Kinë, shtohen investimet e huaja në janar

2020-02-18 21:22:47 CRI Komenti juaj Printoni

Sipas të dhënave të fundit të publikuara nga Ministria kineze e Tregtisë, në janar të këtij viti, në Kinë u hapën 3485 ndërmarrje të reja me investime të huaja. Vëllimi i investimeve të huaja arriti në 87.57 miliardë juanë (rreth 12.5 miliardë dollarë), duke u shtuar 4% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Kjo rritje ka vijuar prirje të qëndrueshme pozitive prej vitit të kaluar. Investimet e huaja janë përqendruar kryesisht në sektorët e teknologjisë së lartë. Eksperti përkatës u shpreh se pavarësisht ndikimit negativ nga epidemia e koronavirusit të tipit të ri, qëndrueshmëria e ekonomisë kineze nuk ka ndryshuar.

Studiuesi i zyrës së këshilltarëve të Këshillit të Shtetit të Kinës Yao Jingyuan u shpreh se rritja e investimeve të huaja në janar tregon se bota është optimiste për perspektivën e ekonomisë kineze:

"Ruajtja e rritjes së investimeve të huaja në Kinë ka lidhje të drejtpërdrejtë me përmirësimin e pandërprerë të mjedisit të biznesit kinez dhe me hapjen me botën e jashtme me nivelin më të lartë. Nga ana tjetër, bota është ende optimiste për ekonominë kineze, Kina vijon të mbetet motori i nxitjes së rritjes së ekonomisë botërore."

Sipas të dhënave rezulton gjithashtu se në janar, investimet nga vendet përgjatë "Një brez, një rrugë" në Kinë u shtuan shumë. Njëkohësisht më shumë vende kanë marrë pjesë aktivisht në bashkëpunimin ekonomik me Kinën në sektorët e telekomunikacionit, të inteligjencës artificiale etj.

Yao Jingyuan shtoi se gjendja epidemike ka ndikim të kufizuar mbi ekonominë kineze:

"Megjithëse Kina përballon goditjen e koronavirusit të tipit të ri, nuk ka ndryshuar prirja e tranzicionit dhe e zhvillimit të ekonomisë vendëse. Tani më i rëndësishëm është zgjerimi i mëtejshëm i kërkesave të brendshme duke krijuar një kanal të mirë për zhvillimin e mirë të investimeve të huaja në Kinë." (Fani)

Mrekulli
Lajmet Kryesore