OBSh-ja: "COVID-19", emri i pneumonisë së re

2020-02-12 10:46:02 CRI Komenti juaj Printoni

Pneumonia e shkaktuar nga koronavirusi i tipit të ri do të quhet "COVID-19". Kështu u njoftua të martën nga Sekretari i Përgjithshëm i OBSh-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, në forumin dyditor që po mbahet në Zvicër lidhur me studimin e epidemisë së koronavirusit.

Në një konferencë shtypi të martën, z. Ghebreyesus u shpreh se emërtimi i kësaj sëmundjeje ka rëndësi të jashtëzakonshme, sepse mund të shmangë përdorimin e emrave jo të saktë ose stigmatizues. Përveç kësaj, emri mund të ofrojë edhe një format standard për emërtimin e koronaviruseve që mund të zbulohen në të ardhmen.

"Tani po e emërtojmë zyrtarisht këtë sëmundje 'COVID-19'", deklaroi kreu i OBSh-së.

Ai vuri në dukje se studimi i vaksinave dhe barnave është një pjesë e rëndësishme e programit të punës së forumit.

"Vaksina e parë mund të prodhohet brenda 18 muajve. Prandaj, tani ne duhet të përdorim të gjitha armët që kemi për të luftuar këtë virus, duke bërë edhe përgatitje për një kohë të gjatë. U kemi shpërndarë anëtarëve tanë materialet përkatëse për diagnostikimin dhe mjekimin e pacientëve, si dhe për mbrojtjen e punonjësve mjekësorë. U kemi ofruar atyre edhe këshilla për parandalimin e përhapjes së sëmundjes dhe kujdesin ndaj të prekurve. Po forcojmë kapacitetet laboratorike në mbarë botën, duke trajnuar mijëra mjekë. Ndërkohë, do ta njohim publikun me masat e mundshme për mbrojtjen e shëndetit", tha Sekretari i Përgjithshëm i OBSh-së.

Mrekulli
Lajmet Kryesore