Shefi i policisë së Mineapolisit premton reforma

2020-06-11 11:12:55 CRI Komenti juaj Printoni

Departamenti i Policisë së Mineapolisit ka njoftuar se do të tërhiqet nga negociatat për kontratat e policisë, në mes të protestave kundër vrasjes së George Floyd-it nga policia.

Shefi i policisë Medaria Arradondo thotë se kjo është pjesë e hapit të parë të reformave në polici:

"Si shef, unë tërhiqem menjëherë nga negociatat e kontratave me Federatën Sindikale të Policisë së Mineapolisit. Unë planifikoj të ofroj në këtë çështje përvojë e këshilltarë, për të bërë një rishikim të plotë se si mund të ristrukturohen kontratat, për të siguruar më shumë transparencë për publikun dhe më shumë elasticitet për një reformë të vërtetë."

Rishikimi i planifikuar do të shqyrtojë çështje të tilla si protokollet kritike, përdorimi i forcës dhe protokollet disiplinore, duke përfshirë ankesat dhe arbitrazhin.

Arradondo premton gjithashtu studime dhe strategji të reja për të identifikuar punonjësit e policisë me probleme:

"Një masë e dytë kryesore e planit tim të reformës është integrimi i sistemeve të reja që përdorin studime mbi sjelljen e policisë, për të lidhur të dhënat e rezultateve të punonjësve të policisë, me synimin që drejtuesit e departamenteve të identifikojnë shenjat e hershme paralajmëruese të sjelljes së keqe dhe të ofrojnë strategji të provuara për të ndërhyrë."

Floyd vdiq më 25 maj pasi polici Derek Chauvin e vuri gjurin në qafë, duke shpërfillur lutjet e Floyd-it se nuk merrte dot frymë.

Para incidentit, Chauvin-i kishte 17 ankesa kundër tij dhe ishte disiplinuar vetëm një herë.

Ai është akuzuar për vrasje të shkallës së dytë dhe tre policë të tjerë të përfshirë në vdekjen e Floyd-it përballen gjithashtu me akuza.

Të katër policët u pushuan nga puna para se të ngrihej padi penale kundër tyre.

Mrekulli
Lajmet Kryesore