Johnson-i: Britania e kaloi kulmin e epidemisë

2020-05-01 09:33:51 CRI Komenti juaj Printoni

Kryeministri britanik Boris Johnson është shprehur se vendi i tij e ka kaluar kulmin e shpërthimit të koronavirusit.

Johnson-i zhvilloi konferencën e tij të parë për shtypin mbi COVID-19 që nga muaji mars, pas shërimit vetë nga kjo sëmundje.

Ai u shpreh se janë kryer mbi 900 000 testime për koronavirusin, nga të cilat 171 000 kanë dalë pozitive, ndërsa ka mbi 26 700 vdekje.

Kreu i qeverisë britanike njoftoi se do të paraqesë një plan të gjithanshëm javën tjetër për rifillimin e ekonomisë, rihapjen e shkollave dhe kthimin e njerëzve në punë.

"Për herë të parë e kemi kaluar kulmin e kësaj sëmundjeje dhe ajo është në rënie. Kemi disa arsye për të pasur shpresë për një periudhë afatgjatë," u shpreh Johnson-i.

Ai theksoi se Britania po drejton përpjekjet ndërkombëtare për të krijuar një vaksinë kundër COVID-19.

Gjigandi farmaceutik "AstraZeneca" po bashkëpunon me Universitetin e Oksfordit për të prodhuar dhe shpërndarë një vaksinë të COVID-19 që po testohet.

Sipas burimeve të kësaj kompanie, prodhimi tashmë po fillon, teksa janë duke u zhvilluar provat njerëzore për vaksinën në Britani.

Profesori i mjekësisë John Bell thotë se ata do ta mësojnë nga mesi i qershorit nëse vaksina do të funksionojë.

Dhjetëra vaksina janë duke u krijuar, por Organizata Botërore e Shëndetësisë vlerëson se do të duhen 12-18 muaj për të gjetur një vaksinë.

Mrekulli
Lajmet Kryesore