Pekini stimulon konsumin me anë të kuponëve

2020-06-04 20:04:31 CRI Komenti juaj Printoni

Pekini do të shpërndajë mbi 12 miliardë juanë në kuponë duke filluar nga e shtuna për të nxitur konsumin pas shpërthimit të COVID-19.

Kuponat do të përdoren në restorante, zona tregtare dhe dyqane të tjera në Pekin dhe do të shpërndahen përmes një aplikacioni online.

Kuponat do të skadojnë brenda 14 ditësh nga data e shpërndarjes.

Joel Gallo, kryeekzekutivi i kompanisë së këshillimit "Columbia China League" tha se periudha e shkurtër e vlefshmërisë i stimulon më tej njerëzit të konsumojnë.

"Mendoj se njerëzit janë të prirur të kursejnë shumë para dhe kjo ngadalëson blerjet. Ose disa njerëz harxhojnë një pjesë parash dhe pastaj përfundojnë duke kursyer pjesën tjetër. Por me kuponat, mendoj se njerëzit do të nxitojnë drejt konsumit dhe do të veprojnë me një sens nxitimi, veçanërisht nëse ka një datë skadimi; ju duhet të përdorni kuponin ose ta humbni atë".

Megjithatë, doktor Zhou Hang nga Universiteti i Ekonomisë dhe Biznesit Ndërkombëtar thotë se është i shqetësuar për ndikimin e vërtetë të kuponave.

"Para së gjithash, kjo kërkon që ju të blini produkte të caktuara. Nëse këto produkte janë domosdoshmëri, atëherë do t'i blini ato patjetër dhe efekti i kuponave mund të mos jetë aq i dukshëm. Kuponat mund të dështojnë në stimulimin e konsumit shtesë."

Gallo shtoi se shpreson që të ketë kupona për produktet apo shërbimet e bizneseve të veçanta që janë dëmtuar më shumë nga pandemia COVID-19.

Shumë qytete të tjera në Kinë gjithashtu kanë ndërmarrë masa të ngjashme stimuluese për të rritur konsumin që nga shpërthimi i COVID-19.

Sipas Ministrisë së Tregtisë, prej muajit të kaluar, 28 provinca dhe qytete kanë shpërndarë një total kuponësh që kapin shifrën e mbi 19 miliardë juanëve. (Albana)

Mrekulli
Lajmet Kryesore