Ambasada e Kinës ndihma për të prekurit nga tërmeti në Farkë

2019-12-09 10:13:54 CRI Komenti juaj Printoni

Stafi i Ambasadës së Republikës Popullore të Kinës në Tiranë pasditen e së premtes dërgoi një kamion me ndihma, kryesisht shtretër portative, batanije, jastëqe për banorët e prekur nga tërmeti në Njësinë Administrative Farkë.

Administratori i Njësisë Administrative Farkë, Adrian Tufa duke folur për pasojat e tërmetit të 26 nëntorit theksoi se "Edhe kjo njësi administrative është prekur nga tërmeti duke shkaktuar dëme të konsiderueshme, kryesisht në shtëpitë e vjetra, të ndërtuara para viteve 60-të. Ato kanë pësuar carje të mureve. Për familjet e prekura kemi marrë të gjitha masat. Kemi strehuar në cadra 12 familje, ndërsa 7 familje të tjera janë strehuar te të afërmit. Familjet e prekura janë ndihmuar me ushqime, dhe mjete të tjera jetese".

Administratori Tufa falenderoi ambasadën kineze për mbështetjen, duke cilësuar popullin kinez si një mik të vjetër të shqiptarëve.

I pranishëm në ceremoninë e dorëzimit të ndihmave, ambasadori kinez Zhou Ding tha "Qeveria dhe populli kinez kanë ndjekur me shumë vemendje gjendjen e pas tërmetit në Shqipëri dhe shumë media kanë raportuar këtë ngjarje, duke treguar kujdes për popullin shqiptar. Presidenti kinez Xi Jinping i ka dërguar një letër ngushëllimi presidentit shqiptar Ilir Meta, duke shprehur dhe mbështetje për popullin shqiptar. Në këto momente të vështira qeveria dhe populli kinez janë pranë qeverisë dhe popullit shqiptar për të kapërcyer sa më shpejt pasojat e tërmetit. Kjo është një ndihmë modeste nga stafi i ambasadës kineze."

Ai premtoi bashkëpunim me institucione të ndryshme shqiptare për të ofruar mbështetje në rindërtimin pas tërmetit.

I deleguari i Këshillit Bashkiak të Tiranës, njëherësh zëvendësministër i arsimit Redi Shtino shprehu falenderim për ndihmën e ambasadës kineze ndaj banorëve të Farkës, të prekur nga tërmeti i 26 nëntorit. Ai vuri në dukje se "gjatë një vizite që kishte kryer kohët e fundit në Pekin kishte vërejtur miqësinë midis dy vendeve, e cila i ka rezistuar dekadave dhe ndryshimeve politike dhe ekonomike të vendeve tona. Kjo ndihmë nuk vjen e shkëputur nga kjo marrëdhënie por është vijim i kësaj marrëdhënie të konsoliduar"

Kompanitë kineze në Shqipëri kanë dhuruar 2 milion euro për të prekurit nga tërmeti që goditi vendin më 26 nëntor.

Eda Merepeza

Mrekulli
Lajmet Kryesore