OBSh-ja: "Rihapja" e vendeve duhet të jetë e ngadaltë

2020-05-12 11:32:16 CRI Komenti juaj Printoni

Kreu i OBSh-së ka propozuar që "mbylljet" në vende të ndryshme për të kufizuar përhapjen e pandemisë, duhet të hiqen në mënyrë të ngadaltë dhe të qëndrueshme.

"Për të mbrojtur jetën dhe jetesën e njerëzve, heqja e masave kufizuese në mënyrë të ngadaltë dhe të qëndrueshme është një masë kyçe si për nxitjen e ekonomisë, ashtu dhe për ruajtjen e vigjilencës ndaj virusit, me qëllim që masat e kontrollit të merren shpejt nëse ka rritje të rasteve," tha Tedros Adhanom Ghebreyesus-i.

Deklaratat e tij bëhen teksa disa vende po lehtësojnë kufizimet, me përpjekje për të rifilluar funksionimin e ekonomive të tyre, pa shkaktuar një valë të ri infektimesh.

Gjermania ka raportuar një rritje të rasteve të infektimit pas lehtësimit të kufizimeve, kurse në Wuhan të Kinës Qendrore janë konfirmuar disa raste të reja pas rihapjes së qytetit. Ndërkohë, në Korenë e Jugut, një klient në një klub nate është i lidhur me 85 raste të reja infektimi.

"Për fat të mirë, të tre vendet kanë sisteme për zbulimin dhe reagimin ndaj rritjes së rasteve të infektimit," tha numri një i OBSh-së.

Ghebreyesus-i vuri në dukje se studimet fillestare tregojnë se një përqindje relativisht e ulët e popullsisë ka antitrupa ndaj COVID-19, që do të thotë se shumica e popullsisë është ende e ndjeshme ndaj virusit.

Numri i rasteve të konfirmuara të COVID-19 të raportuara OBSh-së i ka kaluar 4 milionë në tërë botën, duke përfshirë mbi 278 mijë vdekje.

Shtetet e Bashkuara kanë raportuar rreth 1.3 milion raste të konfirmuara dhe më shumë se 76 mijë vdekje, duke qenë vendi më i goditur.

Spanja dhe Rusia janë përkatësisht vendi i dytë dhe i treti për numrin e infektimeve.

Britania dhe Italia kanë raportuar më shumë se 210 mijë raste.(Jiang Lei)

Mrekulli
Lajmet Kryesore