General Motors do tërhiqet nga Australia, Zelanda e Re dhe Tajlanda

2020-02-17 19:08:08 CRI Komenti juaj Printoni

Prodhuesi i fuqishëm amerikan i automobilave "General Motors" (GM) ka njoftuar se do tërhiqet nga Australia, Zelanda e Re dhe Tajlanda si pjesë e një strategjie për të dalë nga tregjet që nuk sjellin kthim të pritshëm nga investimi.

Zëvendëspresidenti i Lartë i Operacioneve Ndërkombëtare të General Motors, Julian Blissett u tha gazetarëve në Melbourne se kompania do të ndalojë shitjet, inxhinierinë dhe operacionet e projektimit për markën e saj historike Holden në Australi dhe Zelandën e Re në vitin 2021.

"Ky ishte një vendim torturues për ne dhe nuk e patëm të lehtë. Tërheqja do të nisë gjatë këtij viti dhe do të ndikojë të gjitha funksionet me përjashtim të pas shitjeve, të cilat do të vazhdojnë të mbështesin klientët ekzistues të Holden me garanci, pjesë këmbimi dhe riparim të paktën për 10 vitet e ardhshme."

GM-ja ka një histori të gjatë në Australi me markën Holden. Por kompania tha se pjesa e tregut të Holden, e cila ishte gati 22 për qind në vitin 2002, ra në pak më shumë se 4 për qind vitin e kaluar.

GM-ja ka 828 të punësuar në Australi dhe Zelandën e Re dhe 1500 të tjerë në Tajlandë.

Duke reaguar ndaj lajmeve, qeveria australiane dhe Unioni i Punëtorëve Australianë të Prodhimtarisë thanë se janë "të zhgënjyer" nga vendimi i "General Motors', duke shprehur shqetësim për punëtorët që do të humbasin punën.

Ministrja australiane për Industri, Shkencë dhe Teknologji Karen Andrews tha se vendimi do të prekë rreth 500 punëtorë.

"Është zhgënjyese që po vjen fundi i një epoke. Unë jam siguruar nga Holden që ata do të bëjnë gjithçka që munden për të mbështetur punëtorët dhe gjithashtu tregtarët që janë prekur nga kjo gjë."

Mrekulli
Lajmet Kryesore