fëmijëve dhe arsimin parashkollor.

Në mars, autoritetet në provincën Guangdong publikuan një udhëzues për të zbatuar plotësisht politikat për lejen e lindjes dhe lejen e atësisë për bashkëshortët.

Presidentja e Federatës së Grave të Shangait Xu Feng thotë se përmirësimi i mjedisit shoqëror është thelbësor për të shtuar lindjet:

"Së pari, duhet të përmirësojmë sistemin e shërbimit të kujdesit për fëmijët e moshës deri në tre vjeç. Së dyti, duhet të zvogëlojmë barrën për ndërmarrjet dhe t'i inkurajojmë punëdhënësit të punësojnë gra. Së fundi, duhet të përmirësojmë sistemin e mirëqenies për lindjen e fëmijëve."

Statistikat e publikuara nga Ministria e Çështjeve Civile tregojnë se numri i beqarëve në Kinë arrin në 260 milionë.

Vjet, shkalla e divorcit te çiftet e lindura pas vitit 1980 arriti mbi 50 për qind, çka edhe kjo kontribuon në nivelin e ulët të lindjeve.

Mrekulli
Lajmet Kryesore