OKB-ja, e shqetësuar për sanksionet e ShBA-së ndaj Gjykatës Penale Ndërkombëtare

2020-06-12 10:56:19 CRI Komenti juaj Printoni

Një zëdhënës i Kombeve të Bashkuara ka shprehur shqetësimin e tij për njoftimet që administrata e Trump-it ka vendosur sanksione ndaj zyrtarëve të Gjykatës Penale Ndërkombëtare.

Sanksionet kanë në shënjestër zyrtarët e Gjykatës Penale Ndërkombëtare të përfshirë në hetimin e trupave amerikane për krime të mundshme lufte të kryera në Afganistan midis viteve 2003 dhe 2014.

Zëdhënësi i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së Stephane Dujarric thotë se ata do të vazhdojnë të ndjekin nga afër zhvillimet lidhur me këtë çështje.

"Bashkëpunimi midis OKB-së dhe Gjykatës Penale Ndërkombëtare ka në themel 'marrëveshjen e marrëdhënies' që u miratua nga Asambleja e Përgjithshme në 2004-n. Dhe kështu, pa dyshim, ne do të shqyrtojmë ndonjë ndikim të mundshëm që mund të ketë ky zhvillim në lidhje me zbatimin e marrëveshjes," u shpreh ai.

Presidenti Donald Trump nxori ​​një urdhër ekzekutiv të enjten, që bllokon pasuritë financiare të zyrtarëve të gjykatës dhe ndalon anëtarët e familjeve të tyre të hyjnë në ShBA.

OKB-ja u bashkohet kështu Bashkimit Evropian e grupeve të të drejtave të njeriut që kanë shprehur shqetësimin dhe dënimin e tyre ndaj masës së marrë nga ShBA.

Deri më tani, Izraeli është i vetmi vend që ka dalë në mbështetje të vendimit të presidentit Trump. (Artan)

Mrekulli
Lajmet Kryesore