Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë nxit ridimensionimin dhe intensifikimin e marrëdhënieve me Kinën

2020-02-22 11:02:07 CRI Komenti juaj Printoni

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë pati të premten një drekë pune me ambasadorin e Republikes Popullore të Kinës në Tirane, Zhou Ding.

Në një atmosferë shumë miqësore u shkëmbyen mendime dhe u bënë vlerësime për marrëdhëniet midis dy vendeve, me theks të veçantë në nevojën që ato të zhvillohen e të intensifikohen në përputhje me mirëkuptimin politik të Shqipërisë me Kinën.

Presidenti i Këshillit të Ambasadorëve Shqiptarë, Besnik Mustafaj, nënvizoi kontributin e diplomatëve të karrierës me sugjerimet dhe dhënien e përvojave të tyre në inkurajimin e qeverisë shqiptare për një ridimensionim të marrëdhënieve me Kinën në të gjitha fushat, për t'iu përgjigjur sa më konkretisht me projekte konkrete nismave të mëdha "Një brez, një rrugë" e "17 + 1".

Nga ana e tij, ambasadori Zhou Ding vlerësoi punën dhe përvojën diplomatike të Këshillit, duke e konsideruar atë jo vetëm një pasuri shqiptare, por edhe pasuri e referencë të rëndësishme diplomatike në misionin e tij.

Ai theksoi se marrëdhëniet kino-shqiptare zënë një vend me rëndësi në diplomacinë kineze, por është shumë e rëndësishme që ato të thellohen. Kina, nënvizoi ambasadori Zhou, respekton sovranitetin e të gjitha vendeve dhe nuk ndërhyn në vendimmarrjet dhe politikat e brendshme të tyre. Ajo, si vendi me ekonominë e dytë më të madhe në botë, është e hapur dhe e gatshme për bashkëpunim, veçanërisht në ekonomi.

Ambasadori Zhou Ding përcolli mesazhe entuziaste për mbështetjen e Shqipërisë nga Konferenca e Donatorëve në Bruksel dhe rikonfirmoi vullnetin e qeverisë kineze në mbështetje të Shqipërisë për tejkalimin sa më të shpejtë të pasojave të tërmetit.

Ai foli edhe për situatën e krijuar nga epidemia e koronavirusit, duke qenë optimist se kjo sfidë do të përballohet me sukses. Ai tha se optimizmi që shpreh OBSh-ja është një garanci e mbështetje më shumë në përpjekjet e gjithanshme të qeverisë e popullit kinez në këtë drejtim.

Në fund të takimit, diplomati Gëzim Podgorica u dhuroi ambasadorit Zhou Ding dhe gjithë anëtarëve të Këshillit të Ambasadorëve librin e tij: "Kina, nje gravitet i epokës së re", të botuar me mbështetjen e CRI-së.

Mrekulli
Lajmet Kryesore