Kina nxit rifillimin e punës së industrive të manifakturës

2020-03-26 10:13:37 CRI Komenti juaj Printoni

Qeveria kineze ka kërkuar rifillimin e shpejtë të punës së kompanive kryesore të manifakturës të orientuara nga eksporti.

Thirrja bëhet teksa pandemia e COVID-19 mund të paraqesë sfida serioze për ekonominë botërore, pavarësisht se përhapja e brendshme në Kinë në përgjithësi është frenuar.

Prodhuesja e boshteve të transmisionit të automjeteve SDS është një ndër kompanitë kryesore në këtë fushë në botë.

Fabrika e saj në Wuhan është më e madhja në llojin e vet në Kinë. Një në gjashtë automjete që montohen në Kinë, është e pajisur me një bosht transmisioni të prodhuar në këtë fabrikë.

Ndërsa kompanitë prodhuese në Wuhan, ish-epiqendra e shpërthimit të COVID-19, janë përgatitur për rifillimin e punës, tetë nga 15 linjat e prodhimit në fabrikën e SDS-së në Wuhan kanë rinisur funksionimin.

Menaxheri në këtë fabrikë Gao Weidong thotë se prodhimi po rimëkëmbet shpejt:

"Kapaciteti ynë i plotë ditor është 10 000 njësi. Tani 8 000 njësi dalin nga linjat e prodhimit çdo ditë, gjë që mund të përmbushë kërkesat e klientëve tanë."

Rimëkëmbja e industrisë së automjeteve është e ndërlikuar, sepse përfshin shumë aktorë tregu.

Një nga furnizueset e kësaj fabrike në Wuhan është përballur me sfida në rifillimin e punës.

Menaxherja e përgjithshme e "Wuhan Lianhang" Wang Ju thotë:

"Në fillim na duhej të përsosim protokollin tonë për parandalimin e sëmundjeve. Gjithashtu, u përballëm me mungesën e furnizimit të lëndëve të para. Duhet kohë për të marrë një sasi të madhe të lëndëve të para."

Por autoritetet vendore e zgjidhën problemin e furnizimit duke ftuar rreth dhjetë firma furnizimi të lëndës së parë.

Përveç Wuhan-it, prodhuesit në mbarë Kinën po shpejtojnë rifillimin e punës, teksa transmetimi i brendshëm i COVID-19 është frenuar.

Autoritetet po lehtësojnë ndihmën financiare dhe logjistike, ndërsa epidemia ka prishur rrugët e transportit dhe zinxhirët e furnizimit.

Këshilli i Shtetit thotë se do të marrë masa më të shënjestruara për të stabilizuar ekonominë.

Masat e reja nga qeveria kanë bërë që kompani të mëdha, si SDS, të nxiten të bëjnë pagesa paraprake për partnerët e tyre më të vegjël.

Qeveria qendrore gjithashtu thotë se do të mbështesë ndërmarrjet të zhvillojnë negociata dhe ekspozita në internet, për të stabilizuar porositë nga jashtë vendit.

Mrekulli
Lajmet Kryesore