Studiuesit: NATO-ja duhet të gjejë strategji të reja

2019-12-05 09:56:10 CRI Komenti juaj Printoni

Ndërsa udhëheqësit e NATO-s takohen në Britani për 70-vjetorin e Aleancës, studiuesit thonë se ata duhet të trajtojnë në mënyrë efektive çështjen e ndarjeve të brendshme dhe të dalin me një rol të ri strategjik.

Krerët e shteteve dhe qeverive janë mbledhur në Britani për të përkujtuar 70-vjetorin e themelimit të Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut. NATO-ja u krijua në vitin 1949 me 12 vende anëtare për të mbrojtur Shtetet e Bashkuara dhe Evropën Perëndimore. Aleanca më e madhe ushtarake në botë arriti fitore me shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik dhe rrëzimin e Murit të Berlinit. Studiuesi i Qendrës Ndërkombëtare për Integrimin Evropian, dr. Jorgo Xogopulos, shprehet:

"Gjatë Luftës së Ftohtë, misioni i Aleancës ishte shumë i suksesshëm. Pas rënies së Murit të Berlinit në vitin 1989, Aleanca ishte e suksesshme në vënien në jetë të objektivit të saj. Sidoqoftë, pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, çështja kryesore ishte se çfarë roli mund të luante ajo. Në fillim pati një debat për pjesëmarrjen e mundshme në konfliktet rajonale."

Tani NATO-ja ka 29 vende anëtare, por përballet me sfida edhe më të mëdha. Studiuesit i shohin ndarjet e brendshme, të shkaktuara nga mospajtimi lidhur me misionet, si kërcënimin më të madh për Aleancën. Dr. Nicholas Stockhammer nga Universiteti i Vjenës shprehet:

"Një sfidë e madhe për NATO-n është ndarja e brendshme, siç e kemi parë nga disa komente të presidentit Trump dhe presidentit Macron. Nuk ka asnjë kompromis të qartë se cila duhet të jetë linja e ardhshme strategjike e NATO-s."

Mosmarrëveshjet e brendshme nuk janë të reja, por tani ato po shfaqen më shpesh në publik, duke ngritur pikëpyetje nëse udhëheqësit do të jenë në gjendje t'i sheshojnë ato. Presidenti i ShBA-së Donald Trump dëshiron që vendet e tjera anëtare të kontribuojnë më shumë për buxhetin e NATO-s, ndërkohë që ka bërë komente negative për kritikat e presidentit francez Emmanuel Macron ndaj NATO-s. Por Macron-i u ka qëndruar vërejtjeve të veta ndaj NATO-s dhe e ka kritikuar Turqinë për mosrespektimin e rregullave të Aleancës dhe blerjen e armëve nga Rusia. Stockhammer-i dhe Xogopulosi besojnë se është e domosdoshme që liderët e NATO-s të luajnë një rol të ri strategjik për zhvillimin e Aleancës.

(Artan Goga)

Mrekulli
Lajmet Kryesore