Ekspertët australianë hedhin poshtë spekulimet për burimin laboratorik të COVID-19

2020-04-21 14:25:51 CRI Komenti juaj Printoni

Shumë virologë dhe epidemiologë australianë u shprehën ditët e fundit se dyshimet për burimin laboratorik të COVID-19 janë pa bazë.

Në një artikull të botuar në mars në revistën mjekësore britanike "Nature Medicine", një ekip ndërkombëtar studiuesish, i drejtuar nga profesori Edward Holmes i Universitetit të Sidnejit, deklaroi se analizat mbi të dhënat gjenetike të koronavirusit të COVID-19 tregojnë se ai është rezultat i evolucionit natyror. Sipas tyre, zërat që thonë se virusi është prodhuar në laborator nuk kanë bazë.

"Nëse dikush dëshiron të prodhojë një tip koronavirusi, ai duhet të zgjedhë një nga viruset ekzistuese dhe të bëjë kultivim të mëtejshëm. Por, ky koronavirus nuk ka asnjë karakteristikë të virusit të kultivuar në laborator. Kështu që jemi të sigurt se nuk është i drejtë spekulimi për burimin laboratorik të këtij koronavirusi", theksoi profesori Holmes.

Drejtuesi i Programit të Epidemiologjisë dhe të Imunologjisë të Institutit të Shëndetësisë "Menzies" pranë Universitetit "Griffith" në Kuinsland Nigel McMillan u shpreh se deri tani të gjitha dëshmitë vërtetojnë se koronavirusi i tipit të ri është produkt i natyrës dhe jo i njeriut. Sipas tij, analizat e mostrave të mbledhura në përmasë globale tregojnë se një virus që mbartet nga lakuriqi i natës dhe një tjetër nga pangolinët janë më të afërt me virusin që po përhapet. Po tani duhen kërkime të mëtejshme për mënyrën e kombinimit dhe ndryshimit të tyre. Z. McMillan theksoi se ndryshimi ndodhi në mënyrë natyrore dhe jo artificiale.

Për lindjen e koronavirusit të ri, McMillan-i nuk u shpreh i befasuar. Ky virolog u shpreh se qarqet shkencore janë gjithmonë të gatshme të hasin viruse të panjohura dhe se qeveritë e vendeve të ndryshme kanë edhe mekanizëm përballues kundër viruseve të tilla.

"Nëpërmjet studimeve mbi virusin e SARS-it dhe atë që shkaktoi MERS-in, kemi njohuri për koronaviruset në përgjithësi. Ndryshimi i koronaviruseve ka ndodhur më parë dhe do të vazhdojë të ndodhë në të ardhmen. Për çdo virolog dhe çdo qeveri, kjo nuk është një gjë befasuese. Çdo qeveri ka mekanizëm përballues ndaj pandemisë, por këtë herë, vendet si ShBA-ja dhe Britania nuk e kanë zbatuar si duhet", tha z. McMillan.

Ai theksoi se në të ardhmen, njerëzimi do të përballet me sfidën e pandemisë. "Më e rëndësishmja është që të mos e harrojmë këtë përvojë për të mos përsëritur gabimet e bëra", vuri në dukje virologu australian.

Ndërsa profesori i asociuar i epidemiologjisë pranë Universitetit australian "La Trobe", Hassan Vally, vuri në dukje se teoria e komplotit nuk ka asnjë bazë faktike. "Duhet të jemi të kujdesshëm, duke mos lënë hapësirë për thashetheme", tha ai, duke shtuar se disa njerëz po i përdorin këto thashetheme për qëllime politike.

Mrekulli
Lajmet Kryesore