Turqi, Erdogan dhe Putin inaugurojnë tubacionin e gazit natyror

2020-01-09 09:35:22 CRI Komenti juaj Printoni

Me pjesëmarrjen e presidentit turk Recep Tayyip Erdogan dhe homologut të tij rus Vladimir Putin, dje në Turqi u bë inaugurimi i projektit të gazit natyror "TurkStream", përmes të cilit gazi rus do të transferohet në Europën Jugore përmes Turqisë.

Ky tubacion vjen si pjesë e përpjekjeve të Rusisë për të zvogëluar dërgesat përmes Ukrainës.

Presidenti rus Vladimir Putin tha se puna për ndërtimin e tubacionit nuk është e lehtë.

"Ky sistem është shumë i veçantë. Dy tubacione shtrihen nën ujë dhe secili prej tyre ka një kapacitet prej 16 miliardë m3 dhe thellësia është mbi dy kilometra. Gjatësia e tubave është mbi 1.8 kilometra. Kjo nuk është një punë e lehtë. Në këtë projekt është përdorur teknologji moderne."

Projekti i gazsjellësit shtrihet 930 km nëpër Detin e Zi.

Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan tha se projekti do të sjellë përfitime për Rusinë dhe Turqinë, po ashtu edhe për vende të tjera.

"15.7 miliardë metra kub gaz natyror nga 31.5 miliardë m3 do të vijnë drejtpërdrejt në Turqi, pa asnjë shtet ndërmjetësues. Ne do të përmbushim kërkesën vjetore për gaz natyror për 35 milionë familje. Shpresoj që ky projekt do të sjellë përfitime për vendin tonë dhe për miqtë tanë që do të përfitojnë nga ky gazsjellës."

Bëhet e ditur se Rusia ka nisur tashmë dërgesat e gazit drejt Europës përmes tubacionit.

Muajin e kaluar, Senati Amerikan miratoi një projektligj për vendosjen e sanksioneve ndaj dy gazsjellësve "TurkStream" dhe "Nord Stream 2". (Albana)

Mrekulli
Lajmet Kryesore