Qarqet e ndryshme të Mianmarit mirëpresin vizitën e presidentit kinez

2020-01-15 18:19:27 CRI Komenti juaj Printoni

Nga 17 deri më 18 janar, presidenti i Kinës Xi Jinping do të zhvillojë një vizitë shtetërore në Mianmar. Të martën, Zyra e Informacionit e Këshillit të Shtetit të Kinës dhe Ministria e Punëve të Jashtme e Mianmarit organizuan në Rangun veprimtarinë "Kina dhe bota e tanishme - Dialogu i instituteve të studimit të politikave Kinë- Mianmar", ku morën pjesë mbi 250 politikanë të rëndësishëm dhe ekspertë nga Kina dhe Mianmari. Ministri i Bashkëpunimit Ndërkombëtar i Mianmarit Kyaw Tint u shpreh në një intervistë për CMG-në se vizita e presidentit Xi në Mianmar do të fillojë fazën e re të marrëdhënieve midis Kinës e Mianmarit:

"Kjo (vizitë) do të hapë një faqe të re në marrëdhëniet midis Kinës e Mianmarit. Ai (presidenti Xi Jinping) do t'u sjellë përfitime popujve të të dy vendeve. Kjo vizitë do të arrijë sukses dhe do të nxitë zhvillimin e qëndrueshëm të bashkëpunimit në fusha të ndryshme, duke përfshirë nismën 'Një brez, një rrugë'."

Shkëmbimet midis Kinës e Mianmarit kanë një histori të gjatë. Në shekullin e 21-të, Kina dhe Minamari kanë një nivel të lartë besimi të ndërsjellë politik, bashkëpunim të thellë në fushën ekonomike dhe bashkërendit të ngushtë në problemet ndërkombëtare e rajonale. Drejtori i Zyrës së Informacionit të Këshillit të Shtetit të Kinës Xu Lin tha:

"Kina dhe Mianmari janë vende fqinje. Gjatë 70 vjetëve pas vendosjes së marrëdhënieve diplomatike, marrëdhëniet kanë ardhur duke u forcuar. Kina dhe Mianmari kanë krijuar modelin e bashkëpunimit të barabartë dhe me leverdi të ndërsjellë ndërmjet vendeve. Të dyja palët po ndërtojnë së bashku 'Një brez, një rrugë' dhe Korridorin Ekonomik Kinë - Mianmar. Edhe projektet e mëdha, si Zona e Bashkëpunimit Ekonomik Kufitar midis Kinës e Mianmarit, po zhvillohen më tej."

Sekretari i përgjithshëm i Institutit të Strategjisë dhe të Problemeve Ndërkombëtare të Mianmarit Khin Maung Lynn u shpreh se vizita e presidentit Xi do të ketë rëndësi për forcimin e marrëdhënieve miqësore midis Kinës e Mianmarit dhe se populli mianmaras e mirëpret këtë vizitë.

Gjatë diskutimeve në dialogun e instituteve të studimit të politikave të Kinës e Mianmarit, ekspertët e të dy vendeve zhvilluan shkëmbime mendimesh mbi tema të ndryshme, si "Nxitja e besimit të ndërsjellë politik dhe thellimi i bashkëpunimit strategjik", "Shkëmbimi i përvojave në zhdukjen e varfërisë dhe nxitjen e lulëzimit e të zhvillimit", "Ndërtimi i përbashkët i 'Një brez, një rrugë' dhe nxitja e përfitimeve të përbashkëta" etj. Ekspertët mendojnë se nisma "Një brez, një rrugë" do t'u sjellë Kinës e Mianmarit leverdi të ndërsjellë dhe përfitime e zhvillim të përbashkët. (Çang Çuo)

Mrekulli
Lajmet Kryesore