Video - Li Keqiang-u thekson progresin thelbësor në negociatat e tregtisë së lirë Kinë-Japoni-Kore e Jugut

2019-12-24 16:32:48 CRI Komenti juaj Printoni

Në paraditen e së martës, në qytetin Chengdu të provincës kineze Sichuan, kryeministri kinez Li Keqiang, së bashku me presidentin koreanojugor Moon Jae-in dhe kryeministrin japonez Shinzo Abe, morën pjesë në Samitin e 7-të të Biznesit Kinë-Japoni-Kore e Jugut, ku Li Keqiang-u mbajti një fjalim. 

Li vuri në dukje se të tre vendet duhet të përpiqen për ngritjen e nivelit të integrimit ekonomik rajonal. Ai tha se Kina, Japonia dhe Koreja e Jugut janë përkrahëse të vendosura për negociatat e Marrëveshjes së Partneritetit të Gjithanshëm Ekonomik Rajonal. Ato duhet të vënë në jetë "Konsensusin e Bangkokut" të arritur muajin e kaluar, për të garantuar nënshkrimin zyrtar të marrëveshjes. Li Keqiang-u theksoi se të tre palët duhet t'i nxitin negociatat mbi Zonën e Tregtisë së Lirë Kinë-Japoni-Kore e Jugut që të arrijnë sa më shpejt progres thelbësor, duke ruajtur me vendosmëri multilateralizmin dhe tregtinë e lirë.

Li Keqiang-u u shpreh gjithashtu se, në bazë të hapjes së gjithanshme të industrisë përpunuese, Kina do të shpejtojë hapjen e sektorit të shërbimeve dhe do të lejojë hyrjen e bizneseve në pronësi plotësisht të huaj në më shumë sektorë, duke krijuar një mjedis investimesh më të barabartë, më transparent dhe më të parashikueshëm. Kina do ta goditë seriozisht veprimet e shkeljes së të drejtave të pronësisë intelektuale.

Liderët e Koresë së Jugut dhe të Japonisë u shprehën nga ana e tyre se, në gjendjen e tanishme, të tre palët duhet të shfrytëzojnë epërsitë e veta për të përballuar sfidat e përbashkëta. Koreja e Jugut dhe Japonia do të përpiqen së bashku me palën kineze për ruajtjen e tregtisë së lirë dhe uljen e barrierave tregtare, duke krijuar një mjedis biznesi të barabartë, të drejtë dhe të parashikueshëm për kompanitë e të tre vendeve. Të tre palët duhet të bëjnë përpjekje të përbashkëta për nënshkrimin sa më parë të Marrëveshjes së Partneritetit të Gjithanshëm Ekonomik Rajonal dhe për të nxitur negociatat e Zonës së Tregtisë së Lirë Kinë-Japoni-Kore e Jugut. Të tre palët duhet të shfrytëzojnë mundësinë e krijuar nga Revolucioni

i 4-t Industrial dhe të zhvillojnë bashkëpunim lidhur me teknologjinë inovative në fushat e ekonomisë digjitale, të inteligjencës artificiale etj., duke realizuar paqen dhe lulëzimin rajonal.

Afro 800 përfaqësues të qarqeve të biznesit dhe qeverive të të tre vendeve morën pjesë në këtë samit.(Xu Guang)

Mrekulli
Lajmet Kryesore