Autoritetet në Wuhan: Zero raste të reja COVID-19 nuk nënkupton rrezik zero

2020-04-08 18:08:16 CRI Komenti juaj Printoni

Autoritetet në Wuhan u bënë thirrje banorëve që të mos largohen nga lagjet e tyre, ose provinca Hubei, por ta bëjnë këtë vetëm në rast se është e nevojshme, pasi qyteti doli zyrtarisht nga karantina këtë mëngjes.

Kufizimet e udhëtimit kanë përfunduar, pikat e kontrollit të trafikut janë hequr dhe tranziti po rifillon funksionimin normal.

Sidoqoftë, zyrtarët paralajmërojnë se ekziston ende një rrezik infektimi në qytet.

Hu Shuguang është kryetar i Komitetit të Konferencës Konsultative Politike të Popullit Kinez në Wuhan.

"Zero raste të reja nuk do të thotë rrezik zero. Heqja e bllokimit nuk është e barabartë me heqjen e parandalimit dhe kontrollit të epidemisë. Hapja e portës së qytetit nuk është e njëjtë me hapjen e derës së një familjeje."

Sipas një deklarate të lëshuar nga qendra kundër COVID-19 e krahinës, lagjet e banimit në qytet do të vazhdojnë menaxhimin e mbyllur.

Kjo do të thotë që qendrat tregtare, supermarketet, parqet dhe spitalet e rihapura duhet të kontrollojnë rreptësisht numrin e vizitorëve dhe të masin temperaturën e blerësve dhe vizitorëve për të shmangur infeksionin kryq dhe se të gjitha shkollat në provincën Hubei do të vazhdojnë të mbeten të mbyllura deri në njoftim të dytë.

Më 23 janar, Wuhan-i u izolua duke pezulluar transportin publik të qytetit dhe të gjitha fluturimet dhe udhëtimet hekurudhore e detare për të frenuar përhapjen e epidemisë. (Albana)

Mrekulli
Lajmet Kryesore