Aleanca "Five Eyes" hedh poshtë teorinë konspirative mbi burimin e virusit

2020-05-06 15:28:26 CRI Komenti juaj Printoni

Lidhur me deklaratat e presidentit amerikan Donald Trump dhe të sekretarit amerikan të Shtetit Mike Pompeo që koronavirusi e ka burimin nga Instituti i Virologjisë i Wuhan-it, Aleanca "Five Eyes" u shpreh se epidemia e koronavirusit të ri nuk mund të jetë shkaktuar nga ndonjë incident laboratorik.

Aleanca "Five Eyes" është një rrjet i ndarjes së informacioneve i krijuar nga ShBA-ja, Britania, Kanadaja, Australia dhe Zelanda e Re. Duke iu referuar fjalëve të një diplomati perëndimor, CNN-i njoftoi se virusi ka mundësi të jetë natyror dhe kontakti midis njerëve dhe kafshëve shkaktoi infektimin njerëzor.

CNN-i mendon se Aleanca "Five Eyes" hedh poshtë deklaratën e Trump-it dhe të Pompeo-s, që do të shtojë presionin mbi administratën e Trump-it për të ofruar dëshmi për deklaratat.

Gazeta australiane "The Daily Telegraph" njoftoi se një dokument me 15 faqe akuzon Kinën për fshehje të situatës së vërtetë të epidemisë në vend dhe se ky dokument është nga Aleanca "Five Eyes" . Por gazeta angleze "The Guardian" njoftoi më 4 maj se dokumenti nuk është nga Aleanca, por ka mundësi të jetë nga ShBA-ja. Sipas "The Guardian", ky është një mjet presioni ndaj Kinës.

Leonid Slutsky, kryetari i Komisionit të Punëve të Jashtme të Dumës së Rusisë, tha se njoftimet e Perëndimit që Kina fsheh të dhënat e vërteta të situatës së epidemisë janë një veprim i politizuar kundër Kinës. Ai tha se Kina nuk është "partnere" e koronavirusit, por një vend që gjithashtu ka pësuar humbje nga epidemia. Burimi i virusit nga laboratori, sipas tij, është spekulim.

Megjithëse deri tani nuk ka ende një rezultat përfundimtar mbi burimin e koronavirusit të ri, nga studimet del se origjina e tij është natyrore. Kohët e fundit gazeta angleze "The Guardian" njoftoi se shkencëtarët kundërshtojnë njëzëri thëniet mbi burimin e virusit të COVID-19 nga laboratori.

James Le Duc, drejtori i Laboratorit Kombëtar "Galveston" të ShBA-së, tha: "Ekzistojnë prova të besueshme se ky virus i ri nuk është rezultat i modifikimit të qëllimshëm gjenetik. Është pothuajse e sigurt që ai ka origjinë natyrore, sepse është shumë i ngjashëm me koronaviruset e tjera të zbuluara që lidhen me lakuriqët e natës".

Duc e vizitoi në vitin 2017 laboratorin, para se të vihej në përdorim në Institutin e Virologjisë të Wuhan-it. Ai beson se "masat e cilësisë dhe të sigurisë të laboratorit janë të krahasueshme me ato që funksionojnë tani në Shtetet e Bashkuara ose Evropë".

Në një mendje me të është gjithashtu edhe epidemiologia amerikane Moline Miller, e cila ka punuar me Shi Zhengli-në, një eksperte nga Instituti i Virologjisë i Wuhan-it pranë Akademisë të Shkencave të Kinës, në një projekt bashkëpunimi ndërmjet të dy vendeve. Ajo beson se dalja e virusit nga laboratori është "krejtësisht një teori konspirative".

Mrekulli
Lajmet Kryesore