MPJ: Dëmtimi i tregtisë shumëpalëshe nga ShBA-ja dënohet nga pjesa dërrmuese e OBT-së

2019-12-09 19:40:08 CRI Komenti juaj Printoni

Për arsye që pala amerikane pengon zgjedhjet për Organin e Apelimit të mekanizmit të zgjidhjes së mosmarrëveshjeve të Organizatës Botërore të Tregtisë, të mërkurën ky organ do të mbetet me vetëm një gjyqtar. Kjo do të bëjë që mekanzimi i zgjidhjes së mosmarrëveshjeve të mos funksionojë normalisht, çka do të dëmtojë sistemin e tregtisë shumëpalëshe. Kështu u shpreh në një konferencë shtypi të hënën zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës Hua Chunying.

Sipas njoftimeve, ShBA-ja ka përdorur të drejtën e vetos, duke penguar emërimin e gjyqtarëve të rinj për të zvendësuar dy gjyqtarët të cilëve u ka përfunduar mandati. Kjo do të bëjë që mekanizmi i zgjidhjes së mosmarrëveshjeve i OBT-së të mos e luajë dot rolin e vet. Lidhur me këtë veprim të palës amerikane, zëdhënësja Hua u shpreh se mekanizmi i zgjidhjes së mosmarrëveshjeve është një nga tre shtyllat e OBT-së dhe quhet "perla e kurorës të OBT-së", duke luajtur rol kyç për zbatimin e misionit të OBT-së.

"Kjo do të bëjë që mekanizmi i zgjidhjes së mosmarrëveshjeve të mos funksionojë normalisht dhe do të dëmtojë sistemin e tregtisë shumëpalëshe. Veprime të tilla që dëmtojnë sistemin e tregtisë shumëpalëshe, janë dënuar nga pjesa dërrmuese e anëtarëve të OBT-së," vuri në dukje Hua Chunying-u.

Zëdhënësja e diplomacisë kineze shtoi gjithashtu se, në mbledhjen e ministrave të Jashtëm të G20-s, palët e ndryshme i kushtuan vëmendje kësaj çështjeje dhe bënë thirrje që të merren sa më parë masa për të shpëtuar sistemin e tregtisë shumëpalëshe nga kriza.

Hua theksoi se pala kineze e ka ruajtur me vendosmëri sistemin e tregtisë shumëpalëshe dhe ka nxitur aktivisht zgjidhjen e problemit të zgjedhjeve për Organin e Apelimit. Kina dhe 115 anëtarë të tjerë të OBT-së paraqitën propozime mbi fillimin e zgjedhjeve për Organin e Apelimit dhe 40 anëtarë të OKB-së shprehën propozime mbi reformën e këtij organi, për të arritur unanimitet dhe për të zgjidhur problemet përkatëse.

"Tani Organi i Apelimit ka hyrë në krizë, por përpjekjet e palëve të ndryshme për ruajtjen e sistemit të tregtisë shumëpalëshe nuk do të ndalojnë. Kina bashkë me pjesën dërrmuese të anëtarëve të OKB-së do të vazhdojnë të nxitin zgjidhjen e sfidës me të cilën po përballet Organi i Apelimit. Njëkohësisht po studiojmë mënyrat për të ruajtur funksionimin e mekanizmit të zgjidhjes së mosmarrëveshjeve të OBT-së dhe do të mbrojmë autoritetin dhe efektivitetin e OBT-së," u shpreh zëdhënësja Hua Chunying. (Çang Çuo)

Mrekulli
Lajmet Kryesore