Shefi i OBSH-së: Mos humbisni "dritaren e dytë të mundësive"

2020-03-26 21:54:25 CRI Komenti juaj Printoni

Të mërkurën, sekretari i përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) Tedros Adhanom Ghebreyesus u shpreh në një konferencë shtypi se vendet e ndryshme duhet të marrin masa më aktive për të mos humbur "dritaren e dytë të mundësive" në përballjen me COVID-19.

Ghebreyesusi tha se gjatë dy muajve të fundit, ai e konsideroi gjithnjë COVID-19 si "armikun e parë të përbashkët", por për fat të keq, shumë vende nuk kanë marrë masat e duhura dhe për pasojë, humbi "dritarja e parë e mundësive" në kontrollin e epidemisë. Pas shpërthimit global të epidemisë, shumë vende kanë marrë masa të rrepta, kanë mbyllur shkollat e ndërmarrjet, kanë pezulluar ndeshjet sportive duke u kërkuar njerëzve të qëndrojnë në shtëpi. Pavarësisht çmimit të lartë ekonomiko-shoqëror, masat e mbylljes nuk mund ta zhdukin virusin, por kanë sjellë "dritaren e dytë të mundësive" për njerëzimin. Ai tha:

"U bëjmë thirrje të gjitha vendeve që kanë marrë masat e mbylljes ta përdorin këtë periudhë për ta sulmuar virusin. Ju keni krijuar dritaren e dytë të mundësive, por pyetja është, si do ta përdorni?"

OBSH-ja ka paraqitur 6 propozime të rëndësishme duke përfshirë forcimin e sistemit të shëndetësisë, kërkimin e rasteve të dyshimta të sëmundjes në lagje, shtimin e prodhimeve të reagenteve të zbulimit, hartimin e planit të karantinës etj.

Ghebreyesusi tha se marrja e masave aktive për të kërkuar, zbuluar, karantinuar, ndjekur dhe trajtuar rastet e sëmundjes është mënyra më e mirë dhe më e shpejtë e përfundimit të epidemisë. Tani në botë ka rreth 150 vende e rajone me më pak se 100 raste të konfirmuara të sëmundjes. Nëse merren masat aktive, këto vende e rajone mund të shmangin humbje të mëdha shoqërore e ekonomike. (Fani)

Mrekulli
Lajmet Kryesore