Gënjeshtra mbi virusin po bëhet orvatje e rrezikshme politike

2020-04-23 12:05:03 CRI Komenti juaj Printoni

 

Shkrimtari amerikan Mark Twain ka thënë që, kur e vërteta është ende duke lidhur këpucët, gënjeshtra ka përshkruar tashmë gjysmën e botës. Tani, gënjeshtra që COVID-19 e ka burimin nga Wuhan-i është vënë në fokusin e botës, duke u kthyer në një përpjekje për të arritur përfitime politike me përbaltjen ndaj Kinës. Më 17 prill, sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo në një intervistë për televizionin "Fox News", e çoi këtë gënjeshtër në arenën globale, duke i kërkuar Kinës të lejojë ekspertët amerikanë të bëjnë hetime në laboratorin e virologjisë në Wuhan.

Për fat të keq, me përkeqësimin e gjendjes epidemike në ShBA, është bërë një konsensus në opinionin publik amerikan që Shtëpia e Bardhë nuk po e përballon mirë këtë krizë. Në një vit kyç zgjedhor, përpara një krize të tillë, Shtëpia e Bardhë po kërkon të gjejë një dash kurbani për të arritur objektivat politike dhe përfitime politike. Gënjeshtra që "virusi ka ardhur nga laboratori kinez" është një veprim i tillë.

Në shkurt të këtij viti, në revistën "Lancet" u botua një deklaratë e përbashkët nga 27 ekspertë të njohur ndërkombëtarë të shëndetit publik, të cilët kanë dënuar ashpër thëniet në internet për prejardhjen e koronavirusit. Më 21 prill, zëdhënësja e OBSh-së, Fadra Shaib, u shpreh që të gjitha dëshmitë tregojnë që koronavirusi i ri ka ardhur nga kafshët dhe nuk është prodhuar në laborator nga njeriu. Ajo shtoi gjithashtu që tani OBSh-ja po lufton dy pandemi: të koronavirusit të ri dhe të informacioneve të rreme.

Përpara epidemisë, vendet duhet të bashkëpunojnë sipas parimeve shkencore. Por, nën ndikimin politik, veprimet e ndryshme të paarsyeshme po mbizotërojnë në ShBA, vlerësimet shkencore nga palët me autoritet janë mënjanuar dhe kontradiktat janë intensifikuar. Pas gënjeshtrave dhe kaosit, qëndrojnë mosmarrëveshjet mes dy partive kryesore, gjykimet gjeopolitike të ShBA-së dhe dallimet ideologjike mes kapitalizmit e socializmit, të cilat tregojnë luftën e fortë politike për pushtet në ShBA, duke treguar mungesë humanizmi për t'u kujdesur për jetët njerëzore.

Gazeta britanike "Guardian" publikoi një artikull, ku thuhet që liderët amerikanë po e hedhin përgjegjësinë e koronavirusit tek Kina. Kjo është lojë politike vdekjeprurëse që jo vetëm po vret amerikanë, por edhe po minon ndikimin e ShBA-së në botë. Krahas këtyre, shtimi i mosmarrëveshjeve po heq mundësinë e bashkëpunimit ndërmjet ShBA-së e Kinës për të përballuar shpërthimin e epidemisë, qoftë tani, qoftë në të ardhmen.

Më 20 prill, sekretari i përgjithshëm i OBSh-së Tedros Adhanom Ghebreyesus paralajmëroi që koronavirusi i ri po shfrytëzon divergjencat mes njerëzve, partive e vendeve të ndryshme. Nëse nuk forcohet uniteti mes palëve, "kohë edhe më të keqija do të vijnë", tha ai. Për këtë arsye, vendet duhet të bashkohen, të kundërshtojnë veprimet që shfrytëzojnë virusin për përfitime politike dhe të mposhtin gënjeshtrat me fakte të vërteta. Vetëm kështu njerëzimi do të ecë në rrugën e fitores ndaj koronavirusit të ri. (Jiang Lei)

Mrekulli
Lajmet Kryesore