Restorantet kineze përpiqen të kapërcejnë sfidat e epidemisë së koronavirusit

2020-02-16 13:14:00 CRI Komenti juaj Printoni

Sektori kinez i ushqimeve është një prej industrive që përpiqen të kapërcejnë sfidat e sjella nga shpërthimi i koronavirusit. Ditët e pushimit gjatë Festës së Pranverës janë sezoni i pikut për restorantet në Kinë. Por këtë vit shpërthimi i koronavirusit i ka shkaktuar një goditje të rëndë industrisë ushqimore të Kinës. Sipas të dhënave zyrtare, mbi 90 % e restoranteve kineze e kanë ndaluar biznesin e tyre, dhe 78 % e restoranteve pësuan një ulje 100 % në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Liang Haorong-u zotëron nëntë restorante në Guangdong. Tani vetëm dy prej tyre qëndrojnë të hapur. Ai thotë: "Epidemia është një sfidë për sektorin ushqimor. Kemi zbatuar kërkesat e autoriteteve vendore për t'i mbyllur restorantet. Por ne duhet të paguajmë qiranë dhe rrogat e punonjësve, gjë që më ka sjellë trysni të madhe."

Dërgimi i ushqimeve me porosi është bërë burimi kryesor për të ardhurat e shumë restoranteve. Para epidemisë, 15 % e të ardhurave të Liang-ut vinin nga shërbimi i dërgimit, kurse tani 100 %. Në të njëjtën kohë, edhe porositë e dërgimit të ushqimeve po ulen. Një punonjës i dërgimit të ushqimit tha: "Para epidemisë merrja afro 50 porosi në ditë, por tani ato janë ulur në vetëm 30."

Menaxheri i restorantit "Yikou Liangshi" në Pekin Cui Yunan shpjegon: "Sipas perspektivës së konsumatorit, me zgjatjen e kohës së qëndrimit në shtëpi, disa prej tyre kanë filluar të gatuajnë vetë. Ka edhe raporte mbi infektimin e mundshëm të dërguesve, duke shtuar shqetësimet e konsumatorëve."

Megjithëse përfundimi i epidemisë duket ende larg, Liang Haorong beson se industria ushqimore do ta kalojë këtë periudhë të vështirë: "Unë besoj se konsumi i njerëzve do të shtohet. Për sektorin e ushqimit, për shkak se njerëzit kanë qëndruar në shtëpi për një periudhë të gjatë, ata janë më të etur për të ngrënë ushqimet e shijshme jashtë shtëpisë."

Edhe qeveria kineze ka dhënë ndihmën e saj. Për të përkrahur bizneset e vogla dhe të mesme gjatë shpërthimit të koronavirusit, autoritetet kineze kanë nxitur politika mbështetëse, si zbritja e taksave dhe qirave, ulja e përqindjes së interesit etj. (Xu Guang)

Mrekulli
Lajmet Kryesore