Ambasadori kinez në Tiranë: Të bashkohemi për ta fituar luftën kundër epidemisë

2020-02-04 11:39:07 CRI Komenti juaj Printoni

Ambasadori Zhou Ding

Në disa medie shqiptare të hënën u publikua një artikull i ambasadorit kinez në Shqipëri z. Zhou Ding. 

Në shkrimin me titull "Së bashku për të ruajtur sigurinë globale shëndetësore", përfaqësuesi diplomatik i Kinës në Shqipëri i njeh lexuesit me situatën dhe masat e marra nga Kina kundër epidemisë së pneumonisë së koronavirusit të ri, duke bërë thirrje për solidaritet ndërkombëtar për fitoren e kësaj beteje.

Sipas tij, pas shpërthimit të epidemisë në janarin e këtij viti, qeveria kineze ka marrë masa të rrepta dhe të gjithashme të parandalimit dhe kontrollit, shumë prej të cilave i tejkalojnë kërkesat e "Rregullores ndërkombëtare të shëndetit". Tani, masat e ndërmarra nga pala kineze po tregojnë efekte pozitive. I gjithë populli kinez ka dhënë mbështetje të fortë për provincën Hubei dhe qytetin Wuhan. Ekipet mjekësore nga mbarë vendi kanë shkuar në provincën Hubei për të ndihmuar, ndërsa materialet mjekësore po mbërrijnë vazhdimisht. Me gjithë vështirësitë dhe sfidat e mëdha përpara, me epërsinë e sistemit të saj shtetëror në përgjithësi, dhe të sistemit të parandalimit e kontrollit të sëmundjeve ngjitëse në veçanti, si edhe me përvojën e pasur për sa u përket emergjencave të shëndetit publik, Kina është e bindur dhe e aftë që ta fitojë betejën kundër kësaj epidemie.

Në artikull vihet në dukje gjithashtu se përpjekjet maksimale të Kinës për të frenuar përhapjen e epidemisë japin kontribut të rëndësishëm edhe për parandalimin global të saj. Kina e njoftoi menjëherë Organizatën Botërore të Shëndetësisë për situatën epidemike, e identifikoi shpejt virusin dhe ndau informacione të tilla si renditja gjenetike e virusit. Dr. Tedros Adhanom Ghebreyesus, Drejtor i Përgjithshëm i OBSh-së, u shpreh se qeveria kineze ka ndërmarrë masa të jashtëzakonshme për të frenuar epideminë dhe se shpejtësia e Kinës në identifikimin, izolimin, zbulimin e renditjes gjenetike të virusit dhe në ndarjen e këtyre informacioneve me OBSh-në e botën, si edhe transparenca dhe vendosmëria e saj për të mbështetur vendet e tjera, janë mbresëlenëse. Kina ka vendosur një model referimi në shumë aspekte. OBSh-ja do të vazhdojë të jetë besimplotë për aftësinë e Kinës kundër epidemisë. "Në këtë moment, nuk ka arsye për masa të panevojshme që ndërhyjnë në udhëtimin e tregtinë ndërkombëtare dhe vendet e ndryshme duhet të godasin përhapjen e thashethemeve dhe informacioneve të gabuara, si edhe të marrin vendime të bazuara në prova", citohen në artikull fjalët e kreut të OBSh-së.

Ambasadori Zhou bën të ditur gjithashtu se në fazën tjetër Kina do të vazhdojë të forcojë bashkëpunimin e bashkërendimin me OBSh-në dhe vendet e ndryshme, për studimin dhe prodhimin e vaksinave dhe për gjetjen e mënyrave të mjekimit, për të bërë siç duhet punët e parandalimit dhe kontrollit të epidemisë, duke ruajtur kështu sigurinë globale shëndetësore.

"Miqësia e vërtetë qëndron në kohë të vështirë", thekson ambasadori Zhou Ding një fjalë të urtë kineze, duke e përfunduar artikullin me thirrjen për ta fituar bashkërisht luftën kundër epidemisë.

Mrekulli
Lajmet Kryesore