Ish-kryeparlamentari tajlandez: Lufta ndaj COVID-19 është detyrë e të gjitha vendeve

2020-04-10 11:55:55 CRI Komenti juaj Printoni

 

Më 8 prill, kur "u rihap" qyteti Wuhan, ish-kryetari i parlamentit të Tajlandës dhe kryetari i Këshillit të Strategjive të partisë "Pheu Thai", Phokhin Pholakun, u shpreh në një intervistë për CMG-në se "rihapja" e Wuhan-it është një simbol që lufta e Kinës ndaj COVID-19 ka pasur efekte fazore.

Ai theksoi që luftimi i koronavirusit të ri nuk është detyra e ndonjë vendi të veçantë, por një problem i përbashkët që duhet ta përballojnë të gjitha palët:

"Kur mora vesh që Wuhan-i u godit nga COVID-19, u pikëllova. Më pas i kam kushtuar vëmendje luftës së përbashkët të PKK-së, qeverisë kineze dhe popullit kinez kundër epidemisë. Është një proces që më ka prekur shumë. Pas 76 ditësh mbylljeje, njerëzit në Wuhan tani mund të dalin jashtë të qetë".

Phokhin Pholakun-i shprehet që ai e ka parë dokumentarin për luftën ndaj epidemisë në Wuhan dhe ka vërejtur largpamësinë e politikanëve kinezë, duke u njohur me masat e qeverisë kineze, vullnetin e sakrificën e banorëve dhe të personelit mjekësor. Kjo fitore është bazuar te besimi i plotë i qytetarëve te PKK-ja dhe qeveria kineze. Kjo vlen të mësohet nga shumë vende të tjera.

"Wuhan-i nuk u mbyll thjesht, por gjatë asaj kohe, u përdorën një sërë masash profesionale parandaluese në mënyrë të rregullt dhe koha e mbylljes nuk u harxhua kot," thotë ai.

Pholakun-i shprehet që atij vetë i ka bërë më shumë përshtypje koncepti i paraqitur nga kryetari Xi Jinping për një bashkësi fatesh të përbashkëta të njerëzimit. COVID-19 është armiku i përbashkët i njerëzimit. Përballë këtij armiku të egër, vendet duhet të bashkëpunojnë dhe jo të akuzojnë njëri-tjetrin ose të krijojnë mosmarrëveshje. Kjo është shumë e rëndësishme.

"Gjatë luftës globale kundër epidemisë, kanë dalë shpesh zëra akuzues dhe përbaltës ndaj Kinës. Këto mendime dhe veprime janë shkaku për mosharmoninë në botën tonë. Nëse bota mbushet me mirësi dhe paqe, virusi do të jetë shumë i vogël. Po ta lidhësh çdo problem me politikën dhe të nisesh nga interesat e tua, problemi nuk do të zgjidhet kurrë," theksoi Pholakun-i.

Ai theksoi që Kina, pas kontrollit efektiv të gjendjes epidemike, tani po përpiqet për të ndihmuar të tjerët. Masat e Kinës për zgjidhjen e problemit janë plot mençuri.

"Luftimi i koronavirusit të ri nuk është detyra e ndonjë vendi të vetëm, por është një problem i përbashkët që duhet përballuar nga të gjitha palët. Përfitim i vërtetë nuk është përfitimi vetëm për veten, por përfitimi i përbashkët. PKK-ja u ka bërë thirrje mbi 240 partive të më shumë se 100 vendeve të botës për ndërtimin e bashkësisë së fateve të përbashkëta të njerëzimit dhe formimin e një bashkësie globale kundër COVID-19, për të arritur një ndarje globale të burimeve shëndetësore të botës. Unë i vlerësoj shumë masat e Kinës," thotë Pholakun-i.

Ai shpreson gjithashtu që kjo krizë të shndërrohet në një mundësi për bashkimin e forcave globale dhe për të luftuar epideminë me forca të bashkuara.(Jiang Lei)

Mrekulli
Lajmet Kryesore